Prangose superhajduti, ne dy muaj u be tmerri i Skraparit
Eneida Petova
SKRAPAR - Pas një pune të mirë operative nga ana e inspektorëve të Komisariatit të Policisë Skrapar për zbulimin dhe identifikimin e autorit të vjedhjeve, të kryera në harkun kohor të dy muajve të fundit në qytetin e Skraparit dhe në fshatrat përreth, pasditen e djeshme blu-të e Skraparit arritën të prangosin 40-vjeçarin Besnik Hasanaj, banues në lagjen "5 Shtatori" të qytetit të Skraparit. Besnik Hasanaj është zbuluar pas vjedhjes së tij të fundit në datën 06.03.2008, në banesën e një shtetasi nga qyteti i Skraparit, me inicialet M.M, në shtëpinë e të cilit Hasanaj kishte vjedhur një sharrë dru alumini dhe një presë dru alumini. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia ka gjetur në cilësinë e provës materiale sendet e lartpërmendura, të vjedhura dy ditë më parë, si dhe materialet e vjedhura gjatë këtyre dy muajve. Kështu, Besnik Hasanajt i janë gjetur e sekuestruar në banesën e tij: 10 motosharra, 8 gjeneratorë me kapacitete të ndryshme, 5 matrapikë, 10 motorsek, 2 komplete lavazhieri, 7 valixhe me mjete mekanike, 7 troko, 1 elektromotor prerës druri, 500 metra tub plastik, 6 kordona përcjellës elektrikë, 2 elektropompa uji, 2 makineri prerje guri zmeril, 1 korrëse bari, 6 bidona 30 kg me raki, 4 kontina saldimi si dhe materiale të tjera të ndryshme. Policia ka gjetur e sekuestruar gjithashtu në banesën e shtetasit Besnik Hasanaj edhe një armë gjahu të tipit "Beret", një gjerdan me fishekë armë gjahu, si dhe dy arka me fishekë automatiku, model 56. Materialet e vjedhura nga 40-vjeçari Besnik Hasanaj, të cilat iu referuan Prokurorisë së Rrethit Berat, kapin vlerën e rreth 50 milionë lekëve (të vjetra). 40-vjeçari Besnik Hasanaj ka konsumuar veprën penale të "vjedhjes", të parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal, të "armëmbajtjes pa leje", të parashikuar nga Neni 278/ç i Kodit Penal dhe "Mbajtjes së municioneve pa leje", të parashikuar nga Neni 280 i Kodit Penal. Duke u nisur nga fakti se vjedhjet e kryera nga 40-vjeçari Besnik Hasanaj janë kryer në shtëpi të ndryshme banimi në qytet e në rrethinat e tij, në lokale, në lavazho e ndërmarrje të ndryshme, policia po punon për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij të mundshëm.
10 Mars 2008