Topalli, takim me gratë, mbyllen zyrat e shtetit
ELBASAN- Kryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, ishte dje në Elbasan për të zhvilluar takimin e radhës me gratë e këtij qyteti, në pallatin "Tomor Sinani".
Ajo çfarë ka bërë më shumë përshtypje në këtë tubim ka qenë pjesëmarrja e lartë e mësueseve, infermiereve, por edhe nëpunëseve të sektorëve të ndryshëm të administratës.
Një mësuese letërsie thotë se në ditën e fundit të mësimit, u është kërkuar të marrin pjesë në takimin me Kryetaren e Kuvendit. Nuk kanë qenë vetëm mësuese, por edhe mjaft infermiere, që janë thirrur për të marrë pjesë në takimin e djeshëm. Ato kanë mbushur shkallët e pallatit të sportit. Një prej tyre, infermierja me iniciale A. D., tregon se ishte me detyrim pjesëmarrja.
"Ne jemi njoftuar nga shefat dhe na thanë se duhet të jemi",- tha ajo, pa dashur që të identifikohet me emrin e plotë, për shkak të ndonjë sanksioni që mund të merret ndaj saj. Edhe drejtuese të institucioneve të tjera kanë pasur mungesa dje në punë.
Ato janë lënë të lira në një ditë pune zyrtare, vetëm me qëllimin e vetëm, që ato të jenë pjesëmarrëse në takimin e zhvilluar nga Kryetarja e Kuvendit.
Ndërkohë, autobusë luksozë me targa të Tiranës kanë parkuar në kryqëzimin "1 Maji", duke zbritur gra dhe vajza, që nuk ishin të këtij qyteti. Pas këtij organizimi, takimi është përcaktuar me mjaft pjesëmarrje, ndërsa Topalli ka kërkuar votën për PD-në në zgjedhjet e 28 qershorit.