Rusia me raketa të reja bërthamore
Në mes të negociatave për reduktim të arsenalit bërthamor me SHBA-në, presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, paralajmëroi zhvillimin e raketave të reja bërthamore nga ana e vendit të tij.
“Pa këto armë është e pamundur që të mbrohet vendi”, tha Medvedev të enjten në mbrëmje, gjatë intervistës së drejtpërdrejtë televizive, me rastin e festave të fundvitit.
Megjithatë, ai shprehu gjithashtu bindjen se vendi i tij dhe SHBA-ja do të arrijnë pajtimin për marrëveshjen e re, për reduktimin e armëve bërthamore.
“Negociatat kanë përparuar mjaft, por megjithatë bëhet fjalë për një temë mjaft të vështirë”, tha Medvedev.
Rusia dhe SHBA-ja ka tashmë disa javë që po zhvillojnë negociata, për arritjen e një marrëveshje të re, e cila do të zëvendësonte marrëveshjen START, të nënshkruar në vitin 1991. Marrëveshja START ka skaduar më 5 dhjetor. Presidenti amerikan, Barack Obama dhe Medvedev qysh në prill kishin arritur pajtimin për të filluar negociatat për marrëveshjen e re.