E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi i Enver Hoxhës për Hrushovin: “Ja ku ndaheni me Bashkimin Sovjetik”

Shqipëria, besnike e Deklaratave të Moskës dhe vijës marksiste-leniniste. Revizionistët po afrohen me imperializmin amerikan. Jugosllavët, një rrezik tjetër
Tërë thelbi i arsyetimeve revizioniste të Hrushovit do t’i largojë partitë komuniste e punëtore, proletariatin dhe masat punonjëse nga revolucioni, nga lufta e vendosur për përmbysjen e skllavërisë kapitaliste, dhe t’i hedhë ato në pasivitet, në pritje të krijimit të kushteve të favorshme për “kalimin paqësor” në socializëm. Në fjalimin e tij në Kongresin e 6-të të PSB-së gjermane, Nikita Hrushovi kërkoi të justifikojë konceptet e tij revizioniste mbi rrugën paqësore, duke përmendur në drejtim të PPSH-së se për këtë çështje ka folur edhe J. V .Stalini. Askush nuk dyshon për këtë sepse J. V. Stalini, si marksist-leninist i vërtetë, nuk mund të mos pranonte si një mundësi për kalimin në socializëm edhe rrugën paqësore. Kjo kurdoherë ka qenë dhe është e qartë për marksistë-leninistët.
Deklaratat e Moskës
Por e keqja qëndron pikërisht në faktin se një çështje të tillë të qartë Nikita Hrushovi e ngatërroi qëllimisht në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, duke e shpallur mundësinë e kalimit paqësor nga kapitalizmi në socializëm si zbulim duke e paraqitur atë si mundësinë më reale në kushtet e sotme, gjë që synonte të mbillte atë konfuzion që në të vërtetë është mbjellë në radhët e disa partive komuniste e punëtore motra. Duke ndjekur për këto çështje, në teori e në praktikë një vijë antimarksiste, grupi i Nikita Hrushovit dhe gjithë revizionistët modernë i kanë shkaktuar dhe i shkaktojnë dëme serioze lëvizjes komuniste, unitetit luftarak të saj dhe të partive të veçanta, luftës së popujve për paqe, liri, pavarësi kombëtare e socializëm. Duke ndjekur një rrugë të tillë, të ndryshme nga ajo që është përcaktuar bashkërisht nga përfaqësuesit e 81 partive komuniste e punëtore motra, ai ka vepruar dhe vepron në kundërshtim me porositë e Deklaratës së Moskës, ku theksohet: “Intervistat e lëvizjes komuniste kërkojnë zbatimin solidar nga çdo parti komuniste e vlerësimeve dhe konkluzioneve që kanë të bëjnë me detyrat e përgjithshme të luftës kundër imperializmit për paqen, demokracinë e socializmin, të cilat janë përpunuar bashkërisht nga partitë motra në mbrëmjet e tyre”. Partia e Punës e Shqipërisë për të gjitha çështjet e zhvillimit të sotëm botëror, të strategjisë e të taktikës së lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare, u është përmbajtur e u përmbahet me besnikëri mësimeve themelore të marksizëm-leninizmit dhe Deklaratave të Moskës. Më kot janë përpjekur e përpiqen revizionistët të shtrembërojnë pozitën e drejtë të partisë sonë për këto probleme dhe luftën parimore që bën ajo për mbrojtjen e çështjes së revolucionit, të socializmit dhe të paqes. Qëllimi i tyre është i qartë: duke shtrembëruar pozitën dhe luftën e drejtë të partisë sonë, të Partisë Komuniste Kineze dhe të partive të tjera marksiste-leniniste, ata duan ta shesin politikën e tyre të kompromiseve e të lëshimeve të paparim ndaj imperializmit, të frikës, të kapitullimit e të nënshtrimit ndaj tij, vijën e tyre të largimit të popujve nga lufta revolucionare e çlirimtare, si një vijë marksiste-leniniste dhe të përligjin revizionimin në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Të flasësh për unitet në lëvizjen komuniste dhe në kampin socialist ndërsa për çështjet themelore të shkelësh në çdo hap konkluzionet e Deklaratave të Moskës dhe të batosh një vijë që është në kundërshtim me interesat e popujve e të socializmit, siç bën grupi revizionist i Nikita Hrushovit, do të thotë të mashtrosh komunistët dhe popujt e të bësh demagogji, të jesh për përçarjen dhe kundër unitetit, ose të kërkosh unitet fals, të mbështetur mbi një platformë antimarksiste, revizioniste. Të mbash qëndrim ndaj ngjarjeve të ndryshme dhe problemeve më të rëndësishme të kohës sipas platformës revizioniste dhe në kundërshtim me vijën e përbashkët dhe, nga ana tjetër, të kërkosh, siç bën Nikita Hrushovi, që marksistë-leninistët të përmbahen, të mos thonë pikëpamjen e tyre për të mbrojtur Deklaratat e Moskës, do të thotë të ndjekësh me ndërgjegje edhe në të ardhmen rrugën e tradhtisë së interesave e të socializmit, duke mënjanuar çdo pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve.
