E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa Leka do t‘u rikthejë kreditorëve 150 milionë lekë

Gjykata e Tiranës i dërgoi shkresën Përmbarimit për ekzekutimin e vendimit. Nis verifikimi i pasurisë së ish-bosit të firmës piramidale, e cila rrezikon të sekuestrohet

Laureta Rryçi

Tiranë - Mustafa Leka, edhe pse ka fituar lirinë prej disa vitesh, ende nuk i ka mbyllur hesapet me kreditorët e tij. Tashmë ai duhet t’u kthejë atyre më shumë se 150 milionë lekë. Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e Grupit Mbikëqyrës së Fajdeve duke e shpallur debitor ish-bosin e firmës “M. Leka”, Mustafa Leka. Pas vendimit të djeshëm, kreditorët e kësaj firme u shtohet shpresa për të rimarrë paratë. Administratori i kësaj firme, Yllka Sejati, ka arritur të dokumentojë jo pak, por shumën e rreth 150 milionë lekëve, duke e shpallur presidentin si debitor. Vendimi u dha nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri. Sipas këtij vendimi, administratori i pavarur i shoqërisë “M. Leka” në administrim i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për tre vendime.
Hetimi
Nga hetimi gjyqësor ka rezultuar se duke u bazuar në ligjin “Për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku u gjerë”, Mustafa Leka duhet të shpallet debitor. Si procedurë administratori, në përfundim të procesit të identifikimit, merr vendim për personat subjekt të këtij ligji, që shpallen debitorë për vlerën financiare e pasurore që ata duhet të kthejnë në llogarinë e shoqërisë huamarrëse për shlyerjen e kreditorëve. Mustafa Leka është shpallur debitor me vendim të administratorit të shoqërisë “M. Leka” sh.p.k në administrim përkatësisht me vendimet: Vendimi nr. 5, datë 06.07.1999, për shumën 98.295.763 (nëntëdhjetë e tetë milionë e dyqind e nëntëdhjetë e pesë mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë e tre) lekë; Vendimi nr. 59, datë 16.05.2001, për shumën 993.200 (nëntëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind) lekë; Vendimi nr. 68/1, datë 22.03.2001 për shumën 2.000.000 (dy milionë) lekë.
Ekzekutimi
Sipas procedurave ligjore, pas këtij vendimi përgjegjësia për ekzekutimin e tij bie direkt në Zyrën e Përmbarimit të Tiranës. Përmbaruesit do të bëjnë verifikimet për të mësuar pasuritë që janë në emër të Mustafa Lekës, të cilat do të vihen në sekuestro deri në vlerën për të cilën gjykata tashmë e ka dhënë verdiktin. Më pas këto paratë do të kalojnë në sistem bankar dhe do të jenë specialistët e shtetit që administrojnë firmën huamarrëse për të bërë kalkulimet e mëtejshme se sa lekë u takojnë secilit prej kreditorëve.

Box
Firma: "M. Leka"
Numri i kreditorëve: rreth 4 mijë
Borxhi: rreth 930 milionë
President: Mustafa Leka
Arrestuar: më 23 gusht të vitit 1999
Dënuar: me 20 vjet burg
Liruar: në vitin 2006

Box
Bosët e dënuar
-Vehbi Alimuça - Në mars 2001, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 25 vjet, në dhjetor të po të njëjtit vit Gjykata e Apelit jep 20 vjet burg
- Shemsie Kadria - Në janar të vitit 2001, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 17 vjet burg, qershor 2001 Gjykata e Apelit e lë në fuqi
- Fitim Gerxhalliu - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 20 vjet burg, në qershor të po atij viti Gjykata e Apelit 11 vjet burg
- Gani Kadria - Në janar të vitit 2001 Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 20 vjet burg, Gjykata e Apelit 10 vjet burg
- Maksude Kadëna - Në shkurt 2001 Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 5 vjet burg
- Bashkim Driza - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së parë e dënon me 16 vjet burg
- Arben Qepeni - Në muajin korrik të vitit 2002, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 12 vjet burg
- Ferdinand Kamberi - Në muajin nëntor 2002, Gjykata e Shkallës se Parë e dënon me 18 vjet burg
- Mustafa Leka - Në vitin 2002 Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 20 vjet burg
- Lefter Cenaj - Në shkurt 2003, Gjykata e Shkallës së Parë e dënon me 10 vjet burg

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›