E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet skandali i Vlorës, Flamurtari-Besa do riluhet

TIRANE-Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ka vendosur që ndeshja mes Flamurtarit dhe Besës të riluhet, për shkak se arbitri anuloi penalltinë pas presionit të drejtuesve vlonjatë. Vendimi është marrë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme dhe ka vendosur drejtësinë në vend, të paktën për nga mënyra sesi rrodhën ngjarjet në takimin e së dielës në Vlorë. Komisioni i Disiplinës ndërkohë ka fajësuar totalisht gjyqtarin e ndeshjes, Remzi Sa-dikun, si shkakta-rin e asaj që ndodhi në fushë. Në fakt, në rast se ai nuk do t'i ishte bindur presionit, atëherë askush nuk do t'i thoshte gjë përse e dha penallti dhe jo goditje këndi apo anasjelltas. Kësisoj, FSHF nëpërmjet organit të saj juridik, ka vendosur që takimi i zhvilluar të dielën dhe që përfundoi me fitoren 1-0 të Flamurtarit, të luhet sërish në datën 3 shkurt po në Vlorë. Ndërkohë, pika 2 e vendimit të mbrëmshëm thotë që klubi i Besës do të dënohet me 100 mijë lekë gjobë për shkak të sjelljeve anti-sportive të bëra nga futbollistët e saj në momentin e konfrontimit me gjyqtarin Remzi Sadiku. Në takimin Flamurtari-Besa, arbitri ndryshoi dy herë vendimin pas një prekje me dorë të mbrojtësit Grami të ekipit vlonjat. Në fillim ai dha goditje këndi, por pas konsultimit me anësorin vendosi për penallti. Më pas, në fushë hynë kryetari i bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika dhe shefi i klubit Geri çipi, që duke bërë presion e detyruan gjyqtarin e ndeshjes të ndryshonte vendimin nga penallti në goditje këndi. Ky skandal me rregullore përbën gabim teknik dhe takimi do të riluhet. Reagimet Përpara vendimit të mbrëmshëm, kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika pati deklaruar se do ta tërhiqte Flamurtarin nga kampionati në rast se Besës do t'i jepeshin 3 pikët në tavolinë apo do të urdhërohej riluajtja e ndeshjes në Tiranë. Por, pasi u mor vesh vendimi, që urdhëroi riluajtjen e takimit në stadiumin "Flamurtari" të Vlorës, Gjika është tërhequr nga ky kërcënim. "Duke qenë se unë nuk jam pronar, gjatë ditës së premte do të zhvillojmë një mbledhje me drejtuesit e tjerë dhe stafin dhe do të dalim në një qëndrim", tha ai, duke lënë të kuptohet heqjen dorë nga ideja e bojkotit. Ndërkohë, trajneri i Besës Shpëtim Duro tha se ky vendim ishte më e pakta që mund të bëhej. "Ky është një vendim i Komisionit të Disiplinës dhe na duhet të respektojmë, - tha ai. - Kjo është e pakta që mund të bëhet, pasi e panë të gjithë çfarë ndodhi. Gjithashtu pranoj se nga tifozët ne nuk kemi patur asnjë lloj presioni apo problemi". Ndërkohë presidenti i Besës Nexhat Bizhdili është shprehur përgjithësisht i kënaqur me vendimin, duke shprehur si rezervë të vetme faktin që do të riluhet në Vlorë. "Donim të luanim në një fushë tjetër, megjithatë nuk duam të bëjmë polemika dhe të prishim miqësinë me vlonjatët", deklaroi ai.(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›