Rusët dhe jugosllavët
Çështja tjetër e madhe për të cilën ka mosmarrëveshje shumë të thella, është qëndrimi kundrejt udhëheqjes revizioniste jugosllave. Lëvizja komuniste e punëtore ndërkombëtare ka dënuar e demaskuar tradhtarët e marksizëm-leninizmit e të çështjes së socializmit, klikën revizioniste jugosllave. Ajo ka bërë një luftë të vazhdueshme parimore kundër pikëpamjeve thellësisht antimarksiste dhe veprimtarisë minuese e përçarëse të revizionistëve jugosllavë. Këtë luftë ajo e ka konsideruar si një detyrë të saj të dorës së parë për mbrojtjen e pastërtisë së doktrinës marksiste-leniniste dhe të unitetit të kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Ky qëndrim i njëzëshëm ndaj revizionistëve jugosllavë është shprehur qartë e sanksionuar në dokumentin e përbashkët pragmatik të të gjitha partive komuniste e punëtore, në Deklaratën e Moskës të vitit 1960. Në të thuhet: “Partitë komuniste dënuan njëzëri formën jugosllave të oportunizmit ndërkombëtar, që është shprehje e koncentruar e teorive të revizionistëve të sotëm. Pasi tradhtuan marksizëm-leninizmin, duke e shpallur atë të vjetruar, udhëheqësit e LKJ-së iu kundërvunë Deklaratës së vitit 1957, programin e tyre antileninist e revizionist ia kundërvunë LKJ-së, tërë lëvizjes komuniste ndërkombëtare, e shkëputën vendin e tyre nga kampi socialist, e vunë atë nën varësinë e së ashtuquajturës ndihmë të imperialistëve amerikanë dhe të imperialistëve të tjerë dhe në këtë mënyrë krijuan rrezikun e humbjes së fitoreve revolucionare të arritura me luftën heroike të popullit jugosllav. Revizionistët jugosllavë bëjnë një punë minuese kundër kampit socialist dhe lëvizjes revizioniste ndërkombëtare. Nën pretekstin e politikës jashtë blloqeve ata zhvillojnë një veprimtari që i sjell dëm çështjes së unitetit të të gjitha forcave dhe shteteve paqedashëse. Demaskimi i mëtejshëm i udhëheqësve të revizionistëve jugosllavë dhe lufta aktive për ta ruajtur lëvizjen komuniste, si dhe luftën punëtore, nga idetë antileniniste të revizionistëve jugosllavë, vazhdojnë të mbeten një detyrë e domosdoshme e partive marksiste-leniniste. Por me gjithë qëndrimin e qartë të të gjithë lëvizjes komuniste ndërkombëtare ndaj udhëheqësve revizionistë jugosllavë, Nikita Hrushovi dhe pasuesit e tij, duke ndjekur me gjithfarëlloj pretekstesh vijën e afrimit e të pajtimit me revizionistët jugosllavë, rehabilituan klikën titiste dhe arritën deri në bashkimin e plotë me të. Sidomos vizita e L. Berzhenjevit në Jugosllavi në shtator të vitit të kaluar dhe ajo e Titos në Bashkimin Sovjetik, fjalimi i Nikita Hrushovit në Sovjetin Suprem të BRSS-së më 12 dhjetor 1962 dhe tani Kongresi i 6-të i PSB-së Gjermane qenë kurorëzimi i përpjekjeve të vazhdueshme të Nikita Hrushovit për realizimin e këtij qëllimi. Tani, ai, pasi shpalli në mënyrë arbitrare LKJ një parti motër dhe Jugosllavinë një vend socialist, po përpiqet ta bëjë fakt në familjen e vendeve socialiste dhe të LKJ në radhët e lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare. Qëndrimi ndaj grupit revizionist jugosllav ndaj programit e politikës së tij është një çështje thellësisht parimore, është një nga kriteret kryesore për të përcaktuar se në ç’pozita politike dhe ideologjike qëndron udhëheqja e kësaj apo asaj partie.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i Popullit” më datë 7 shkurt 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›