“Edilcentro” eksporton tjegulla në Egjipt
Grupi “Edilcentro” nga viti në vit vazhdon të rrisë eksportet e veta. Listës së vendeve ku ai eksporton tashmë prej 3 vjetësh do t‘i shtohet edhe tregu egjiptian. Prodhimi i një game të gjerë artikujsh (8 lloje tulle dhe 12 tjegulle), të një cilësie shumë të lartë, ka bërë që jo vetëm të zotërojë 70 për qind të tregut të brendshëm, por të jetë prezent edhe jashtë Shqipërisë. Vetëm vitin e kaluar eksporti i tjegullës “Edilcentro” u rrit me 50 për qind në krahasim me vitin paraardhës (2006). Tjegullat “Edilcentro” kanë 3 vjet që kanë filluar përballjen me tregun dhe konsumatorin e huaj. Ato po tregtohen me sukses në Mal të Zi, Itali, Kosovë dhe nga viti 2006 në Greqi, nga ku Shqipëria importonte gati 90 për qind të këtij produkti, standardi i lartë dhe performanca e mirë e kësaj tjegulle "Made in Albania", bëri që kjo firmë të kapërcejmë kufijtë e tregut rajonal dhe të eksportojë në Egjipt. Shumë shpejt firma pritet të përfundojë një kontratë me SHBA-të. Duke parë potencialet dhe efektin që sjellin eksportet në ekonominë tonë nuk mund të lemë pa përmendur iniciativën e Ministrisë së Ekonomisë për incentivimin e sipërmarrjeve me objektiv eksportin, siç ishte dhe shembulli i fundit i bashkëfinancimit të disa projekteve për eksport, ndonëse në shifra jo shumë të mëdha, por që po orientojnë prodhuesit drejt standardeve, cilësisë në mënyrë që produktet "Made in Albania" të përmirësojnë raportin import-eksport.
Bonot e thesarit arrijnë nivelin maksimal
Interesi i bonove të thesarit është aktualisht afër niveleve maksimale. Kështu, nëse paratë tuaja në një depozitë kursimi 1-vjeçare kthejnë deri në 6 për qind fitim, ato të investuara në bono thesari kthejnë rreth 8.06 për qind. Blerja e bonove të thesarit në momentin aktual është mjaft e leverdishme si për individët, ashtu edhe për institucionet financiare, të cilat nuk kanë një alternativë më të mirë investimi. Bonot e Thesarit mund të blihen në Bankën e Shqipërisë ose në bankat e nivelit të dytë. Blerja e bonove nëpër sportelet e bankave ka edhe kosto më të lartë pasi banka përkatëse mban komision për veprimin që kryen. Ndërsa në BSH interesi i fituar është më i lartë, por individi duhet të marrë pjesë në ankandet e zhvilluara nga Banka ditën e martë, gjë që kërkon kohë dhe angazhim. Çdo individ mundet të investojë në bono thesari. Mjafton një shumë prej 300 mijë lekësh e bllokuar në një nga bankat shqiptare dhe secili mundet të fitojë interesat që ofrojnë bonot e thesarit pa marrë përsipër asnjë rrezik. Pjesëmarrësit në ankandet për bono thesari janë: bankat, institucione financiare ose jofinanciare, si dhe individë vendas apo të huaj. Bonot e thesarit janë një alternativë investimi. I gjithë procesi i shitjes së bonove të thesarit është i hapur dhe publiku informohet për datën e zhvillimit të ankandeve, shumat për të cilat ka nevojë qeveria, periudhat e maturimeve të bonove të thesarit etj.
10 Mars 2008