Dënohet me 25 vjet burg krahu i djathtë i Aldo Bares
DONDOLLAKU
Numri dy i bandës së Lushnjes është cilësuar fajtor për katër vrasje dhe disa krime të tjera. Ai pranoi gjykimin e shkurtuar dhe për herë të dytë i shpëtoi burgimit të përjetshëm
TIRANË- Numri dy i bandës së Aldo Bares, Enver Dondollaku, është dënuar dje nga gjykata me 25 vjet burgim duke u shpallur fajtor për katër vrasje dhe disa krime të tjera. Por falë legjislacionit penal, ai i shpëtoi për të dytën herë dënimit maksimal me burgim të përjetshëm.
Vetë i pandehuri kishte kërkuar gjykim të shkurtuar dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda iu desh vetëm një orë kohë për të dëgjuar konkluzionet e prokurorisë, pretendimet e mbrojtjes dhe më pas të japë vendimin.
Sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Luan Hasneziri, i pandehuri Enver Dondollaku u shpall fajtor dhe u dënua me "burgim të përjetshëm" për vrasjen e katër personave, dy vrasjeve të mbetur në tentative, një vjedhjeje me dhunë, një djegie banese dhe armëmbajtje pa leje, të gjitha këto si pjesëtar i "bandës" dhe për llogari të saj.
Por, falë pranimit të kërkesës së avokatit mbrojtës, Vladimir Meçe nga gjykata, për shqyrtimin e kësaj dosjeje penale në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ku të dënuarit i ulet automatikisht 1\3 e dënimit, sipas vendimit të Gjykatës, përfundimisht i pandehuri Dondollaku duhet të vuajë 25 vjet burg.
Edhe prokurori i çështjes Gentian Trenova, në leximin e konkluzioneve përfundimtare kërkoi nga gjykata dënimin e të pandehurit me burgim të përjetshëm. Ndërsa, avokati mbrojtës gjatë fjalës së tij në leximin e pretendimeve përfundimtare, kërkoi nga gjykata drejtësi dhe të deklarojë të pafajshëm klientin e tij, pasi akuzat ishin të montuara dhe të stisura nga organi i akuzës.
Sipas vendimit të togave të zeza, i pandehuri Dondollaku njihej si krahu i djathtë i Aldo Bares i arrestuar në Turqi dhe shok i ngushtë me vëllanë e të pandehurit, Ramadan Shkurtin, të vrarë në korrik 1997 nga Artur Daja. Pas kësaj vrasjeje, i pandehuri Dondollaku është bashkuar me Aldo Baren me qëllim hakmarrjen ndaj shtetasit Artur Daja dhe shokëve, miqve e të afërmve të tij, duke formuar kështu bandën e Lushnjës.
Në kuadër të kësaj bande, i pandehuri Dondollaku, nën urdhrat e Aldo Bares dhe në bashkëpunim me shokët e tij tashmë të pandehur në këtë gjykatë, kanë filluar hakmarrjen me vrasjen e shtetasit shqiptaro-maqedonas Xhevat Demiri më 3 gusht 1997, në hyrje të qytetit të Lushnjes.
Në këtë vrasje, sipas vendimit, kanë marrë pjesë të pandehurit: Aldo Bare, Enver Dondollaku, Ilir Stërgu, Afrim Hoxha e në rolin e shoferit të makinës Arben Boriçi, të gjithë me maska në kokë.
Gjashtë muaj më vonë, pikërisht me 13 shkurt 1998 anëtarët e bandës të drejtuar nga Aldo Bare, Arben Boriçi, Ilir Stërgu dhe i pandehuri Enver Dondollaku i kanë zënë pritë makinës të tipit "Tojota" me targa "FR 8079 A", ku po udhëtonin shokët e Artur Dajës, shtetasi Nimet Zeneli, Masar Aliu dhe Gramoz Selmani duke i qëlluar me automatik.
Për pasojë të këtyre të shtënave, ka mbetur i vrarë Nimet Zeneli ndërsa janë larguar të plagosur Gramoz Selmani dhe Masar Aliu. Por, ky i fundit, nëntë ditë më vonë, pikërisht, më 22 shkurt 1998, vritet nga të pandehurit Enver Dondollaku, Ilir Stërgu dhe Arben Boriçi në një pritë në rrugën Kolonjë-Bitaj të rrethit të Lushnjës.
Po atë ditë, vritet nga këta të pandehur edhe shtetasi Idajet Beqiri i cili ndodhej rastësisht në makinën e Masar Aliut duke shkuar në një varrim.
I pandehuri Dondollaku në bashkëpunim me shokët e tij, në gusht të 1998, pas një atentati të dështuar ndaj "shefit" të tyre Aldo Bare, shkon në banesën e shtetasit Shkëlqim Haxhiut pasi dyshon se makina nga e cila kishin qëlluar në drejtim të Bares ishte e tija. Në banesë të zotin e shtëpisë nuk e kanë gjetur dhe në shenjë hakmarrjeje ata i kanë vënë flakën banesës duke e djegur dhe më pas janë larguar.
