Pango, kontroll regjistrit të takimeve
Trazhgim Sokolaj
Regjistrimet filmike dhe zanore të ish-ministrit të Kulturës Ylli Pango dhe vajzave, që kërkonin punë prej tij përmbajnë elementë të veprave penale. Prokuroria vendosi të regjistrojë procedimin penal me objekt hetimin e personave të ekspozuar në regjistrimet e bëra publike nga emisioni “Fiks Fare” në “Top-Channel”. Personat në fjalë dyshohet se janë implikuar në të paktën katër vepra penale që bëjnë fjalë për “kryerje të marrëdhënieve seksuale duke shpërdoruar detyrën, mbetur në tentativë” dhe “korrupsion pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 248, 105 dhe 259 të Kodit Penal. Grupi hetimor i drejtuar nga prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme Anila Leka me përbërje nga oficerë të Task-Forcës Antikorrupsion ka përfunduar shqyrtimin paraprak të materialeve filmike dhe zanore, që u sekuestruan javën që shkoi në studiot e emisionit “Fiks Fare”. Prokuroria tha se ka gjetur diferencë mes materialeve bruto dhe pjesës që është transmetuar, megjithatë sipas hetuesve regjistrimet janë verifikuar si origjinale dhe pa ndërhyrje teknike. Pas këtij konstatimi të mbështetur edhe nga specialistë të fushës, Prokuroria konstatoi se regjistrimet përmbajnë elementë të veprave penale për të cilat duhet të hetohet më tej. Deri të shtunën në orët e mëngjesit, grupi i hetimit ishte në fazën e verifikimeve paraprake për vërtetësinë e materialeve të publikuara, ndërsa pas konfirmimit të autenticitetit është vendosur regjistrimi i procedimit penal. Një hap i tillë i Prokurorisë përbën zyrtarisht fillimin e hetimeve për ngjarjen e konsideruar si një skandal seksual, ku ish-ministri kërkon favore personale nga studentet e interesuara për punë. Burimet zyrtare të Prokurorisë konfirmuan megjithatë se në regjistrin e veprave penale për këtë çështje nuk është vendosur emri i ndonjë personi konkret, pasi shënimi i emrit të ish-ministrit mund të realizohet vetëm në rast të heqjes së imunitetit parlamentar.
Kontroll në ministri
Duke qëndruar ende në fazën e hetimit për veprat penale që dyshohet se janë kryer, pa kaluar ende në veprime ndaj personave konkretë, prokuroria tha se do të verifikojë disa të dhëna në Ministrinë e Kulturës. Bëhet fjalë për regjistrat e hyrje-daljeve ku do të kërkohet të zbardhen të gjitha “vizitat” e vajzave që kërkonin punë, të cilat kanë zhvilluar takime dhe biseda me ish-ministrin Ylli Pango. Regjistra të tillë mbahen në çdo ministri dhe sipas rregullores, në to shënohet emri dhe mbiemri i çdo vizitori, ora e hyrjes dhe daljes si dhe personi pritës bashkë me qëllimin e takimeve. Hetuesit thanë se mund të sekuestrojnë fletët e regjistrit, që janë mbajtur gjatë muajit shkurt 2009. Sipas organit qendror të akuzës, objekt hetimi do të jenë edhe personat që kanë qenë pjesë e stafit të ngushtë të ish-ministrit, të cilët siç duket edhe nga imazhet e regjistruara, kanë kontaktuar me vajzat, që kërkonin takime me ish-zyrtarin e Ministrisë.
Telefonatat
Organi i akuzës ka identifikuar tre numra celularë, të cilët do të verifikohen në interes të hetimeve për skandalin seksual të ish-ministrit të Kulturës. Numri i parë i evidentuar është ai që ka përdorur Ylli Pango, ndërsa dy numrat tjerë janë përdorur nga vajzat e kontaktuara prej tij. Për të gjithë këta numra telefonikë, prokuroria u kërkoi kompanive përkatëse një evidencë të plotë të thirrjeve hyrëse e dalëse, si dhe të mesazheve për muajin shkurt 2009. Grupi hetimor që ka kërkuar këto të dhëna, tha se në praktikën e zakonshme të zbardhjes së tabulateve për qëllime hetimi, procedura zgjat të paktën dy javë derisa materiali vihet në dispozicion të Prokurorisë.
Objekt hetimi Instituti i Psikologjisë
TIRANE – Një tjetër veprim i hetuesve për llogari të hetimeve, që nisën lidhur me skandalin e ish-ministrit Pango është edhe kontrolli me autorizim gjykate në Institutin e Studimeve Psikologjike. Në këtë institucion Prokuroria tha se do të kërkojë deklaratat dhe dokumentet e marrëdhënieve të subjektit me autoritetet e Tatim-Taksave dhe organet e tjera shtetërore. Gjatë këqyrjes së dokumentacionit, hetuesit thanë se do të kërkojnë të identifikojnë ndonjë projekt, që Instituti mund të ketë marrë nga shteti me ndikimin e ish-ministrit Pango, ndërsa do të shikohet me imtësi edhe raporti i dypunësimit të zyrtarëve të Ministrisë, që Pango pranon se i kishte angazhuar edhe në institucionin privat të hedhur në emër të mbesës për të shmangur zbulimin e konfliktit të interesit.