E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat shumemërore dhe 30 përqindëshi



Niazi Jaho

Shtypi i përditshëm na ka njohur me mendimet e ndryshme dhe debatet e zhvilluara në KQZ për çështje që kanë të bëjnë me përmbajtjen, kuptimin dhe zbatimin e Nenit 67 të Kodit Zgjedhor.
Në Nenin 67 të Kodit Zgjedhor, siç dihet, veç të tjerave, bëhet fjalë për listat shumemërore të partive dhe koalicioneve të partive. Në pikën 4 të dispozitës së mësipërme thuhet se: “Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhor më vete ose e partive të koalicionit në tërësi, nuk duhet të jetë më i vogël sesa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse”, dhe më poshtë: “Për partitë pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël sesa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse”.
Rastin e parë po e ilustrojmë me shembullin e mëposhtëm:
Nëse në zonën X numri i mandateve është 12, lista shumemërore nuk mund të ketë më pak se 12 kandidatë. Ndërsa në rastin e dytë, numri i kandidatëve të listës shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se 6.
Është diskutuar fakti nëse në listën shumemërore mund të figurojnë më shumë kandidatë nga numri i mandateve që ka zona zgjedhore përkatëse. Kam mendimin se po. Derisa në Kodin Zgjedhor thuhet: “jo më i vogël se numri i mandateve që do të zgjidhen...”, kuptohet se dispozita e mësipërme nuk e ndalon tejkalimin e numrit të mandateve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin e dytë, megjithëse në këtë rast nuk besoj të shfrytëzohet kjo mundësi.
Pyetja e natyrshme që mund të bëhej do të ishte: Përse ligjbërësi e ka lejuar këtë? Le t’i referohemi përsëri shembullit të mësipërm, zonës që ka 12 mandate. Mundet që një subjekt zgjedhor më vete ose një koalicion partish në tërësi, në këtë zonë synon të fitojë të 12 mandatet. Në këto kushte, ai parashikon edhe mundësinë që këtij apo atij deputeti të zgjedhur, për shkaqe të ndryshme, t’i ndërpritet mandati. Nëse kjo do të ndodhte, ai do të zëvendësohej në përputhje me nenin 164 të Kodit Zgjedhor ku thuhet se: “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse”. Kjo dispozitë do të zbatohej edhe në ato raste kur nga lista me 12 kandidatë do të fitoheshin të themi 6 ose 7 mandate.
Në nenin 67 pika 5 e Kodit Zgjedhor thuhet se: “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind të listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini”.
Siç është njoftuar në shtyp, debatet në KQZ lidhur me këtë çështje, kanë qenë më të shumta. Një pjesë e anëtarëve të KQZ-së kanë mbrojtur mendimin se në çdo tre emrat e parë të listës shumemërore, njeri duhet t’i përkasë gjinisë femër, ndërsa pjesa tjetër, 30 përqindëshin nuk e ka kushtëzuar me përfshirjen e detyrueshme të një kandidateje femër në tre emrat e parë të listës.
Kam mendimin se një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet të jetë femër. Ligjbërësi, siç duket, me këtë formulim ka dashur që renditjen në listë të një kandidateje femër në treshen e parë, ta bënte të detyrueshme sepse ka më tepër shanse që tre mandatet e para të fitohen. Si rrjedhim, edhe nëse në parlamentin e ardhshëm nuk do të arrihej që 30 përqindëshi i femrave të fitonin mandatet në zonat përkatëse, të kishte një garanci, plus që edhe në këto rrethana ato të përfaqësoheshin në mënyrë relativisht të kënaqshme.
Ata që mendojnë ndryshe, arsyetojnë afërsisht kështu: E rëndësishme është që 30 përqindëshi të respektohet në raport me numrin e mandateve të caktuara për çdo zonë përkatëse, pa qenë e nevojshme që në treshen e parë të listës të jetë një kandidate femër. Madje ka edhe nga ata që thonë se ky 30 përqindësh mund të llogaritet edhe në raport me numrin e mandateve plus shtesës që mund t’i bëhet kësaj liste (kështu p.sh. mandatet janë 12, ndërsa lista shumemërore paraqitet me 14 ose 15 kandidate).
Kam mendimin se:
a) 30 përqindëshi duhet të llogaritet në raport me numrin e mandateve dhe përfshirja e një femre në treshen e parë të listës të jetë e detyrueshme. Në këtë rast, nuk do të kishte ndonjë shkelje ligjore nëse të themi, në zonën zgjedhore që ka 12 mandate, një kandidate femër të vihej në treshen e parë të listës, ndërsa tre të tjerat të viheshin në treshen e fundit. Nëse do të ndodheshim para zgjedhjeve të organeve të qeverisjes vendore “një në çdo tre emra të listës, duhet t’i përkasë secilës gjini”, (pika 5 e nenit 67 të Kodit Zgjedhor).
b) Kam mendimin se nuk do të ishte e drejtë dhe e ligjshme që 30 përqindëshi të llogaritej në raport me listën shumemërore që mund të tejkalonte numrin e mandateve të zonës përkatëse zgjedhore. Le të marrim p.sh. një zonë zgjedhore që ka 4 mandate, ndërsa lista e paraqitur ka 6 kandidatë dhe dy të fundit janë femra. Më tepër nga katër mandate, në këtë zonë siç dihet, nuk mund të fitoheshin. Ky apo ai subjekt zgjedhor mund të pretendonte se duke paraqitur listën e mësipërme shumemërore me 6 kandidate, 30 përqindëshi është respektuar sepse ka dy gra kandidate.
Nëse pretendimi i mësipërm do të konsiderohej i ligjshëm, subjekteve zgjedhore do t’u lihej mundësia e manovrimit në dëm të kandidateve femra, sepse qysh në fillim do të dihej se ato do të ishin “kontingjent rezervë”. Për të parandaluar një fenomen të tillë të mundshëm, mendoj se ligjbërësi, 30 përqindëshin nuk ka dashur ta shtrijë edhe në listën tej mandateve të zonës përkatëse zgjedhore.
Përcaktimi për herën e parë i 30 përqindëshit në Kodin tonë Zgjedhor ishte një hap përpara, por nëse me termin “listë shumemërore”, kur shtrohet çështja e 30 përqindëshit, nuk bëhet dallimi midis numrit të mandateve të zonës përkatëse zgjedhore dhe numrit të mundshëm të kandidateve tej këtij limiti, përqindja e numrit të gjinisë femër do të ishte jo vetëm një dëshirë e parealizueshme, por edhe shmangie nga qëllimi i vullnetit të ligjbërësit. Në këtë vështrim, çdo lloj formatizimi do të ishte i dëmshëm.

28 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›