Shqipëria, pikë transiti e trafikut klandestin nga Afganistani në Itali
Albert Gjoka
KORÇË – Dy rastet e fundit të kapjes së afganëve në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës tregojnë se tashmë është përvijuar një rrjet ndërkombëtar i trafikut klandestin nga Azia e largët përmes Shqipërisë me destinacion Perëndimin. Pas një jave, në njërën nga pikat hyrëse të vendit tonë u ndaluan edhe tre afganë të tjerë. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës bëjnë të ditur se tre shtetasit afganë janë kapur dje në Doganën e Kapshticës në tentativë për të hyrë nëpërmjet tokës shqiptare në Greqi.
Ndalimi
Autoritetet doganore, gjatë kontrollit në automjetin kamion me targa turke, 34UT9569, të ngarkuar me lingota alumini, gjetën të fshehur tre 3 afganët, të cilët posedonin pasaporta greke. Menjëherë punonjësit e doganës njoftuan policinë, e cila bëri ndalimin e shoferit me shtetësi turke. “Ali Osman Gere dhe tre shtetasit afganë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për momentin, janë dërguar në komisariatin e policisë për të kryer procedurat hetimore”, - thonë burimet policore në qytetin e Korçës. Vetëm një javë më parë Policia Kufitare ndali në Kapshticë 7 shtetas afganë, të cilët po tentonin të hynin në Shqipëri me një maune mallrash, me targa turke, për të vijuar më pas udhëtimin drejt Italisë. Grupi i klandestinëve afganë, sipas burimeve zyrtare të Policisë Kufitare, u bllokua më datë 20 dhjetor, rreth orës 13:00, gjatë një kontrolli të ushtruar në një maune me targa turke që kishte si destinacion Tiranën. Nga verifikimet e para të Policisë Kufitare rezulton se grupi i shtetasve afganë do të kalonte transit për në territorin shqiptar për të udhëtuar më pas në mënyrë klandestine për në drejtim të Italisë. Ndalimi i tre afganëve ditën e djeshme shënon rastin e pestë brenda këtij viti që Policia Kufitare shqiptare kap në Kapshticë grupe me emigrantë klandestinë të huaj, të cilët synojnë që të emigrojnë në mënyrë të paligjshme drejt Italisë.
Linjat e trafikut
Tashmë është përvijuar qartë një rrjet i trafikut klandestin me origjinë Afganistanin, apo vende të tjera aziatike, të cilat hyjnë në Europë përmes Turqisë, dhe më pas kalojnë në Greqi. Linja vazhdon më pas në Shqipëri dhe prej këtej kalon në Perëndim, përmes Italisë. Vetëm disa muaj më parë “Europol”, agjencia e specializuar e Bashkimit Europian në luftën kundër krimit, publikoi rrjetet e trafikut klandestin. Sipas ekspertëve të tij, aktualisht përdoren këto linja: rrjeti që ka fluksin më të madh nis në Afrikën Veriore dhe bregdetin e Atlantikut në Afrikën Perëndimore duke hyrë në vendet e BE-së përmes Italisë, Spanjës dhe Maltës. E dyta është linja Mesdhetare Lindore me objektiv primar Greqinë, duke përdorur Turqinë dhe vendet e Lindjes së Mesme si vende transite. Linja e tretë është rrjeti ballkanik, i cili përdor vendet e Ballkanit Perëndimor si territore transite me objektiv vendet fqinje të BE-së, si Greqia, Italia, Sllovenia, Austria, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria. Ndërsa linja e katërt e trafikut klandestin është ajo europiano-lindore dhe qendrore e përdorur nga shtetet e ish-republikave të Bashkimit Sovjetik, ku emigrantët ilegalë futen në vendet fqinje të BE-së si Polonia, Çekia, Sllovenia, Hungaria, Bullgaria dhe Rumania. Ekspertët konstatojnë se zgjerimi i Bashkimit Europian ka shtuar edhe rrjetet e trafiqeve të klandestinëve. Shqipëria është një ndër pikat transite që përdoret nga klandestinët për të kaluar drejt Perëndimit ose nga Mali i Zi, ose nga Jugu i Greqisë.
25 Dhjetor 2008