E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet më 11 vjet burg një disident kinez

Një gjykatë në Kinë ka dënuar sot më 11 burg një disident të njohur-dënimi ky më i rëndë i shprehur deri me tani nën akuzat për subverzion, kanë deklaruar grupet për të drejta të njeriut, duke shtuar se ky dënim sinjalizon se qeveria kineze do të ketë një qëndrim edhe më të ashpër kundër aktivistëve gjatë viteve në vijim.

Dënimi i Liu Xiaobosë, i cili ka kërkuar reforma të shpejta politike dhe fundin e dominimit të Partisë Komuniste, u dënua edhe nga bashkësia ndërkombëtare, me SHBA-në e cila theksoi se ky dënim bie ndesh me të gjitha normat ndërkombëtare.

Liu ka qenë bashkë-autor i së ashtuquajturës Karta 08, në të cilin është bërë një thirrje e drejtpërdrejtë për liberalizimin e Kinës.

Ai u arrestua, para publikimit të këtij dokumenti në dhjetor të vitit të kaluar. Më shumë se 300 persona, përfshirë këtu edhe disa prej intelektualëve më të njohur të Kinës, e kanë nënshkruar këtë dokument.

Dënimi u shpreh sot, pas procesit dyorësh kundër Liut që u zhvillua të mërkurën, gjatë së cilit ai nga prokurorët u akuzua për krime serioze.

SHBA-ja dhe BE-ja në vazhdimësi kanë kërkuar nga Kina që të lirojë Liun. “Jemi tejet të brengosur për shkak të këtij dënimi. Përndjekja e individëve, për shkak të shprehjes paqësore të bindjeve të tyre politike, bie ndesh me normat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, deklaroi Gregory May, sekretari i parë i ambasadës amerikane në Pekin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›