Në Korçë s'ka ambiente për femrat dhe të miturit
Dobjani
TIRANE- Një dhomë e vetme, për të shoqëruarit është e pamjaftueshme, për fëmijët të rriturit e më tej dhe femrat në ambientet e policisë së komisariatit të Korçës. Ky konstatim është bërë nga Avokati i Popullit gjatë një inspektimi të kryer në ambientet policisë së këtij qyteti, duke ngritur shqetësimin e kushteve jo të mira për të shoqëruarit. Në të vetmen dhomë shoqërimi që ka Komisariati i Korçës, sipas eksperteve të Avokatit të Popullit, mungojnë kushtet më elementare, për të drejtat e të shoqëruarave apo të ndaluarve. Mungon ndriçimi dhe ajrosja dhe higjiena. Lagështira është e tepërt, duke e bërë këtë dhomë të pa përshtatshme për të qëndruar personat me të cilët do të punojë policia. E njëjta gjendje është konstatuar edhe në dhomat e sigurisë ku qëndrojnë të ndaluarit dhe të arrestuarit nga policia, që në fakt janë pjesë e paraburgimit. Ndërkaq komisionerët e Avokatit të Popullit, kanë vërejtur edhe mungesën e një dhome të veçantë për të miturit dhe femrat. Në mungesë të këtyre ambientëve, të miturit e arrestuar në disa raste janë mbajtur së bashku me të arrestuarit madhorë duke shkelur ligjin "Për Policinë e Shtetit". Ndërkohë veprimet për të miturit janë kryer në zyrat e punonjësve të policisë, ndërsa femrat janë mbajtur në korridor ose në zyrat e oficerëve të policisë gjyqësore. Për këto probleme të vërejtura, Dobjani, iu është drejtuar Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani dhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Dobjani iu ka kërkuar, krerëve të policisë marrjen e masave urgjente për të përmirësuar kushtet në Komisariatin e Korçës, duke krijuar ambjente të dhomave të sigurisë dhe shoqërimit, si dhe ndarjen e tyre për persona të mitur dhe femra. Në rekomandimet e institucionit që mbron të drejtat e shtetasve, drejtuar krerëve të policisë, përfshihet dhe hapja e rubrikës së njoftimëve të familjarëve dhe avokatëve mbrojtës të personave të shoqëruar apo arrestuar
Arrestimi
Fshehu armën në tualet, prangoset i riu
TIRANE- Policia gjen një pistoletë të braktisur në tualetin e një lokali në kryeqytet, ndalohet një i ri i dyshuar si posedues i saj. Andi Rajta, 28 vjeç, nga Dibra, është arrestuar nga policia e kryeqytetit me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve. Sipas burimeve të policisë ai është ndaluar si posedues i dyshuar i një arme pistoletë "TT", model 54. Sipas burimeve të policisë, arma është kapur në tualetin e një lokali nga patrullat e komisariatit nr.3, ndërsa si të dyshuar blutë kanë ndaluar Rajtën. Burime nga policia thanë se rreth orës 22:00 të së dielës, Rajta po qëndronte te një lokal bar-kafe në sheshin "Rilindja" në Tiranë. Sapo ai ka vënë re që afroheshin punonjësit e policisë, ka shkuar menjëherë në tualetin e lokalit ndërsa me forcë ka hapur derën. Në tentativë për të fshehur armën ai ka thyer lavamanin e tualetit duke shkaktuar jo pak rrëmujë. Blutë kanë gjetur armën e fshehur në tualet, ndërsa kanë ndaluar si të dyshuar personin e fundit që ishte futur në tualet. "Nuk është pistoleta ime, nuk kisha armë me vete", mësohet të ketë thënë para oficerëve të policisë Andi Rajta. Ndërkohë që ai ka pohuar para punonjësve të policisë se ndodhej në Tiranë për të takuar disa të afërm të tij. Por pavarësisht deklaratës së 28-vjeçarit policia i ka komunikuar atij arrestin në flagrancë për "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake" dhe "shkatërrimit të pronës". Në cilësinë e provës materiale blutë sekuestruan armën pistoletë model 54 dhe një krehër me shtatë fishekë.