Dihen gjysmëfinalistët e parë

Katër herë kampioni i Australian Open, Roger Federer, nuk ka të ndalur. Tenisti zviceran është kualifikuar në gjysmëfinale të turneut që po mbahet në Melbourn të Australisë, pasi e mposhti në Rod Laver Arena, pas tre setesh bashkëkombësin e tij, Stanislas Wawrinka, 6-1, 6-3, 6-3.
Numri 2 në botë po shfaq formë të mirë në këtë turne dhe ai është njëri prej favoritëve për të ngadhënjyer. Atij iu nevojitën vetëm 117 minuta për ta mposhtur kundërshtarin.
“Nëse e shikoni tabelën, ndoshta duket e lehtë, por nuk ishte ashtu. Unë e prisja një meç të vështirë. Ai shfaqi një lojë të mirë, sidomos në setin e dytë. Stanislas është tenist më i ri se unë, kështu që është për çdo respekt. Unë e bëra lojën time dhe kjo solli rezultat”, theksoi Federer.
Të mërkurën, Federer do të përballet në gjysmëfinale me tenistin serb Novak Djokovic. Ky i fundit, të martën e mposhti pas tri setesh tenistin çek Tomas Berdych, në ndeshjen tjetër çerekfinale. Djokovic dominoi në setin e parë dhe të tretë, ku fitoi 6-1, ndërsa seti i dytë ishte i baraspeshuar me serbin që fitoi 7-6.
Gjysmëfinalja tjetër do të përbëhet nga fituesi i derbit spanjoll ndërmjet Rafael Nadal e David Ferrer si dhe fituesit të sfidës ndërmjet britanikut Andy Murray me ukrainasin Alexandr Dolgopolov. Të dyja këto meçe po ashtu do të zhvillohen të mërkurën.
Ndërkohë, në konkurrencën e femrave, në gjysmëfinale të turneut të madh Australian Open është kualifikuar kinezja Li Na, e cila e mposhti befasinë e turneut, gjermanen Andrea Petkovic 2:0 në sete, 6-2 e 6-4.
Kurse, numri 1 i botës, danezja Caroline Wozniacki ishte më e mirë se italianja Francesca Schiavone, ndaj të cilës fitoi 2-1 në sete, 3-6, 6-3, 6-3.
Meshkujt
Nadal – Wawrinka6-1, 6-3, 6-3
Djokovic – Berdych6-1, 7-6, 6-1
Femrat
Na Li – Petkovic6-2, 6-4
Wozniacki – Schiavone3-6, 6-3, 6-3