E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vitin 2013, Shqipëria, me rrugë rurale krejtësisht të asfaltuara

“Shqipëria po ndryshon” - Berisha në Bërxullë, ripërsërit angazhimin për rritjen e pagave dhe të pensioneve në 1 korrik


“Brenda këtij mandati qeveria do finalizojë në një kohë rekord ndërtimin e Shqipërisë Evropiane”. Kështu u shpreh dje kryeministri i vendit Sali Berisha, gjatë turit të inaugurimeve, ku është ndalur në Bërxullë të Tiranës, ku mori pjesë në ceremoninë e demonstrimit të teknologjive të reja të ndërtimit të rrugëve rurale. Në fjalën e tij të rastit, Berisha deklaroi se në këtë mandat qeveria do finalizojë në një kohë rekord asfaltimin e 7 mijë km rrugë në mënyrë që Shqipëria në 2013-n Shqipëria të jetë një vend tërësisht Evropian. “Në përpjekjet e qeverisë sonë për të ndërtuar rrugët kudo që janë në këtë vend përdorimi i kësaj teknologjie hap një kapitull të ri në kohën më të përshtatshme. Gjatë katër viteve të shkuara ne asfaltuam, ndërtuam dhe rindërtuam 6000 kilometra rrugë. Por Shqipëria është një vend i vogël me rrugët më të gjata. Janë për tu ndërtuar e asfaltuar edhe 7000 kilometra rrugë të tjera. Kjo teknologji na jep ne siguri të plotë se në këtë mandat ne finalizojmë në një kohë rekord asfaltimin, ndërtimin dhe rindërtimin e 7000 kilometrave rrugë, në mënyrë që Shqipëria në vitin 2013 të jetë një vend tërësisht evropian, të jetë një vend thellësisht evropian, të jetë një Shqipëri evropiane për sa i përket infrastrukturës së saj moderne rrugore”, u shpreh kryeministri. Sipas kryeministrit teknologjia që do aplikohet jep garanci të plotë për të përmbushur premtimet. Kreu i qeverisë përsëriti gjatë këtyre 3 viteve do të asfaltohet çdo rrugë rurale dhe do bëhet që çdo fshat i këtij vendi, kudo që pozicionohet, të lidhet me qendrën e komunës për 20 - 30 minuta dhe çdo qendër komune, kudo që ndodhet, të lidhet me rrugët kombëtare me një afat kohor prej 20 - 30 minutash. Duke iu referuar situatës ekonomike, kreu i qeverisë tha se Shqipëria është e vendosur të mbajë rritjen më të lartë të investimeve në botë. Sipas tij ekonomia shqiptare nuk është e bazuar në flluska, por në mundin dhe përkushtimin e shqiptarëve dhe në parimet e shëndosha si një dokument themelor. “Evropa, dhe më gjerë, sërish përballet me krizën dhe pasojat e saj. Natyrisht, në mënyrë të padiskutueshme, ato pasqyrohen edhe në ekonominë shqiptare, e cila është një ekonomi globale. Por nga ana tjetër, kjo ekonomi qëndron sot më mirë se çdo ekonomi tjetër në rajon dhe në Evropë. Pra vështirësitë sigurisht që pasqyrohen, por ekonomia shqiptare reziston, sepse ajo nuk është e bazuar në flluska, por është e bazuar kryekëput në mundin, djersën, përkushtimin tuaj, të dashur qytetarë. Ajo është e bazuar në parime të shëndosha, siç do të thoshte një dokument themelor i Bashkimit Evropian: Shqipëria rritjen e ka të bazuar në investime. Pra e ka të bazuar në lumenjtë e djersës, në projektet, në përkushtimin dhe në shtyllën kryesore të zhvillimit të vendit. Shqipëria është e vendosur të mbajë ritmin më të lartë të investimeve në Evropë, sepse ka nevojë jetike për tu ndërtuar dhe rindërtuar”, tha më tej Berisha. Kreu i ekzekutivit garantoi gjithashtu se ekonomia shqiptare garanton bindshëm rritjen e pagave dhe pensioneve, rritjen më të madhe që është njohur ndonjëherë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›