Nishani: Kartat s'falsifikohen, nuk ka nevojë për aparat
Ministria e Brendshme nuk i jep PS-së databasen e plotë të të dhënave të qytetarëve. "Është shkelje e të drejtave të njeriut"
TIRANË- Kundrejt shqetësimit të opozitës, që është i bazuar në disa fakte të publikuara në media se, një person disponon katër karta identiteti njëherësh, ka reaguar dje edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Përmes një deklarate për mediat, ministri i Brendshëm ka përjashtuar çdo mundësi të falsifikimit të kartave të identitetit. Në këtë mënyrë ai i ka kthyer përgjigje edhe letrës se PS-së, se nuk është e nevojshme pajisja e komisionerëve me aparate të posaçme, pavarësisht se partia më e madhe në opozitë, këtë kërkesë, ia kishte drejtuar KQZ-së. "Letërnjoftimi elektronik është i pafalsifikueshëm.
Çdo individ, i cili mund të tentojë të aplikojë dy herë, nuk ka shanse të marrë, dy herë dokumentin, sepse, vetë sistemi, që në momentin që individi aplikon për herë të dytë, e identifikon si një person që ka aplikuar për shkak të shenjës së gishtave dhe për shkak të parametrave biometrikë të fotografisë që është depozituar në sistem, përveç asaj që përmban karta. Askush nuk mundet dot të marrë dy herë një letërnjoftim", - tha Nishani.
Sipas ministrit të Brendshëm, elementët e sigurisë janë të verifikueshme me sy, pa qenë i nevojshëm instalimi i aparaturës së posaçme në qendrat e votimit. Në të njëjtën kohë, Nishani i ka kthyer përgjigje edhe shqetësimit të opozitës, që, sipas saj, Ministria e Brendshme ka servirur të dhëna të rreme lidhur me procesin e pajisjes së kartave të identitetit.
Sipas Mministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, PS-së i janë ofruar shifrat e aplikimeve dhe shtetasve pa pasaportë, por pa bërë publike identitetin e tyre, për arsye sigurie.
"Në lidhje me databasen e plotë të të dhënave për qytetarët të cilët kanë pasaportë, ne i jemi drejtuar komisionerit të mbrojtjes së të dhënave, i cili është një institucion i pavarur, dhe që, në mënyrë kategorike, na ka ndaluar të nxjerrim një bazë të tillë të dhënash dhe të përdoren jashtë institucioneve, që kanë përgjegjësi ligjore për ruajtjen e tyre.
PS-ja kërkon emrin, kërkon mbiemrin, kërkon mëmësinë, kërkon atësinë, kërkon datëlindjen, kërkon dhe numrin e pasaportës. Pra, çdo pretendim që do të kërkohet nga PS-ja, do të verifikohet dhe do t'i jepet një përgjigje",- tha Nishani.
Dy ditë më parë, sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami, deklaroi se do të hartohej një padi penale ndaj krerëve të Ministrisë së Brendshme lidhur me përgjigjet e deritanishme që kjo ministri kishte kthyer për procesin e pajisjes së kartave të identitetit.