MASH, komunikim on-line me nxënësit për Maturën shtetërore
Botohen pyetjet e maturantëve dhe përgjigjet që janë dhënë nga specialistët
Emanuela Sako
Për paqartësitë mbi Maturën Shtetërore, maturantëve u vjen në ndihmë një faqe interneti. Një maturanti nga rrethet e largëta të vendit tashmë nuk i duhet të interesohet në mënyrë të drejtpërdrejtë pranë Ministrisë së Arsimit, pasi është krijuar mënyra on-line. Ministria ka hapur një faqe zyrtare në internet, nëpërmjet së cilës komunikon me të gjitha kategoritë e interesuara. Faqja zyrtare është projektuar në të tillë, ku maturantët pyesin dhe specialistët kthejnë përgjigje të problemit apo informacionit që u kërkohet. Adresa ku mund të komunikohet me Ministrinë e Arsimit është WWW.mash.gov.al. Një pjesë e nxënësve kanë mungesë informacioni për mënyrën e konkurrimit për shkollat e larta, pasi çdo vit rregullorja e Ministrisë për Maturën Shtetërore ndryshon. Në këtë proces përfshihen maturantët me aftësi të kufizuara, që përbëjnë një kategori të veçantë dhe Ministria ka krijuar mënyra lehtësuese për marrjen e provimeve të shkollës së mesme. Shpeshherë ndodh që ata janë të painformuar për kategoritë në të cilën përfshihen dhe kërkojnë të dinë nga Ministria sesi do të procedojnë. Një ndër kategoritë që ka më paqartësi janë ata nxënës që kanë mbaruar prej disa vitesh shkollën e mesme dhe nuk dinë se si të veprojnë për të konkurruar për arsimin e lartë në këtë vit akademik. Në këtë faqe zyrtare janë drejtuar një mori pyetjesh, ku specialistët kanë dhënë informacionin e duhur. Në këtë numër, gazeta “Albania” publikon të gjitha pyetjet dhe përgjigjet mes maturantëve dhe specialistëve.
Pyetja
Interesohem në lidhje me mënyrën se si duhet të aplikojë për punë sociale në një nga universitet e Shqipërisë.
Unë quhem Brunilda Marini dhe kam mbaruar studimet e shkollës së mesme në vitin 1996. Pyetja është se çfarë kërkesash parashtrohen për të aplikuar për një person si unë që ka kaq vite që është shkëputur nga sistemi arsimor? Çfarë mundësish ka për të studiuar me korrespondencë?
Shumë faleminderit,
Brunilda Marini
Përgjigje: Ju keni të drejtë për të aplikuar për të vazhduar studimet e larta, sipas sistemit të Maturës Shtetërore.
Juve ju takon të jepni dy provimet me zgjedhje.
Për këtë, së pari duhet të drejtoheni në shkollën ku keni kryer arsimin e mesëm së bashku me Dëftesën e Pjekurisë.
Në datat 20 shkurt deri në 10 mars 2008 nëpër shkolla do të plotësohet Formulari A1, të cilin duhet ta plotësoni brenda këtyre afateve. Për informacione të tjera drejtohuni në Drejtorinë Arsimore të Qarkut tuaj si dhe mund ta merrni nëpërmjet faqes në internet të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me adresë www.mash.gov.al, në linkun Matura Shtetërore.
Në shkollat e larta, përveç sistemit me kohë të plotë, funksionon edhe sistemi i edukimit në distancë. Për rregullat rreth këtij sistemi dhe se si ai funksionon, duhet të informoheni pranë universiteteve, apo fakulteteve që do të dëshironit të ndiqnit.
Suzana Tabaku
Drejtore e Kurrikulës, MASH
Quhem Erid Daja.
Jam maturat te shkolla "Arbëria".
Doja të dija se ku mund të gjej informacion për lëndët me zgjedhje të kërkuara nga Fakultetet, pasi kam dëgjuar se vetë fakultetet i caktojnë ato.
P.sh., nëse dua të konkurroj për Administrim Biznes, nga viti i kaluar di se duhej Ekonomia e tregut për t’u dhënë provim me zgjedhje. Po a ka një adresë apo burim informacioni pa qenë i detyruar të shkosh në 10 fakultete që dëshiron të rendisësh në prioritetet? Pasi edhe nga viti i kaluar mund të bëjnë ndryshime.
