E Diel, 1 Nëntor 2026

Nën hetim “policja”, u kap me dokument të falsifikuar

Sipas policisë, 36-vjeçarja prezantohet me një dokument të antiterrorit, i cili dyshohet se është i falsifikuar. Dokumenti i dyshimtë u zbulua pas një konflikti mes saj dhe policisë bashkiake të Kamzës

Tiranë Një 36-vjeçare nga kryeqyteti është vënë nën hetim nga policia pasi dyshohet se përdorte një dokument të falsifikuar duke u hequr si punonjëse policie. Dokumenti në fjalë është zbuluar pas kontrollit të ushtruar në çantën e 36-vjeçares Migena H., me arsim të lartë. Sipas policisë, informacionet për këtë rast janë marrë pas një konflikti mes 36-vjeçares dhe disa punonjësve të policisë bashkiake të Kamzës. Nuk dihet arsyeja e debatit mes tyre, por policët bashkiak denoncuan në polici se 36-vjeçarja u është prezantuar atyre si punonjëse e policisë së rendit. Gjithashtu ajo u ka treguar edhe një dokument me mbishkrimin “Antikrimi” dhe “Antiterrori”. Menjëherë është vënë në lëvizje policia e komisariatit nr.5 në kryeqytet, e cila ka mundur të gjejë 36-vjeçaren në ambientet e një lokali në Kamzë. Pas sqarimit të rrethanave të ngjarjes, policia ka ushtruar një kontroll në çantën e Migena H. ku ka gjetur një dokument që dyshohet si i falsifikuar, pasi nuk kishte asnjë ngjashmëri me dokumentet e lëshuara nga policia. Dokumenti në fjalë kishte mbishkrimin “Antikrimi” dhe “Antiterrori”, por burime pranë policisë tha se ky dokument nuk ishte i policisë, por nuk kishte ngjashmëri as me mjete të tilla identifikimi që lëshohen nga institucione të tjera të sigurisë. Uniformat blu sekuestruan në cilësinë e provës materiale dokumentin në fjalë, i cili përveç mbishkrimeve të mësipërme kishte si stemë edhe hartën e Shqipërisë. Dyshimet e para të policisë bien mbi një falsifikim të mundshëm të dokumentit në fjalë, i cili së bashku me dokumentacionin e plotësuar për ngjarjen në fjalë iu përcollën për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës. Sipas policisë, 36-vjeçarja Migena H. do të hetohet në gjendje të lirë, për akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Po ashtu policia po heton nëse ky dokument është përdorur më parë nga 36-vjeçarja dhe në ç’mënyrë ka mundur ta sigurojë dokumentin në fjalë, i cili është i ngjashëm me dokumentet që përdorin punonjësit e policisë, por lehtësisht i dallueshëm prej tyre, për shkak të mbishkrimeve dhe simboleve që ka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›