E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi i së dashurës arreston të dyshuarin si anëtar të bandës së Durrësit



DURRËS - Një djalë i ri, i cili është identifikuar nga policia si pjesëtar i dyshuar i asaj që njihet si banda e Lul Berishës, është arrestuar mbrëmë pas një denoncimi që erdhi në policinë e Durrësit nga një vajzë. Burimet zyrtare në Policinë e Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi Edmond Taullau, 24 vjeç, lindur në lagjen “Spitallë” dhe banues në qytetin bregdetar, në Lagjen Nr. 13, Plazh, u prangos pasi e dashura e tij, E. R., e ka denoncuar për dhunë fizike dhe seksuale. Vajza 22-vjeçare ka deklaruar se ndaj saj është ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Madje, burimet pohojnë se vajza është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ka pasur dëmtime në trup. Mësohet se operacioni për arrestimin e Taullaut në zonën e Plazhit është kryer nga forcat e RENEA-së, të cilat u kërkuan si përforcime nga Drejtoria e Policisë së Durrësit.
Edmond Taullau ishte arrestuar edhe në fund të muajit korrik të vitit të kaluar, si pjesëtar i dyshuar i bandës së Lul Berishës”, por për mungesë provash u la i lirë pak kohë më vonë.
Para 10 ditësh, policia e Durrësit arrestoi një tjetër person, të dyshuar si anëtar i bandës së Lul Berishës. Policia e qytetit bregdetar organizoi operacionin e koduar me emrin “Dara” për të prangosur shtetasin Edmond Koçi. Në aksionin për kapjen e tij morën pjesë edhe forcat speciale të RENEA-s. Ai u ndalua në një nga lokalet Euroloto, në Lagjen Nr. 16 të qytetit bregdetar. Koçi akuzohet për “vrasje të mbetur në tentativë”. Madje, në momentin e prangosjes, 30-vjeçari Edmond Koçi (Çekiçi) ka tentuar të kundërshtojë forcat e rendit, pasi ishte i armatosur, por është neutralizuar nga forcat speciale që ishin në aksion. Policia e ka vlerësuar bandën e Durrësit si një ndër grupet kriminale më të rrezikshme në vend. Personi i akuzuar si kapo i këtij grupi, Lul Berisha, është i arrestuar dhe ndaj tij po zhvillohet një proces i gjatë, i cili po përballet me shumë zvarritje procedurash në gjykatë për shkak të mungesës në sallë të përfaqësuesve ligjorë të personave të vënë nën gjykim.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›