Ndalohen dy të kërkuar për dezertim nga shërbimi ushtarak
KUKËS – Dy persona, të dënuar nga gjykata për dezertim të shërbimit ushtarak janë ndaluar nga policia e Kukësit në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë. Sipas burimeve policore dy të rinjtë ishin në listat e personave të kërkuar nga policia.
Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut, Irena Laknori bëri të ditur se shtetasit e ndaluar Artur Lushaj, 24 vjeç, dhe Neoland Lushaj, 26 vjeç ishin dënuar me 4 muaj burg për akuzën e dezertimit, respektivisht nga Gjykata e Vlorës dhe ajo e Tiranës. Zëdhënësja pohoi se ndalimi është bërë në banesat e shtetasve dhe policia nuk ka hasur në rezistencë.
Aksidentohet 53-vjeçarja, procedohet drejtuesi i mjetit
ELBASAN - Një aksident me pasojë plagosjen e një 53-vjeçareje ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në qendër të qytetit të Elbasanit. Burime të policisë bëjnë të ditur se mjeti tip “Benz”, me targë EL 6365 B, drejtohej nga 16-vjeçari N. SH. E aksidentuara është shtruar në Spitalin kirurgjik të Elbasanit, në gjendje kritike për jetën. Policia bën të ditur se ndaj të miturit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshës së tij. Shkak i aksidentit sipas grupit hetimor mendohet të ketë qenë “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” nga ana e adoleshentit.
Qendra e Rekrutimit, takim për rekrutimin e ushtarëve me pagesë
DURRËS - Qindra nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit janë njohur nga afër me mundësitë për t'u punësuar si ushtarakë profesionistë. Qendra e Rekrutim-Mobilizimit të Qarkut të Durrësit kishte përgatitur fletëpalosjet, dokumentarë si dhe marshe të ekzekutuara për afro dy orë nga fanfara e Ushtrisë. Në veprimtari morën pjesë dhe drejtues të pushtetit vendor. Kryetari i kësaj Qendre, major Fatos Veliu, tha se rreth 50 për qind e Ushtrisë përbëhet nga profesionistët. Ai theksoi rëndësinë që ka njohja e nxënësve të shkollave të mesme me mjediset ushtarake dhe me kushtet e kontratës për t'u punësuar në ushtri. "Të rinjtë e moshës deri në 30 vjeç mund të punësohen kundrejt një kontrate fillestare 3-vjeçare", - sqaroi ai.
SHKURT
Taksat, kryebashkiaku Sejdiu paralajmëron mbylljen e biznesit
ELBASAN – Në rast se nuk paguhen taksat vendore, Bashkia do të bllokojë aktivitetin e firmave private. Ky është alarmi i dhënë nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini. Sipas Drejtorisë së Tatim-Taksave pranë Bashkisë, gjatë 11 muajve të këtij viti janë regjistruar 400 subjekte të reja të biznesit të vogël. Ai thotë se vetëm gjatë muajit nëntor janë regjistruar 83 subjekte. Drejtoria e Tatim Taksave, në bashkëpunim edhe me Policinë Bashkiake, ka realizuar kontrolle të herëpashershme dhe si rezultat janë kontrolluar dhe verifikuar 240 subjekte debitore. Gjatë nëntorit iu kushtua një rëndësi e veçantë taksës së ndërtesës dhe pastrimit dhe u bënë 133 akte bllokimi të llogarive bankare për subjektet që nuk kanë paguar taksat vendore. Fundi i këtij viti do të jetë afati i fundit për të gjitha ato subjekte që ende kanë detyrime për të shlyer, në rast të kundërt, sipas Sejdinit, do të merren masa bllokimi ose gjobitje të bazuar në ligj.
25 Dhjetor 2008