Gjithashtu, pas kësaj djegieje në vitin 2000 i pandehuri Dondollaku bashkë me shokët e tij kanë kryer vjedhjen me dhunë të shtetasit Baki Taullai, i vrarë më 5 korrik 2005 në qendër të Lushnjës nga Leonard Prifti (edhe ky i fundit është vrarë po atë ditë nga familja e Taullait).
Të gjitha këto krime, i pandehuri Dondollaku i ka kryer duke mos pasur asnjë konflikt të tij personal me viktimat, por të gjitha për llogari të "bandës" së Lushnjës të drejtuar nga Aldo Bare.
Dënimi për vrasjen e Klenti Banos
TIRANË- Enver Dondollaku ka mundur që t'i shpëtojë edhe më parë burgimit të përjetshëm teksa u gjykua dhe dënuar për vrasjen e ish-shefit të krimeve në Lushnje, Klenti Bano.
Ai ka shpëtuar falë legjislacionit shqiptar të pranimit të gjykimit në aplikim të procedurave të shkurtuara.
Kështu togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, në dhjetor 2007, pas veçimit të dosjes së Dondollakut nga të pandehurit e dënuar tashmë Maksim Çela, Dritan Vila, Erion Cici dhe Petrit Liçi, kanë vendosur dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
Por, edhe në këtë rast i pandehuri ishte treguar i zgjuar, duke kërkuar me anë të avokatit shqyrtimin e dosjes në aplikim të gjykimit të shkurtuar që i uli automatikisht 1\3 e kohës, duke e dënuar përfundimisht me 25 vjet burg.
Pritet në ditët në vazhdim, që ky vendim të marrë formën e prerë dhe ndaj të pandehurit Dondollaku të shqyrtohet kërkesa penale për bashkimin e dënimeve, ku përfundimisht do të jetë i detyruar të vuajë në Shqipëri 25 vjet burg.
Sipas vendimit të 26 dhjetorit 2007, i pandehuri Dondollaku në bashkëpunim me të pandehurit: Maksim Çela, Dritan Vila, Erion Cici dhe Petrit Liçi, ka marrë pjesë në tre vrasje, ndërsa, bashkë me të pandehurin Leonard Prifti ka kryer ekzekutimin e ish-shefit të krimeve në Lushnje, Klenti Bano.
--------------------------------------------------------------------------------------------------
Dondollaku i dënuar në Itali me 16 vjet burg
TIRANË- Njeriu i konsideruar si krahu i djathtë i Aldo Bares, i pandehuri Enver Dondollaku, është shpallur fajtor për një sërë akuzash edhe në shtetin fqinjë Itali, ku përfundimisht është dënuar me 16 vjet burg.
Ky vendim i togave të zeza të Gjykatës së Torinos është dhënë më 26 prill 2007, pas një procesi të gjatë gjyqësor ku i pandehuri Dondollaku bashkë me 27 të pandehur të tjerë është gjykuar për veprat penale të "trafikimit të lëndëve narkotike" në bashkëpunim dhe krijimit të organizatave kriminale.
Enver Dondollaku, sipas vendimit të gjykatës, është arrestuar në vitin 2006 në Spanjë me një pasaportë sllovake ku është deportuar në Itali, për llogari të Prokurorisë së Torinos.
Sipas hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Dondollaku bënte pjesë në një organizatë kriminale të trafikut të drogës që vinte nga Turqia, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri (Kosovë), Itali, më pas Çeki, Gjermani e Holandë.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2001, Gjykata e Apelit në Durrës, me kërkesë të prokurorisë dhe pas shqyrtimit të provave materiale ka vendosur të deklarojë fajtor të pandehurin Dondollaku duke e dënuar përfundimisht me pesë vjet burg, për kryerjen e veprës penale të "heqjes së paligjshme të lirisë".
AKUZAT
Enver Dondollaku, i datëlindjes 15 mars 1975, deklarohet fajtor për veprat penale të:
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Xhevat Demiri më 3 gusht 1997
"Vrasjes me paramendim" të shtetasit Nimet Zenelit më 13 shkurt 1998
"Vrasjes me paramendim", të mbetur në tentativë ndaj Gramoz Selmanit e Masar Aliut më 13.2.1998 "Vrasjes me paramendim" të shtetasit Masar Aliu më 22 shkurt 1998
"Vrasjes me dashje" të shtetasit Idajet Beqiri më 22 shkurt 1998
"Mbajtjes pa leje te armeve luftarake",
"Shkatërrimit të pronës me zjarr" të banesës së shtetasit Shkëlqim Haxhiu në gusht të 1998
"Pjesëmarrjes në organizatën kriminale"; dhe
"Kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale" si dhe
"Vjedhjes me dhunë", në dëm të shtetasit Baki Taullai (i vrarë në korrik 2005)