E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria, rifton qytetarët të aplikojnë për karta

08/07/2009  Liberalizimi i vizave

TIRANE- Edhe pse zgjedhjet e 28 qershorit kanë përfunduar ka një javë e gjysmë, Ministria e Brendshme vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve shqiptarë që të paraqiten pranë bashkive dhe komunave, dhe të aplikojnë për t’u pajisur me letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Deklarata është bërë ditën e djeshme nga zëdhënësi i kësaj ministrie Klodian Branko, i cili u ka ribërë edhe njëherë apel personave që ende s’kanë aplikuar për t’u pajisur me dokumentet përkatëse. “Pas përfundimit me sukses të procesit të pajisjes me letërnjoftimin elektronik të qytetarëve që nuk dispononin një pasaportë, një proces ky në funksion të zgjedhjeve parlamentare, Ministria e Brendshme i bën thirrje të gjithë qytetarëve që nuk kanë aplikuar deri më tani për letërnjoftimin elektronik të paraqiten pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me kartën e identitetit dhe pasaportën biometrike. Pajisja me kartën e identitetit është e domosdoshme që çdo qytetar të përfitojë shërbimet dhe realizojë marrëdhëniet me institucionet publike dhe ato private”,- është shprehur zëdhënësi i ministrisë Klodian Branko. Sipas tij, tashmë i vetmi dokument identifikimi do të jetë letërnjoftimi elektronik. Pajisja me pasaportën biometrike bëhet në të njëjtën procedurë dhe në të njëjtën zyrë aplikimi. Disponimi i një pasaporte biometrike është një nga kushtet themelore të përfitimit të liberalizimit të vizave. Nga procesi i liberalizimit të vizave do të përfitojnë vetëm qytetarët që do të jenë të pajisur me pasaportën biometrike. Duke vazhduar të garantohet kapacitetet e plota për aplikim, MB i kërkon gjithë qytetarëve t’i drejtohen zyrave përkatëse për t’u pajisur me këto dokumente të standardeve të larta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›