E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veprat e artit në skulpturë drejt degradimit

BERAT - Veprat e artit në qytetin e Beratit janë drejt degradimit të tyre të sigurt. Këtë e ka pohuar gjatë një interviste të dhënë për “Vizion plus” përgjegjësi i galerisë së arteve "Eduard Lear", skulptori Nezir Ago. Ago ka theksuar se në Berat ekzistojnë shumë vepra arti të skulpturës, të cilat janë të vendosura në ambientet publike të tij, por më të rëndësishmet janë veprat e skulptorëve Dhimitër Çani, Llazar Nikolla,Vangjel Papa, Janaq Anastasi dhe Nezir Ago, veprat e të cilëve datojnë që prej vitit 1935. Skulptori Nezir Ago ka treguar veprat e artit në skulpturë, të cilësuara si më të rëndësishmet e këtij qyteti, të cilat janë: Busti i Babë Dudë Karbunarës që daton në vitin 1935; Bazorelievi memorial i vendosur në lagjen "Dëshmorët e Kombit" (të dyja vepra të skulptorit Dhimitër Çani);Busti i heroit Hajdar Tafa, Përkrenarja e Skënderbeut (të dyja vepra të skulptorit Llazar Nikolla); Skulptura e Ajet Xhindoles e vendosur në shkollën e muzikës "Ajet Xhindole"; Luftëtari i vendosur përpara bibliotekës, si dhe Ujësjellësi i Bogovës; Bazorelievi i çlirimit të qytetit; Bazorelievi i formimit të qeverisë demokratike në Berat i cili nuk ekziston më sepse është shkatërruar totalisht (tri vepra këto të realizuara në sajë të një bashkëpunimi autorësh). Skulptori Nezir Ago pohon se veprat më të dëmtuara në qytetin e Beratit janë shumë, por më kryesori është busti i Babë Dudë Karbunarës.Kjo sculpture, - tha Ago, - është një nga skulpturat më të rëndësishme të qytetit dhe një ndër të parat e ekspozuara në këtë qytet, e gdhendur e gjitha në mermer, por duke u zhvendosur disa herë nga vendvendosja e tij e parë ky bust ka pësuar dëmtime serioze. Ago tregon se ky bust, që nga momenti i vendosjes e deri në vitin 1997 nuk kishte pësuar dëmtime nga dora e njeriut, por në vitin 1997 kjo vepër u dëmtua rëndë nga plumbat. Edhe pse është ndërhyrë disa herë për ta restauruar, vepra nuk pati fatin për të ardhur në fazën e saj fillestare. Vepra të tjera të dëmtuara janë: Bazorelievi i çlirimit të qytetit; Shatërvani i Ujësjellësit të Bogovës në qendër të qytetit; “Luftëtari” përpara bibliotekës "Vexhi Buharaja"; Busti i Margarita Tutulanit; “Flautistja”, e vendosur në lulishten e qytetit përpara Pallatit të Kulturës dhe e shpuar nga plumbat në vitin 1997 etj. Skulptori Ago ka treguar se edhe mbi veprën artistike në skulpturë “Flautistja” është ndërhyrë disi nga skulptorët, por edhe kjo vepër nuk arriti dot fazën e saj fillestare. Sipas përgjegjësit të galerisë së arteve "Eduard Lear", skulptorit Nezir Ago, të gjitha këto vepra arti duhet të restaurohen për të ruajtur vlerat artistike që ato mbartin. Për të arritur ruajtjen e këtyre vlerave, skulptori Ago sheh vetëm një mundësi: atë të kopjimit të të gjitha këtyre veprave, sigurisht pa i prekur autorësinë autorit, veprat origjinale të vendosen në Galerinë e Arteve për t’u ekspozuar, ndërsa në vendet e tyre përkatëse ku ato janë ekspozuar të vendoset kopja e origjinalit.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›