E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Tiranës i fal lirinë Gani Shehut, ish-bosit të piramidave



Tiranë - Gjykata e Tiranës i ka falur lirinë një tjetër ish-bosi të firmave piramidale, Gani Shehut. Gjyqtari Sokol Tona ka pranuar kërkesën e avokatit të Shehut, i cili ka shfrytëzuar Nenin 68 të Kodit Penal për të mbyllur njëherë e mirë hesapet e klientit të tij me Drejtësinë shqiptare. Burime nga kjo gjykatë shpjeguan dje për gazetën “Albania” se ndaj kësaj kërkese ka qenë dakord edhe përfaqësuesja e prokurorisë, për shkak se i pandehuri në këtë rast kishte mundur t’u shpëtonte prangave për vite me radhë. Ky është rasti i dytë kur një ish-bos i piramidave përfiton nga e njëjta klauzolë. Të njëjtin fat pati pasur një vit më parë edhe Gani Kadria. Ky i fundit u dënua si një nga drejtuesit e firmës piramidale, “Gjallica”. Me vendimin 9 shtatorit të vitit 2003 Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, u deklarua fajtor dhe u dënua për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit”, me pesë vjet burgim. Në zbatim të Nenit 59 të Kodit Penal, pjesa e pavuajtur e dënimit të gjykuarit i është pezulluar duke iu dhënë me kusht dhe duke u vendosur në provë për një periudhe kohe 5-vjeçare, si dhe duke u urdhëruar lirimi i tij nga burgu. Mirëpo ky vendim u ndryshua nga Gjykata e Apelit. Ky vendim u shpall më 21 prill të vitit 2004 dhe e detyronte Shehun të rikthehej në qeli, mirëpo ky vendim nuk u zbatua asnjëherë. Sipas ligjit, ky vendim duhej të ishte ekzekutuar brenda pesë vitesh. “Duke qenë se një ekzekutim i tillë nuk është kryer brenda limiteve kohore, gjykata gjen me vend kërkesën e kërkuesit Gani Shehu”, - ka argumentuar kështu në vendimin e tij gjyqtari Sokol Tona.
L. Rryçi
Box
Firma: “Global foods”
Numri i kreditorëve: 1700
Borxhi: rreth 250 milionë
S’ka të arrestuar

Drejtuesi i kamionit përplaset nga një makinë ndërsa po kontrollonte mallin

Gjirokastër - Ndërsa kishte zbritur të kontrollonte ngarkesën e kamionit, drejtuesi Panajot Sorra është goditur për vdekje nga një makinë e cila po kalonte në atë moment me shpejtësi rrufeje. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër-Kakavijë, në vendin e quajtur Derviçan. I ndjeri Panajot Sorra banonte në fshatin Sheqeras të Korçës. Dëshmitarët e ndodhur në vendngjarje e kanë transportuar menjëherë për në spital atë, por ai nuk ka mundur të shpëtojë pasi kishte marrë plagë të rënda. Po sipas dëshmitarëve në vendngjarje, automjeti që ka shkaktuar këtë aksident ishte tip “Peugeot” me targa GJ 96 96 A, me ngjyrë të bardhë, ku drejtuesi i automjetit Edvin Pollo, banues në Lazarat, është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka bërë dokumentimin e ngjarjes dhe u arrit që Pollo të paraqitet në polici, ku dhe është bërë arrestimi i tij për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, drejtim të automjetit në gjendje të dehur apo pa dëshmi aftësie dhe largim nga vendi i ngjarjes”.

Emigranti po çonte në Greqi 1 kg marijuanë, kapet nga policia

Gjirokastër – Forcat e policisë kanë arrestuar 23-vjeçarin Gentjan Zotaj, lindur dhe banues në Fratar të Mallakastrës, pasi në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës ai u kap duke transportuar në mënyrë të paligjshme 1 kilogram lëndë narkotike e tipit marijuanë. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, konstatimi u bë gjatë një kontrolli rutinë të ushtruar në automjetin tip “Volkswagen Golf 4”, me targa greke YHH 7708, i cili drejtohej nga Zotaj dhe në bagazhin e tij është gjendur një qese transparente me ngjyrë të bardhë. Brenda saj kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e vendit ku ishte fshehur lënda narkotike dhe ka rezultuar se në qese kishte rreth 1 kilogram lëndë narkotike. Ky shtetas punonte si emigrant në Artë të Greqisë dhe po udhëtonte nga Fieri drejt qytetit grek. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, u bë sekuestrimi i lëndës narkotike dhe automjetit në cilësinë e provës materiale si dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit të lartpërmendur për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›