Denoncimi, skandal me tenderin e azilit
Fatos Mahmutaj
Tenderi i fundit për rikonstruksionin e Azilit të së Moshuarve është bërë objekt i denoncimeve, për abuzim me fondet e përdorura nga financimi i Bankës Botërore. Rikonstruksioni i pretenduar ka vetëm pak kohë që ka përfunduar, ndërsa 26 pensionistë ndodhen në “luftë” me ftohtin. Kaldajat që u pretenduan se u ndërtuan të reja nuk kanë funksionuar asnjëherë, pasi që herën e parë që janë vënë në punë kanë dalë jashtë funksionit. Subjekti që ka kryer punimet, pasi ka marrë paratë e tenderit nuk i është përgjigjur asnjërës prej letrave të këtij institucioni apo edhe shkresave të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Zëvendësimi i tubave të bakrit me tuba plastikë ka bërë që kaldajat të mos funksionojnë asnjëherë, ndërkohë, izolimi i keq i tarracës së godinës ka bërë që lagështira të hyjë në tavanin e të gjitha dhomave të katit të dytë. Por keqizolimit nuk i kanë shpëtuar edhe banjat, ku suvaja e mureve ka filluar të çahet dhe të rrëzohet përtokë. Drejtori i këtij institucioni Resul Domi shpjegon se rikonstruksioni i azilit është bërë në verë të vitit të kaluar. Ishte një donacion i Bankës Botërore në vlerën e 178 milionë lekëve të vjetra, që iu dha një firme ndërtimi në kryeqytet për të kryer punimet në këtë institucion. Firma konkurroi në tenderin e shpallur për këtë qëllim dhe doli fituese. Mes të tjerash, firma do të ndërtonte një sistem të ri ngrohjeje qendror për godinën, do të bënte izolimin e ndërtesës si dhe do të vendoste pajisje të reja në godinën ku aktualisht bujtin 26 të moshuar, të braktisur nga fëmijët dhe të afërmit. Punimet përfunduan në fund të verës së vitit të kaluar dhe pas kësaj të moshuarit u kthyen në godinën e tyre të restauruar. Por menjëherë sapo nisi ulja e temperaturave në fillim të muajit tetor sistemi qendror i ngrohjes doli jashtë funksionit, pasi tubat e kaldajave ishin prej plastike, në vend të atyre prej bakri që ishin parashikuar në kontratë dhe që janë të domosdoshëm në raste të tilla. Uji i ngrohtë që vërshoi nëpër sistemin e tubave plastikë, i shkatërroi ata duke përhapur lagështirën nëpër mure. Pas kësaj drejtori pohoi se institucioni i tij i ishte drejtuar firmës ndërtuese, e cila nuk u ka kthyer asnjë përgjigje tre letrave nga azili. Po në të njëjtën mënyrë firma ka vepruar edhe me Ministrinë e Punës, duke mos kthyer asnjë përgjigje, çka sipas kreut të azilit lë të kuptohet se pret që të kalojë afati i garancisë njëvjeçare për t’i shpëtuar përgjegjësisë, edhe pse kaldajat nuk funksionuan asnjëherë. Por nuk janë vetëm këto problemet në azilin e të moshuarve. Mjaft prej dyerve kanë pësuar dëmtime, duke bërë që të dalin nga mbajtëset e tyre. Po kështu, probleme janë vërejtur edhe me kuzhinën dhe banjat, të cilat kanë pësuar mjaft dëmtime si pasojë e cilësisë së ulët të punimeve.
Drejtori: S‘përballojmë ngrohjen me kondicionerë
TIRANE – Drejtori i Azilit, Resul Domi, pohoi dy ditë më parë për gazetën se ngrohja e të moshuarve gjatë dimrit ishte realizuar nëpërmjet kondicionerëve. Sipas tij, kjo ishte e vetmja zgjidhje pasi sistemi qendror i ngrohjes kishte dalë jashtë funksionit ende pa nisur punë. Domi tha se ishte i ndërgjegjshëm që nëpërmjet kondicionerëve nuk arrinte të plotësonte 100% nevojat e të moshuarve, kjo për shkak të mungesës së energjisë dhe konsumit të tepërt të saj. Sipas tij, kondicionerët ndizeshin gjatë disa orareve të ndryshme të ditës për të mbajtur deri diku një temperaturë konstante nëpër dhomat e të moshuarve. Kreu i azilit tregoi punimet e dobëta të kryera në ndërtimin e kaldajave dhe tubat e dëmtuar nga presioni i ujit të ngrohtë, të cilët më pas kanë dëmtuar edhe muret e ndërtesës. Ndërkohë, burime të tjera nga ky institucion pohojnë se përdorimi i kondicionerëve për ngrohjeje ka bërë që një pjesë fondeve të këtij viti të kalojë për pagimin e faturave të energjisë elektrike. f.m.
Të moshuarit denoncuan skandalin
TIRANE - Denoncimi i skandalit të abuzimeve me tenderin e rikonstruksionit të godinës së azilit u denoncua pak kohë më parë nga të moshuarit, që jetojnë në këtë institucion. Të pakënaqur nga kushtet, me të cilat ata u përballën gjatë dimrit të ftohtë bënë publik skandalin, me qëllimin që të riparohen deri diku problemet, të paktën që të mos jenë prezentë në dimrin e ardhshëm. Problemet me kushtet e këqija që u krijuan në ndërtesë pas rikonstruksionit ka bërë që një pjesë e fondeve të parashikuara për aktivitet të kalojnë për të kryer riparime.
Komisioni s‘mori në dorëzim punimet
Komisioni i ngritur për vlerësimin e cilësisë së punimeve në Azilin e të Moshuarve në Tiranë, nuk ka pranuar të firmosë marrjen në dorëzim të punimeve pas kërkesës së bërë nga firma private. Që në verifikimet e para mësohet se anëtarët e komisionit të vlerësimit kishin gjetur të mëdha dhe mangësi që i kanë detyruar të mos marrin punimet në dorëzim.
Vdekjet
Historia e Azilit të së Moshuarve në kryeqytet ka edhe një anë tjetër të saj. Në kohën kur punimet për rikonstruksionin e godinës kishin filluar, të moshuarit u lajmëruan se do të vendoseshin në një godinë tjetër në Kamëz me qëllim që të lironin ambientet. “Gjatë qëndrimit tonë në këtë objekt banimi në Kamëz, për shkak të kushteve të rënda, të ftohtit, lagështirës dhe mungesës së dritave, vdiqën shtatë nga të moshuarit”, thonë burimet nga Azili i të Moshuarve në kryeqytet. Sipas tyre ata u larguan na azili për dy muaj, por u desh të prisnin gjatë mbarimin e punimeve.