E Diel, 1 Nëntor 2026

Grekët lënë në mes të të ftohtit mijëra shqiptarë, radha 5 km e gjatë



Edhe këtë vit, rikthimi i emigrantëve pranë familjeve është shoqëruar me “kalvarin” rutinë të radhëve të gjata nëpër pikat e kalimit kufitar. Në Kapshticë dhe Kakavijë, me mijëra shqiptarë janë detyruar të presin për disa orë me radhë për të kryer procedurat e verifikimit të dokumentacionit. Në territorin e shtetit fqinjë, radha e mjeteve në pritje për të hyrë në pikën e Kakavijës ka arritur deri në 5 kilometra. Burimet zyrtare pohojnë se një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të ngadalësisë së punës nga autoritetet kufitare greke. Sipas vetë emigrantëve, radha ishte shumë e gjatë dhe pritja është bërë e padurueshme për shkak të temperaturave të ulëta.
Probleme në kufi me Greqinë
Emigrantët tregojnë se kanë qëndruar për më shumë se 4 orë në territorin grek, në pritje për të hyrë përmes Kakavijës në Shqipëri. “Kemi që me natë në doganë dhe jemi detyruar të presim gjatë, pasi punohej shumë ngadalë nga pala greke”, - thonë emigrantët. Ata tregojnë se nga ana greke e kufirit, radha e automjeteve në pritje për të hyrë në Shqipëri është 5 kilometër. Ndërkohë, të dhënat nga policia jonë flasin për një fluks në rritje të emigrantëve. Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit mësohet se kanë hyrë 13 mijë emigrantë me rreth 3500 automjete. Sipas llogaritjeve paraprake të bëra, mendohet se shumë të tjerë janë në pritje për të ardhur, ndaj për këtë dogana shqiptare ka marrë masa për shtimin e numrit të sporteleve. Burime nga Dogana e Kakavijës bëjnë të ditur se ata po punojnë me kapacitet të plotë, por problemi si gjithnjë paraqitet nga ana e doganës greke, që aktualisht funksionon vetëm me dy sportele.
Fluks emigrantësh është vërejtur edhe në Doganën e Kapshticës në Korçë. Burime nga kjo doganë bëjnë të ditur se mbi 6 mijë shtetas kanë hyrë në 24 orët e fundit në këtë pikë doganore.
Radhë edhe në porte
Prej disa ditësh, fluksi i emigrantëve që vijnë nga Italia drejt Portit të Vlorës sa vjen e rritet. Për t’u ardhur në ndihmë dhe për të mos pasur vonesa, drejtoria e policisë dhe e migracionit në port ka hapur 12 sportele për kontrollin e dokumentacioneve, nga 4 që janë në ditët e zakonshme. Në ndihmën e policisë kufitare për përballimin e fluksit që sa vjen e rritet, kanë ardhur dhe “Delta Forcë” si dhe shumë roja të sigurisë.
Vetëm dje, me tragetet e linjës Brindisi-Vlorë kanë hyrë rreth 1200 emigrantë si dhe 350 automjete, por pritet një rritje e të ardhurve nga Italia në ditët në vazhdim. Sipas autoriteteve portuale, fluksi i ardhjes së emigrantëve për të festuar festat e fundvitit në krahasim me një vit më parë është më i ulët, deri në 40 për qind më pak.

Kriza financiare, pritet kthimi i përhershëm i emigrantëve

Kriza financiare që ka prekur botën, përfshirë edhe dy vendet fqinje, Italinë dhe Greqinë, pritet të ketë pasoja të rënda për emigrantët shqiptarë. Shkurtimet masive të vendeve të punës kanë rënë edhe te shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në këta dy shtete. Për herë të parë, shumë shqiptarë kanë menduar përfundimisht kthimin në vendlindje, pasi e kanë të vështirë të gjejnë një punë. Po ashtu, edhe rritja e çmimeve ka vështirësuar sigurimin e kostos së jetesës nga emigrantët shqiptarë.

25 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›