Eli Fara, në kornizën e Ansamblit Popullor

Tradita, kultura dhe folklori do të zbresin së shpejti në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve në datën 4 qershor do të zhvillojë një koncert, i cili do të prezantojë një repertor të pasur folklorik. Në këtë koncert do të jenë këngë dhe valle nga më të bukurat e folklorit tonë, duke sjellë në skenë një koncert të veçantë për publikun. Drejtuesja artistike e Ansamblit, Lejla Agolli tregon se në këtë koncert për publikun janë përzgjedhur numrat më të bukur nga aktiviteti i Ansamblit që ka zhvilluar gjatë këtij sezoni artistik. Në datën 4 qershor ne do të zhvillojmë një koncert të madh në skenën e TKOB. Në këtë koncert ne kemi menduar që të zgjedhim numrat më të mirë që janë bërë në këto koncerte. Do të jenë ato që janë pëlqyer më shumë nga publiku, ato që janë vlerësuar dhe nga ana profesionale nga më të mirat në këto koncert.
Numrat që janë të bëra tani nuk janë numra të hershëm. Kënaqësi për ne është dhe pjesëmarrja e Eli Farës në këtë koncert, e cila do të këndojë disa prej këngëve më të bukura si 25 gërshetat etj. Kemi bërë tentativa dhe e kam gjetur dëshirën e saj edhe më parë që të ishte pranë ansamblit, por nuk kanë koiçiduar momentet dhe ajo ka qenë e zënë. Por në datën 4 qershor ajo do të këndojë me ansamblin, ku do të sjellë një repertor korçar popullor të pastër, por të përpunuar nga ana profesionale. Tregon për koncertin e datës 4 qershor drejtuesja artistike Lejla Agolli. Me interpretimet e tyre në skenë, përveçse këngëtares së njohur Eli Fara do të jenë dhe emra të njohur të Ansamblit Popullor, valltarë dhe këngëtarë, të cilët të gjithë sëbashku do të sjellin më të bukurën e folklorit tonë popullor. Duke folur për aktiven e Ansamblit Popullor drejtuesja Agolli tregon se gjatë këtij sezoni është zhvilluar një aktivitet i pasur artistik. Ansambli ka pasur shfaqje vërtetë të suksesshme, dhe këtu mund të përmend dy shfaqjet e fundit, recitalin e valltarit të talentuar Gëzim Alimehmeti dhe aq më tepër që ishte dhe pjesëmarrja e Ansamblit Shota të Kosovës. Ishte një ide e përhershme e jona realizmi i këtij koncerti, të cilin ne e realizuam me anë të këtij bashkëpunimi dhe e sollëm me anë të këtij recitali. Për mua ky është një kërcimtar i lindur i talentuar dhe e njoh që të vogël në shkollë, dhe vërtetë ka cilësi maksimale si valltar. Ndërkohë që kemi bërë një koncert me Alfons Balliçin me krijimtari nga treva Elbasanit. Por para disa ditësh ne bëmë dhe një koncert tjetër në hollin e TKOB, duke marrë disa pjesë nga recitali i Balliçit si dhe disa numra të tjerë nga kënga tiranase. Doli një koncert i këndshëm, vijon të tregojë për aktivitetin e Ansamblit drejtuesja Agolli. Sipas saj në Ansamblin Popullor është synuar që të vijë pranë publikut krijimtaria më e mirë popullore. Synimi im kryesor është që në skenën e Ansamblit të vijë kënga popullore më e mirë që ka dhe fabulën, ka dhe trevën e saj. Kënga që ka karakterin e trevës dhe këtë jo të gjithë këngëtarët e bëjnë . Në rastin e Eli Farës kënga popullore është sjellë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për këtë i gëzohem koncertit të datës 4 qershor, vijon të tregojë Agolli.
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore
Është krijuar si ansambël profesionist në vitin 1957, me të gjithë komponentët artistikë dhe teknike të një trupe artistike. Ky ansambël përbëhet nga solistë, grupi i valleve, kompleksi vokal dhe orkestrina. Aktiviteti i tij artistik qëndron në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë së lashtë e bashkëkohore, duke përfshirë një pasuri të madhe muzikore, instrumentale e koreografike, të krahinave popullore që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar kështu një harmoni të madhe motivesh. Folku shqiptar shquhet nga ai i vendeve të tjera për origjinalitetin, lashtësinë si dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Shqipëria ka shumë zona etnografike, ku secila ka veçantitë e saj në kostume, këngë, valle, rite, zakone, doke, të cilat edhe brenda një zone kanë origjinalitet të ndryshëm. Ansambli, prej dekadash, është kthyer në një laborator për përpunimin dhe ekzekutimin me kërkesa të larta artistike të këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton brez pas brezi. Ansambli është pjesëmarrës i dhjetëra Festivaleve Ndërkombëtare, Kontinentale dhe Ndërkontinentale, ku me repertorin dhe elementët interpretues, me virtuozitetin e valltarëve, vokalin e këngëtarëve dhe orkestrinën e tij, ka bërë që të jetë një nga Ansamblet më të kërkuara sot në botë.