Duke ju falënderuar, Erid Daja
Përgjigje: Drejtoritë Arsimore të rretheve kanë marrë udhëzimin për provimet e Maturës Shtetërore, në të cilin është dhe lista e lëndëve provim me zgjedhje. Aktualisht ajo duhet të jetë edhe në drejtorinë e çdo shkolle të mesme. Në datën 20 shkurt nëpër shkolla fillon plotësimi i Formularit A1. Para se ta plotësoni duhet të lexoni me shumë vëmendje udhëzimet që Ministria e Arsimit po i dërgon nëpër shkolla bashkëngjitur Formularit A1.
Në këtë formular ju do të përzgjidhni 2 lëndë, të cilat do t'i jepni provim me zgjedhje. Përzgjedhja e këtyre 2 lëndëve duhet të bëhet duke pasur parasysh fakultetet që do të dëshironit të ndiqnit si dhe koeficientet që fakultetet kanë vendosur për lëndët provim me zgjedhje. Së shpejti do të dërgojmë nëpër shkolla edhe koeficientet që çdo fakultet ka vendosur për lëndët që janë provim me zgjedhje. Të gjitha dokumentet për Maturën Shtetërore 2008 që i kemi dërguar nëpër shkolla dhe që do t'i dërgojmë në vazhdimësi, mund t'i gjeni edhe në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, me adresë www.mash.gov.al, në linkun "Matura shtetërore"
Suzana Tabaku
Drejtore e Kurrikulës, MASH
Pyetje
Unë jam një student në vitin e parë. Doja të dija nëse kam mundësi për konkurrim përsëri për shkollë të lartë sepse dua të ndërroj fakultetin në të cilin jam dhe të vazhdoj një tjetër fakultet. A kam të drejtë të konkurroj përsëri duke dhënë lëndët me zgjedhje? Faleminderit.
Përgjigje: Sipas udhëzimeve, të cilat janë ende në fuqi, studentët si rasti juaj nuk kanë të drejtë të ndryshojnë degën apo fakultetin, duke u futur përsëri në provimet e Maturës Shtetërore.
Suzana Tabaku
Drejtore e Kurrikulës, MASH
Jam një maturant dhe doja të dija nëse ekziston akoma medalja e artë, me anë të së cilës nxënësi kishte të drejtë të vazhdonte degën e dëshiruar pa u futur në provim. Nëse po, cilat janë kriteret për ta fituar atë?
Faleminderit!
Driti Shkodër
Përgjigje: Sipas Dispozitave Normative për arsimin parauniversitar, neni 40, medalja e artë i jepet nxënësve në përfundim të shkollës së mesme sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara në këtë dokument. Informacion të detajuar për këtë mund të merrni në drejtorinë e shkollës si dhe në Drejtorinë Arsimore të rrethit tuaj.
Suzana Tabaku
Drejtore në DZHK
MASH
Pyetje
Quhem Majlinda dhe jam mësuese letërsie. Në korrik 2007 u shpërndanë nëpër shkolla tekste alternative për disa lëndë, një prej tyre ishte edhe Letërsia dhe Gjuha shqipe 4 (profili natyror dhe shoqëror). Sipas udhëzimeve nga MASH-i, komisioni i ngritur për këtë përzgjedhje vendosi që në shkollën tonë të përdorej libri Letërsi dhe gjuhë shqipe 4(për secilin profil) nga shtëpia botuese Albas, ku një prej autorëve është prof.Sabri Hamiti.
Mua si mësuese e maturës më shqetëson programi i pyetjeve të provimit i cili nuk është mbështetur në këtë tekst, pasi tjetër tekst komenti ka libri dhe tjetër kërkohet nga programi i pyetjeve të provimit. Si do të veprohet në këtë rast, sepse kjo gjë është pothuajse për të gjithë autorët e vitit të katërt?
Ju faleminderit për mirëkuptimin.
Përgjigje:
Programet orientuese për provimet e detyruara dhe provimet me zgjedhje të maturës shtetërore 2008 janë dërguar nëpër Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimore në datën 18.2.2008 (ditën kur ju shprehni shqetësimin në e-malin tuaj). Në këtë grup programesh është edhe programi orientues i letërsisë. Hartuesit e programeve të letërsisë e kanë pasur në konsiderate këtë problem. Kontaktoni përsëri, pasi t'i shikoni programet orientuese të letërsisë për vitin 2008.
Pyetje!
Kam mbaruar shkollën pedagogjike në vitin shkollor 2006-2007, kam dhënë provimet e detyruara si dhe provimet me zgjedhje por nuk jam shpallur fituese. Për vitin 2008 do të jap prapë sipas rregullores provimet me zgjedhje(me shpresë që do të shpallem fituese) por kisha një pyetje: A është i nevojshëm plotësimi i formularit A1 ?
