E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria bllokon pagesën për ndihmën ekonomike dhe invalidët



Qeveria bllokon pagesat mujore për përfituesit e ndihmës ekonomike, shërbimit të papunësisë dhe personat me aftësi të kufizuar, që nuk kanë kartë identiteti ose pasaportë. Nëpërmjet një urdhri të posaçëm, të nxjerrë dje nga Ministria e Punës, urdhërohet mospagimi i ndihmës ekonomike dhe të invalidit, nëse përfituesit nuk paraqiten me kartë identiteti ose pasaportë. Sipas urdhrit të fundit, të nxjerrë nga Ministria e Punës, personat që marrin ndihmë ekonomike, pagesë papunësie, dhe invalidët nuk do të kenë mundësi të aplikojnë për të përfituar këtë ndihmë, nëse nuk janë të pajisur me pasaportë ose letërnjoftim.
Urdhri
Urdhri i Ministrisë së Punës ka përcaktuar edhe procedurat që duhet të ndjekin personat, që duan të aplikojnë për përfitimet e mësipërme gjatë muajit qershor. Kështu, sipas këtij urdhri, kryefamiljari së bashku me anëtarët e familjes mbi moshën 18 vjeç, të cilët aplikojnë për të përfituar ndihmë ekonomike gjatë muajit qershor 2009 dhe nuk posedojnë pasaportë, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Personat me aftësi të kufizuara që nuk posedojnë pasaportë, për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar gjatë muajit qershor 2009, duhet të paraqesin fotokopjen e kartës së identitetit pranë administratorëve shoqërorë të seksionit të ndihmës ekonomike dhe shërbimeve shoqërore në bashkinë/komunën ku kanë vendbanimin. Personat që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk posedojnë pasaportë, për ta përfituar pagesën duhet të depozitojnë pranë zyrave rajonale dhe vendore të punësimit fotokopjen e kartës së identitetit.
Shpërndarja
Urdhri është firmosur nga Ministri i Punës, Viktor Gumi me qëllim nxitjen dhe përshpejtimin e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, si dhe bazuar në Kushtetutën e Republikës, Ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” dhe vendimin e Këshillit të Ministrave “Për pajisjen për herë të parë me letërnjoftime të shtetasve shqiptarë dhe për përcaktimin e afateve e të masave shtrënguese për ata që nuk aplikojnë brenda këtyre afateve. Tashmë ky urdhër është shpërndarë në të gjitha strukturat në nivel qendror dhe rajonal të Shërbimit Social Shtetëror, Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe çdo njësie vendore, dhe kërkohet zbatimi korrekt i tyre. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Punës, inspektorët rajonalë janë udhëzuar të raportojnë në mënyrë periodike pranë kabinetit të Ministrit të Punës, mbi numrin e personave që kanë aplikuar për karta identiteti, të cilët janë përfitues nga mbështetja me të ardhura nëpërmjet skemës së ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe pagesës së papunësisë.

Pas incidentit, të verbrit dalin sërish në protestë

Shoqata e të Verbërve ka kërkuar sërish reagimin e institucioneve qeveritare në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj grave të moshuara që protestuan para Kryeministrisë, rreth një javë më parë. Në një protestë paqësore, të organizuar paraditen e djeshme në sheshin “Skëndërbej”, të verbrit ftuan të gjithë qytetarët, për t’iu bashkuar të drejtave që ata kërkojnë, në protestën e radhës që është mbajtur në orën 18.00, po të ditës së djeshme. Ndërkohë, Shoqata e të Verbërve ka përshëndetur presidentin Bamir Topi, pasi sipas tyre, ai është i vetmi, që ka reaguar ndaj dhunës së ushtruar mbi gratë e verbra.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›