E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimi për PS: 'Shantazh anëtarëve të AK'. Zbardhen përgjimet

TIRANE-Aleanca Kuqezi ka denoncuar dje në Prokurori Partinë Socialiste dhe kryetarin e PS-së Tiranës, Saimir Tahirin, se po përpiqet të blejë apo të shantazhojë anëtarët e Aleancës Kuqezi. Partia e drejtuar nga Kreshnik Spahiu ka publikuar disa prej telefonatave në adresë të anëtarëve të AK-së, të cilët ftohen nga operatorë telefonikë në emër të deputetit Saimir Tahiri që të bëhen pjesë e Partisë Socialiste.

Telefonatat janë realizuar nga punonjëse të cilat identifikohen si operatore të zyrës elektorale të kryetarit të PS-së së Tiranës dhe, në emër të tij, vajzat ftojnë përfaqësuesit e AK-së nëse janë të interesuar të anëtarësohen në Partinë Socialiste. Në përgjimin e dytë, anëtari i AK-së i kërkon shpjegime përfaqësueses së PS-së se nga a ka marrë numrin e telefonit, dhe përgjigjja e saj është lista e gjendjes civile. Por më pas, anëtari i AK-së thekson se numri i tij nuk është në listat e gjendjes civile, por në listat e anëtarëve të AK-së. “Po tani mua kështu më kanë thënë. Jam thjesht një operatore telefonike, nuk di çfarë t’ju them më shumë”, shprehet vajza, duke mos dhënë shpjegime se nga e ka marrë numrin që po telefonon. Ndërkohë që anëtari i AK-së refuzon ftesën dhe thekson se: “Zoti Saimir Tahiri dhe të tjerët nuk bëjnë mirë me këto gjëra. Lista është marrë nga Aleanca Kuqezi. Edhe ti dhe Saimir Tahiri e dini shumë mirë, por nuk është mirë kjo gjë që po bëni”.

Thirrja e AK
Dje, shefi i shtabit të AK-së, Augent Xhaferaj, denoncoi në Prokurori gjashtë numrat e telefonit që, sipas kësaj force, kanë bërë shantazh dhe oferta për aktivistët e AK-së. “Aleanca Kuqezi i bën thirrje Prokurorisë së Tiranës të procedojë në kohë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një garë të barabartë. Aleanca Kuqezi ndien keqardhje që opozita kryesore, Partia Socialiste, ka hequr dorë nga rrëzimi i shtetasit Berisha dhe ka hyrë në pazar me të për të dobësuar Aleancën Kuqezi”, u shpreh përfaqësuesi i AK-së.

Reagimi i Tahirit
Ndërkohë që në një reagim, kryetari i PS-së së Tiranës ka ironizuar akuzat e Aleancës Kuqezi, duke thënë se Spahiut nuk i ka mbetur asnjë anëtar dhe se do kishte kursyer paratë me këtë iniciativë. “Dhe po të vendos ta marr seriozisht, me aq anëtarë sa i kanë mbetur Nikut, i bie të kisha kursyer lekë. Ata që besonin se Nik Spahiu ishte alternativë e denjë, kanë ikur sapo panë se ishte vetëm një pazar i shpëlarë, ndaj nuk ka as nevojë të harxhojmë telefonata për të marrë kurrkënd. Fobi e kuptueshme e Nik Spahiut. Po sheh se ka mbetur vetëm e i duket sikur ia kanë fajin të tjerët”, shprehet Saimir Tahiri.

Përgjimet e AK
Përgjimi 2
Operatorja e PS: Alo përshëndetje!
Anëtari i AK: Përshëndetje!
Operatorja e PS: Flas me zotin Laku?
Anëtari i AK: Po, unë jam.
Operatorja e PS: Ju telefonojmë nga Partia Socialiste në emër të deputetit Saimir Tahiri, për t’ju ftuar që të bëheni pjesë e PS-së. Jeni i interesuar?
Anëtari i AK: Jo, nuk kam punë. Unë jam me Aleancën Kuqezi!
Operatorja e PS: Në rregull. Ju falënderoj. Më falni për shqetësimin.

Përgjimi 2
Operatorja e PS: Alo përshëndetje!
Anëtari i AK: Po, urdhëro!
Operatorja e PS: Ju telefonojmë nga Partia Socialiste në emër të zotit Saimir Tahiri, kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës, për t’ju ftuar të bëheni pjesë e Partisë Socialiste. Jeni i interesuar?
Anëtari i AK: Ku e keni gjetur numrin tim?
Operatorja e PS: Numrin tuaj e kemi marrë nga listat zgjedhore. Anëtari i AK: Po numri im nuk është në listat zgjedhore.
Operatorja e PS: Aty e kemi gjetur.
Anëtari i AK: Po aty nuk ka asnjë numër. Ku e keni gjetur?
Operatorja e PS: E kemi marrë nga listat e gjendjes civile.
Anëtari i AK: As në listat e gjendjes civile nuk ka asnjë numër.
Operatorja e PS: Po tani mua kështu më kanë thënë. Jam thjesht një operatore telefonike, nuk di çfarë t’ju them më shumë.
Anëtari i AK: Jo, unë nuk jam i interesuar fare. Por zoti Saimir Tahiri dhe të tjerët nuk bëjnë mirë me këto gjëra. Lista është marrë nga Aleanca Kuqezi. Edhe ti, edhe Saimir Tahiri e dini shumë mirë, por nuk është mirë kjo gjë që po bëni.
Operatorja e PS: Unë nuk e di fare. Unë jam vetëm një operatore e thjeshtë dhe nuk di çfarë të them më shumë.
Anëtari i AK: Nuk jam fare i interesuar. Kalofshi mirë!
Operatorja e PS: Mirë atëherë, faleminderit!

Prokuroria
Aleanca Kuqezi ka publikuar dje tre numra telefoni, për të cilët ka kërkuar që Prokuroria të bëjë verifikimin e tabulateve telefonike, të cilat vërtetojnë tentativën e blerjes së anëtarëve të AK-së. AK thekson se PS po shkel dhe ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, pasi numrat e telefonit të anëtarëve janë marrë nga formularët e kësaj force politike, që ka të drejtën e grumbullimit dhe përpunimit të tyre.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›