E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, dorëzohet 19-vjeçari i kërkuar për plagosjen e një polici

Dorëzohet në polici plagosësi i policit, blutë në kërkim të armës së flakur në lumë. I riu nga Durrësi është prezantuar në polici bashkë me të atin dhe kanë kërkuar që të dorëzohen te drejtori i Policisë së Qarkut, Ilia Nasi, për t‘i dhënë fund arratisë. Dje, në orën 13:55, 19-vjeçari Armando Lama është dorëzuar në polici, pasi kërkohej për plagosjen e policit dibran Vlash Ashiku dhe shokut të tij, Shehad Muda, në një lokal të qytetit bregdetar. Gjatë kësaj kohe, Lama ka qenë i fshehur në zonën e Tregut të Makinave në Shënavlash. Ndërkaq i dorëzuari ka treguar dhe se ku e ka hedhur armën e krimit. Uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendin e treguar për të nisur kërkimet për gjetjen e pistoletës. Ai e ka hedhur armën e zjarrit në lumin Erzen, menjëherë pasi është larguar nga vendi i ngjarjes për t‘iu shmangur shërbimeve të policisë dhe prangosjes prej tyre. Arma është hedhur në rrugën e vjetër që lidh superstradën Durrës-Tiranë në zonën e Sukthit me Shijakun. 19-vjeçari, në bashkëpunim me dy shokët e tij të arrestuar më parë, ka tentuar të vrasë kamerierin e lokalit Ermal Tuka, por ndërhyrja e policit ka shmangur krimin e paramenduar. Një ditë pas ngjarjes, u arrestuan Alban Mançja dhe Amarildo Gjeka, përkatësisht 24 dhe 23 vjeç, pasi u konsideruan bashkëpunëtorë të Lamës. Pas një konflikti për motive të dobëta, ata tentuan të vrasin Tukën, kamerier në lokalin e Aleksandër H. Në gjendje të dehur, Armando Lama pas sherrit me kamerierin, është larguar nga lokali për t‘u rikthyer i armatosur, bashkë me shokët dhe sapo është futur në ambientet e brendshme të tij, ka mbushur armën duke e drejtuar mbi kamerierin. Duke qenë klient në lokal, ndonëse jashtë shërbimit, Vlash Ashiku, punonjës policie në Komisariatin e Peshkopisë, ka ndërhyrë për të neutralizuar autorin. Ai ka tërhequr këmbëzën e armës e për pasojë mbetet i plagosur bashkë me shokun e tij Shehad Muda, të cilët janë dërguar pas ngjarjes për ndihmë në spitalin rajonal të Durrësit. Mbi 19-vjeçarin rëndojnë akuzat e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake. Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy gëzhoja model 54 të kalibrit 7.62 mm, ndërsa po kërkohet pistoleta e hedhur në lumë, si prova kryesore e ngjarjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›