E Diel, 1 Nëntor 2026

Predhat, gjobë 174 milionë lekë Ministrisë së Mbrojtjes

 

TIRANE - Ilir Havalja, 20-vjeçari që ka çuar në gjyq Ministrinë e Mbrojtjes duhet të përfitojë 174 milionë lekë dëmshpërblim për plagosjen nga predhat. Dëmtimi i rëndë në të dy sytë, bllokimi i dëgjimit dhe plagët e shumta të shkaktuara nga shpërthimi, sipas të riut duhet të kushtonin 96 milionë lekë të vjetra. Por tre ditë më parë, një ekspert kontabël ka dorëzuar në gjykatë akt-ekspertimin sipas detyrave të dhëna nga trupi gjykues. Shuma e nxjerrë nga eksperti e kalon atë që ka kërkuar i riu, ndërsa gjykata do të vendosë për të seancën e radhës, pasi të dëgjojë pretendimet e palëve. Kështu, eksperti kontabël ka llogaritur se dëmshpërblimi për dëmin e shkaktuar të riut duhet të kapë vlerën e 17.454.664 lekëve të reja. Kjo e llogaritur në: 5.596.834 dëmshpërblim për dëmtimet fizike; 2.902.731 lekë për përkujdesjen ndaj tij; 2.238.733 lekë për dhimbjet dhe vuajtjet shpirtërore; si dhe 8.954.933 lekë të reja për dëmin jopasuror të shkaktuar atij. Gjyqi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes ka nisur në verë të vitit të kaluar, ndërsa i riu, i cili është verbuar dhe gjymtuar si pasojë e një shpërthimi në një poligon qitjeje në kryeqytet kërkon të dëmshpërblehet për dëmtimet e rënda dhe të pariparueshme që ka pësuar. Sipas tij, autoriteti përgjegjës është Ministria e Mbrojtjes, e cila duhet ta shpërblejë për dëmtimin e shëndetit të tij, në vlerën e 96 milionë lekëve të vjetra, si dhe të paguajë një person, mundësisht mjek 24 orë në 24, për t’i shërbyer pas gjymtimit. Po kështu Havalja kërkon të shpërblehet morali i tij, që pas kësaj ngjarje ai nuk ka më mundësi të shijojë jetën, por jeton në ankth, dëshpërim dhe frikë. Gjatë seancave të mëparshme gjykata administroi provat e paraqitura nga palët, ndërsa seancën e kaluar iu ngarkuan detyrat ekspertit për të përcaktuar dëmin e shkaktuar të riut. Ngjarja e rëndë, në të cilën Ilir Havalja u plagos rëndë ka ndodhur më 28 tetor 2005 në pyllin pranë Kafes së Rremës, në periferi të kryeqytetit, pranë një poligoni ushtarak për qitje. Iliri, atëherë 17 vjeç ndodhej bashkë me dy kushërinjtë e tij, vëllezërit Gentian dhe Hamit Çupi, 21 dhe 13 vjeç, duke prerë dru në atë zonë. Aty ata kanë prekur pa dashje një predhë, e cila ka shpërthyer duke dëmtuar rëndë Havaljen, i cili humbi krejt shikimin, rreth 80% të dëgjimit si dhe iu dëmtuan rëndë gjymtyrët. Ndërsa dy kushërinjtë e tij fatmirësisht morën dëmtime më të lehta. Pas shpërthimit tre të dëmtuarit u dërguan në Spitalin Ushtarak, ku dy vëllezërit Çupi pas marrjes së mjekimeve u kthyen sërish në banesë, ndërsa kushëriri i tyre Havalja qëndroi për një kohë të gjatë i shtruar. Pasi ka kaluar gjendjen e vështirë për jetën, 20-vjeçari, i cili shoqërohet kudo nga prindërit, iu drejtua Gjykatës së Tiranës, pas konsultave me juristë. Argumentet kundër ministrisë ai i mbështet në faktin se dikasteri i Mbrojtjes, si autoriteti përgjegjës shtetëror duhet të pastronte territorin nga të gjitha sendet e rrezikshme, si dhe të njoftonte qytetarët për rrezikun.                              f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›