Në pritje të një përgjigje
Me respekt
Përgjigje
Nëse kërkoni të konkurroni duhet të jepni përsëri provimet me zgjedhje. Për të qenë më e qartë për procedurën duhet të shkoni në shkollën ku keni përfunduar studimet e mesme dhe të plotësoni Formularin A1 sipas udhëzimeve që ka vetë drejtoria e shkollës.
Duke ju uruar suksese, Ndriçim Mehmeti,
Përgjegjës i Sektorit të Arsimit të Mesëm.
Pyetje
Jam një nxënëse me të gjitha 10-ta në Liceun Francez në Korçë.
Dëshiroj të studioj për mjekësi. Kisha vendosur të jepja si provime me zgjedhje biologjinë dhe anglishten, mirëpo kam dëgjuar që është më mirë të jap biologjinë dhe kiminë (ose fizikën), sepse në vlerësimin e tezave të provimit, nëse dy nxënës kanë pikë të barabarta, i jepet prioritet atij që ka zgjedhur dy lëndë shkencore dhe jo atij që ka zgjedhur një shkencore dhe anglishten. Është e vërtetë kjo gjë? Nëse po, atëherë çfarë vlere ka që anglishtja ka koeficient të lartë? Ju falënderoj, duke shpresuar që do të më përgjigjeni sa më shpejt të jetë e mundur?
Mariela Nasi, Korçe
Përgjigje:
Vitin e kaluar nuk ka pasur raste që për të njëjtin fakultet dy kandidatë për studentë të dalin me pikë të barabarta. Megjithatë, si rregull është se kur ndodh kjo, atëherë merret në konsideratë nota mesatare e shkollës së mesme.
Suzana Tabaku
Drejtore në DZHK
MASH
Pyetje
Genci Sulo
Kam përfunduar shkollën e mesme vitin e kaluar dhe fitova në një degë. U regjistrova dhe u ç’ regjistrova që ditët e para të fillimit të vitit. Tani dua të konkurroj sërish për arkitekturë.
Do të doja të dija nëse mundem ti jap provimet me zgjedhje.
E theksoj, që nuk e vazhdova vitin shkollor. Aktualisht jam pa shkollë.
Përgjigje:
Nëse vitin e kaluar nuk keni ndjekur asnjë nga shkollat e larta dhe dispononi Dëftesën origjinale të përfundimit të shkollës së mesme, atëherë keni të drejtë të futeni përsëri në maturën shtetërore dhe të regjistroheni për të dhënë provimet me zgjedhje. Për informacion të mëtejshëm lexo Rregulloren e provimeve të maturës shtetërore" e cila ndodhet në drejtoritë e shkollave të mesme si dhe në faqen e internetit të MASH me adresë ëëë.mash.gov.al, linku "Matura Shtetërore"
Pyetje
Unë quhem Griselda Metaj.
Mbaroj këtë vit vitin e katërt.
Jam e interesuar të di diçka më tepër rreth Programeve Orientuese Lëndore që janë shpërndarë nëpër shkolla. Pyetja ime është: Këto programe përmbajnë temat e mësimeve në të cilat do të bazohen provimet? Pra, ne maturantët do përgatitemi vetëm për këto tema mësimi që japin programet orientuese, apo për të gjitha temat mësimore që kanë librat? Jam shumë e interesuar të di dicka më tepër rreth kësaj, sepse në shkollë disa na thonë që do bazohemi vetëm te programi orientues, disa të tjerë thonë që nuk duhet të lëmë mësim pa përsëritur. Nëqoftëse është e mundur, ju lutem më ktheni përgjigje. Shumë faleminderit për kohën që më përkushtuat.
Përgjigje: Përshëndetje Griselda!
Programet orientuese janë bazuar mbi njohuritë që ju keni marrë gjatë katër vjetëve. Për provimet ju do të përgatiteni vetëm për temat të cilat përmban programi dhe asgjë më shumë. Udhëzimi i çdo programi e ka shumë të qartë këtë pikë. Ju uroj suksese.
Ndriçim Mehmeti
Përgjegjës i Sektorit të Arsimit të Mesëm.
Pyetje
Jam një maturant në shkollën e mesme social-kulturore "Jordan Misja”. Jam me aftësi të kufizuar në shikim si unë do të veproj në provimet e maturës?
Përgjigje:
Përshëndetje!
Për personat me aftësi të kufizuara MASH në bashkëpunim me shoqata që operojnë në këtë drejtim marin masa të veçanta në përshtatje me aftësitë e tyre, pa i trajtuar si të tjerët për t’ju dhënë mundësi të shprehin tërësisht aftësitë e tyre.
Ndriçim Mehmeti
Përgjegjës i Sektorit të Arsimit të Mesëm.
10 Mars 2008