E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji, kasa per biznesi dhe gjykate administrative

Drafti parashikon instalimin e kasave regjistruese tek të gjitha subjektet. Synohet edhe ngritja e gjykatës administrative për ankimimet e biznesit
Ervin Koçi

Projektligji “Për procedurat tatimore” pritet të kalojë gjatë javës që po nis për miratim në komisionet parlamentare. Drafti parashikon miratimin e dy çështjeve kryesore, që janë instalimi i kasave regjistruese tek biznesi, si dhe ngritja e gjykatës administrative, një institucion i pavarur që do të shqyrtojë ankimimet e biznesit. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se paralelisht me hartimin e projektligjit të procedurave tatimore dhe miratimit të tij po bëhen gati edhe procedurat për zhvillimin e tenderit ndërkombëtar, nëpërmjet të cilit do të sigurohen kasat regjistruese për subjektet private. Biznesi i madh e ka mbështetur qeverinë në nismën e instalimit të kasave, duke e konsideruar një hallkë shumë të rëndësishme për formalizimin e ekonomisë si dhe përfshirjen e subjekteve të vogla private në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. E rëndësishme për biznesin konsiderohet edhe pika në projektligj që synon ngritjen e gjykatës administrative, një institucion i pavarur nga qeveria, i cili do të shqyrtojë ankimimet e biznesit ndaj vendimeve të administratës tatimore.

Biznesi i vogël

Kasa elektronike, kupon tatimor apo dhe taksa të shtuara për një aktivitet të kontrolluar, do të jenë disa nga elementët që parashikon ligji i ri për të kontrolluar subjektet e biznesit. Të gjithë tregtarët që mbajnë statusin e biznesit të vogël do t’u nënshtrohen së shpejti procedurave të reja tatimore, boshti i të cilave do të jetë mbajtja e bilanceve. Përmes projektvendimit të ri, i cili pritet të ketë fuqi pas miratimit të tij në Kuvend, biznesi i vogël ligjërisht duhet të lëshojë kuponë tatimorë. Bëhet fjalë për fletushkat e përllogaritjes së blerjeve që bëhen nga këto biznese. Kuponët duhet të shoqërojnë çdo shitje. Në këtë mënyrë tregtarët e vegjël apo të shitjes me pakicë, pritet të përfshihen në një skemë të re organizimi për sa i përket detyrimeve tatimore. Ata priten të bëhen me formalë e të besueshëm.

Ligji

Tatimpaguesit që janë subjekt i ligjit “Për taksën vendore të biznesit të vogël”, për llogaritjen e detyrimit tatimor mbajnë regjistra, libra dhe dokumente të tjera, si dhe lëshojnë një faturë të thjeshtë tatimore apo kuponë tatimorë, në përputhje me dispozitat e Ligjit nr. 9632, datë 30.10.2066 “Për sistemin e taksave vendore” si dhe dispozitat e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Fatura tatimore

Çdo shitblerje mallrash apo të drejtash si dhe çdo kryerje punimi a shërbimi që është pjesë e veprimtarisë tregtare, është objekt faturimi. Faturat për shitjen e sendeve a kryerjen e punimeve e të shërbimeve janë faturat tatimore, të cilat përfshihen në përllogaritjet e detyrimit tatimor. Fatura tatimore përmban numrin rendor dhe numrin personal të identifikimit të tatimpaguesit, datën dhe vendin e lëshimit, emrin dhe adresën e palëve, datën e realizimit të shitjes ose punimit a shërbimit, emërtimin e saktë të tyre, çmimin e plotë të shitjes, si dhe rritjet ose zbritjet e zbatuara për shumat e shifruara.

TVSH-ja

Tatimpaguesi që i nënshtrohet tatimit mbi vlerën e shtuar sa herë që ofron mallra apo shërbime për një person tjetër, duhet të lëshojë faturë tatimore me TVSH. Fatura tatimore me TVSH përmban: vlerën mbi të cilën përllogaritet TVH-ja, vlerën me TVSH të zbatuar sipas kategorive të sendeve, punimeve dhe shërbimeve dhe shumën e TVSH-së.

Lëshimi i faturës

Shitësi lëshon faturën tatimore dhe blerësi duhet ta kërkojë atë në kohën e realizimit të shitjes. Fatura tatimore është e përgatitur në dy ekzemplarë, nga të cilët njërën e merr blerësi dhe tjetrën shitësi. Tatimpaguesi që mban në ruajtje, përdor apo transporton mallra të pashoqëruara me dokumente tatimorë, dënohet sipas ligjit në fjalë.

Blerësi

Në rastin e shitjeve nga individët, që nuk kanë cilësinë e tregtarit, fatura përgatitet nga blerësi, ushtrues i veprimtarisë tregtare me kusht që dokumenti të përmbajë përshkrimet dhe të dhënat, e parashikuara në këtë ligj dhe vërtetohet nga furnizuesi. Blerësi, për çdo rast të tillë shënon në faturë edhe numrin e tij të identifikimit.

Kuponi tatimor

Subjektet që detyrohen të lëshojnë kuponë tatimorë, mund të lëshojnë njëherazi edhe faturë, nëse shitja apo shërbimi i kryer është për një përdorim tregtar dhe për këtë shkak blerësi është i detyruar të kërkojë faturën. Të gjithë tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise a njësi të përhershme, të hapura për publikun, duhet të instalojnë pajisje fiskale, që janë kasat regjistruese dhe të lëshojnë kuponët tatimore për çdo blerje. Kuponi tatimor i pashoqëruar me faturë nuk njihet si dokument justifikues i shpenzimeve për blerësin ushtrues të një veprimtarie tregtare.

10 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›