E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për 5 mijë lekë, 14-vjeçari vret vëllain

 

Etleva Delia

Një adoleshent qëlloi disa herë me thikë vëllain e tij 23-vjeçar, duke i shkaktuar plagosje të rëndë e më pas vdekjen në Spitalin Ushtarak.Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 19:00 kur autori i krimit dhe viktima patën një debat mes tyre për një shumë parash prej 5 mijë lekësh të vjetra. Burime nga policia thanë se autori është ndalur vetëm pak minuta, pasi ka kryer vrasjen. Ai dyshohet se është 14-vjeçari Granit M., banues në Laknas të kryeqytetit. Ndërkohë që viktima e krimit në familje është 23-vjeçari Alfred Marku. Menjëherë pas arrestimit, 14-vjeçari ka pranuar autorësinë e krimit, por në kushte të rënduara psikologjike pas krimit të kryer nuk ka arritur të japë shumë shpjegime rreth motive, që e kishin çuar drejt ngjarjes së rëndë. I dyshuari ka pohuar se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të momentit që ka pasur me vëllain e tij 23 vjeç, por pa dhënë detaje. Burime nga policia bënë të ditur se ai do të merret sërish në pyetje në prani të një psikologu.
VRASJA
Policia tha se 23-vjeçari Alfred Marku po shkonte në shtëpi rreth orës 19:00 kur ka kaluar në një rrugicë të lagjes ku është takuar me vëllain e tij Granit M., në Laknas. Në atë moment ai është përballur me 14-vjeçarin dhe ka pasur një debat për një shumë parash, që babai i dy djemve ia kishte dhënë të madhit. Adoleshenti mësohet se kishte kërkuar ndarjen e parave, por pasi nuk ka gjetur marrëveshje me vëllanë ka nxjerrë thikën dhe ka goditur 23-vjeçarin disa herë në stomak, duke e lënë të plagosur rëndë. Më vonë autori ka lajmëruar familjarët, i penduar nga krimi që kishte kryer, ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Por sipas mjekëve plagët kanë qenë shumë të thella dhe i riu ka ndërruar jetë ende pa u futur në sallën e operacionit. Policia ka arrestuar menjëherë të dyshuarin si autor të kësaj ngjarje, 14-vjeçarin Granit M., i cili paraprakisht edhe pse i ndodhur në një gjendje të rënduar psikologjike e ka pranuar krimin, por nuk ka mundur të jepte më shumë shpjegime rreth ngjarjes. Një grup hetimor i ngritur për ngjarjen e mbrëmshme, nga Komisariati Nr.5 dhe Sektori i Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shoqëruar disa persona të njohur të viktimës dhe autorit, për t’i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ndërkohë, deri në orët e vona të ditës së djeshme ngjarja është cilësuar si e ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit, ndërkohë që sot pritet të merret në pyetje sërish 14-vjeçari Granit M., në praninë e një psikologu.

Vrasja me thikë për një fjalë
Policia e kryeqytetit filloi dje hetimet për vrasjen e ndodhur në Laknas, ndërsa nga dëshmitë dhe informacionet e mbledhura, duket se krimi ka ndodhur për një fjalë. Në përballjen e tyre para ngjarjes, viktima dhe autori i krimit mësohet se kanë shkëmbyer mes tyre disa fjalë me tone të larta. Ata mësohet se kanë debatuar për shkaqe ende të paqarta, ndërsa në një moment të sherrit, mësohet se 23-vjeçari ka artikuluar disa sharje në drejtim të Granit M. Ky i fundit çuditërisht ka pasur me vete një thikë, të cilën siç duket i nxitur nga sharja e ka vënë menjëherë në përdorim, duke qëlluar kundërshtarin i cili gjeti vdekjen disa orë më pas në Spitalin Ushtarak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›