Sauditët konfirmojnë praninë e bijës së Bin Ladenit në Teheran
Ambasada e Arabisë Saudite në Teheran ka informuar autoritetet iraniane se njëra nga të bijat e shefit të Al Qaidës, Osama Bin Ladenit, gjendet në ambasadën saudite në Teheran dhe se ka kërkuar largimin nga ky vend, njoftoi Ministri i Jashtëm i Iranit.
Manouchehr Mottaki këtë deklaratë e bëri pasi që gazeta britanike, Times, njoftoi se disa nga të afërmit më të ngushtë të Bin Ladenit, përfshirë këtu edhe fëmijët e tij, jetojnë në një kompleks të fshehtë në Iran.
Njëra prej vajzave të tij, e quajtur Iman, ka arritur të arratiset gjatë një shëtitje të rrallë jashtë kompleksit dhe ka arritur të shkojë deri te ambasada e Arabisë Saudite, kishte njoftuar Times. Ajo tani është duke jetuar aty dhe ka kërkuar leje që të largohet nga Irani, shtoi kjo gazetë.
“Jemi njoftuar nga ambasada e Arabisë Saudite se njëra nga vajzat e Bin Ladenit është në ambasadën saudite në Teheran. Nuk e dimë se si ka hyrë ky individ në ambasadën saudite dhe në Iran. Ne ende kemi paqartësi për identitetin e saj të vërtetë. Pas përcaktimit të identitetit të saj, ajo do të jetë në gjendje që të largohet nga Irani”, tha Mottaki.
Mottaki nuk ju referuar të afërmve të tjerë të Bin Ladenit, të cilët jetojnë në Iran.
The Times theksoi se në mesin e të afërmve të Bin Ladenit, të cilët jetojnë në Iran, janë edhe një bashkëshorte dhe fëmijët e tij, të cilët u zhdukën nga kampi i Bin Ladenit në Afganistan, para sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër SHBA-së.