E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiri i Lalëzit, 140 familje kërkojnë pronën

DURRËS/ Banorë të Ishmit kanë protestuar para prefekturës duke denoncuar abuzimet me pronat e tyre

DURRËS - Bllokimi i dhënies së certifikatave të pronësisë mbi tokat e tyre në Gjirin e Lalëzit ka qenë shkak i një proteste të banorëve të Ishmit para prefekturës së Durrësit. Ata kërkuan që të zgjidhen hallet e tyre me drejtësi dhe që t'i pritet rruga njëherë e mirë korrupsionit me pronat e tyre të ligjshme. Banorët janë shprehur të indinjuar se janë privatizuar e shitur këto ditë deri pjesë të kënetave e lagunave të zonës turistike, që kanë qenë tradicionalisht toka shtetërore, ndërsa për tokat që u takojnë me ligj, ata janë bllokuar për të marrë qoftë edhe një certifikatë pronësie.


Protesta

Një prej përfaqësuesve të banorëve të komunës së Ishmit, Veli Mezini, thotë se ata kanë zbritur gjer në Durrës për të zgjidhur njëherë e mirë këtë problem që po zgjat prej kohësh dhe që i zhvesh ata nga çdo e drejtë që kanë realisht si pronarë. Veliu thotë se personat që kanë ardhur para Prefekturës janë përfaqësuesit e 140 familjeve ishmake të cilave u janë bllokuar tokat sipas dosjes "Lalzi 5" në Hipotekë. Sipas tij bëhet fjalë për rreth 980 dynymë tokë. Fshatarët e zonës janë revoltuar dhe duke parë skandalet e shpërthyera kohët e fundit në zonat turistike, si në Jalë e në Plazhin e Gjeneralit dhe kanë shprehur hapur frikën se me tokat që u janë bllokuar, mund të inskenohen skenarë të ngjashëm. Banorët thonë se toka e shpërndarë me ligjin 7501 në vitet '90 u është bllokuar nga zyra e regjistrimit të pasurive në Durrës duke lënë vend për shumë abuzime dhe korrupsion. Ata kanë përfituar tokë nga ky ligj, i cili u dha të drejtën e përfitimit sipas frymëve. Por pavarësisht se janë të pajisur me certifikatat e pronësisë, këto nuk u njihen nga hipoteka e Durrësit. Sipas banorëve, toka e fshatit të tyre gjendet në një nga zonat turistike, ku edhe abuzimet janë shumë të mëdha. Ata iu kanë kërkuar institucioneve të zbardhin të gjitha aferat dhe korrupsionin që është bërë në emër të tyre.


Mbështetja


Edhe kryetari i kësaj komune, Gëzim Ylli, ka qenë në krah të fshatarëve të dëmtuar. Ai deklaron për gazetën "Shekulli" se banorët kanë plotësisht të drejtë dhe se ai i mbështet ata si institucion i kësaj komune. Gëzim Ylli thekson se procesi i rregullt i përditësimit topografik të tokave në këtë zonë turistike ka përfunduar që në vitin 1996. Por hipoteka ka bllokuar tapitë e certifikatat, megjithëse Zyra Qendrore në dokumentacionin e verifikuar prej saj ka deklaruar se regjistrimi i këtyre pronave është normal dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi.
Premtimi

Pas takimeve me përfaqësinë e protestuesve në prefekturën e Durrësit është ngritur një komision për verifikimin e të gjithë tapive të shpërndara nga komisionet e tokave në komuna dhe bashki. Prefekti i Durrësit, Klodjan Pajuni, deklaron se po shqyrtohen ankesat e mbërritura që janë mbi 90 të tilla dhe përfshijnë një zonë të gjerë. Për banorët e Ishmit, një prej zonave më të lakmuara për turizëm si pasojë e pozitës gjeografike në një bregdet të pasur turistik, titullari i prefekturës së Durrësit deklaron se është qarku institucioni i cili nuk i ka regjistruar këto prona e për pasojë nuk përjashtohen edhe abuzimet e mëdha në këtë zonë. Megjithatë, prefekti Pajuni bën me dije se do të verifikohen të gjitha tapitë e banorëve protestues. Në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit janë dhënë disa leje për ndërtimin e fshatrave turistikë në kundërshtim të tyre kanë dalë banorët e zonës të cilët prej vitesh kanë denoncuar shitblerje të paligjshme tokash.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›