AKEP: Pse dështoi tenderi i celularit të katërt
"Tenderi dështoi pasi pas skualifikimit të njërës kompani, mungonte konkurrenca për licencën"
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i dërgoi Olldashit letër ku i kërkonte rekomandime
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i ka dërguar një muaj më parë një letër ministrit Olldashi ku e informon mbi shkaqet që çuan në dështimin e tenderit për operatorin e katërt celular dhe kërkon nga ai rekomandime për procedurat që mund të ndiqeshin më tej.
Në letrën prej pesë faqesh AKEP, si autoritet përgjegjës për mbikëqyrjen dhe licencimin e operatorëve në fushën e komunikacionit shpjegon të gjithë hapat e ndjekur që nga momenti i shpalljes së tenderit në mediat vendëse dhe ndërkombëtare, deri në momentin e ndërprerjes së procedurave për shkak të mungesës së konkurrencës.
Sipas AKEP-së, procesi i përzgjedhjes vazhdon kur ka më shumë se dy ofertues, në të kundërt, procedura ndërpritet për të filluar një e re. Pas dështimit të procedurave të tenderit për operatorin e katërt të telefonisë së lëvizshme, ministri Olldashi ka propozuar një projektligj të miratuar në qeveri për dhënien e licencës konsorciumit shqiptar të përfaqësuar nga PTK sh.a.
Procedurat
Tenderi për hapjen e ofertave ishte përcaktuar të zhvillohej më 23 janar të këtij viti, por ai u shty për datën 20 shkurt. Në letër shkruhet se në përfundim të këtij afati u dorëzuan tre oferta përkatësisht subjektet "Tele 2". "Univers PG" dhe Postë Telekomunikacioni i Kosovës" sh.a.
Sipas AEKP-së, përfaqësuesi i "Tele 2" deklaroi gjatë hapjes së ofertave se dokumentacioni në zarf nuk kishte ofertë, por vetëm një shprehje interesimi për pjesëmarrje në tender, nëse në të ardhmen do të kishte procedura të tjera. Komisioni i vlerësimit të ofertave nuk e ka pranuar si ofertë dhe gara ka vazhduar mes dy kompanive të tjera.
"Në përfundim të leximit të ofertës së paraqitur nga "PTK & Bashkimi i Investitorëve", përfaqësuesi i autorizuar i ofertuesit "Univers PG", parashtroi verbalisht një objeksion kundra ofertës së paraqitur nga PTK & Bashkimi i Investitorëve", duke pretenduar konflikt interesi midis njërit prej subjekteve palë në marrëveshjen e investitorëve dhe kërkesave të përcaktuara në VKM nr. 1252 dhe DT",- thuhet në letrën dërguar ministrit të Telekomunikacioneve.
Skualifikimi
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka shpjeguar arsyet pse ka skualifikuar nga gara kompaninë "Univers PG", e cila ka paraqitur një ofertë prej 160 fletësh dhe çmim prej pesë milionë eurosh.
Mangësitë në dokumentacionin e kërkuar kanë qenë arsyet e skualifikimit të kësaj kompanie nga tenderi për licencën e katërt celulare. Sipas AKEP-it, nga shqyrtimi i ofertës së kësaj kompanie rezultoi se dokumentacioni në përbërje të ofertës kishte mospërputhje me specifikimet e përcaktuara në dokumentet e tenderit, si dhe mangësi në paraqitjen e dokumentacionit kualifikues të kërkuar në to.
"Komisioni i Vlerësimit të Ofertave nuk e pranon një ofertë kur oferta e tij nuk përputhet me secifikimet e përcaktuara në dokumentet e tenderit dhe kur oferta nuk është e shoqëruar me gjithë dokumentacionin përkatës të kërkuar në këto dokumente",- thuhet në letër. Pas skualifikimit nga tenderi, AEKP-ja thotë se ky subjekt nuk ka depozituar ankimim pranë saj.
"Për të vazhduar procesin e përzgjedhjes së fituesit në vijim të procedurës së tenderit duhet që numri i ofertave të vlefshme të jetë jo më i vogël se dy, në të kundërt, ndërpritet procedura dhe fillon një e re",- citohet në letrën e AKEP-së dërguar ministrit Olldashi.
Komisioni i vlerësimit të ofertave pas kësaj ka vendosur të mos vijojë më tej me vlerësimin e ofertës së "PTK & Bashkimi i Investitorëve" dhe të ndërpresë procedurën. Ky konsorcium ka dorëzuar një ofertë prej 719 faqesh dhe një çmim prej 7.2 milionë eurosh.
Pas kësaj, ky autoritet i ka kërkuar ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, të japë vlerësimet dhe rekomandimet e tij për hedhjen e hapave të mëtejshëm nga ana e AKEP-së.