E Diel, 1 Nëntor 2026

Plumb kokës në teqenë e fshatit

 

TEPELENE

Duke iu lutur zotit ta çojë në parajsë, një 18-vjeçar u vetëvra me armë zjarri dje në fshatin Levan të Tepelenës. I riu është futur në teqenë e fshatit dhe i dha fund jetës me një plumb në kokë. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 të së shtunës. Amarildo Jahaj, banues në Fier, ishte larguar nga shtëpia e tij drejt Tepelenës, në fshatin ku ai kishte lindur. Në fillim ai kishte shkuar tek banesa e të afërmve dhe më pas, kur ishte errësuar, i është drejtuar teqesë së fshatit. Sipas policisë, dyshohet se 18-vjeçari kishte si qëllim të udhëtonte drejt Levanit, për t’u vetëvrarë në objektin e kultit bektashian. I pajisur me një pistoletë tip “Bereta”, adoleshenti ka marrë drejtimin për në teqenë e fshatit. Në përpjekje për të hyrë brenda saj, ai mësohet se ka shkëmbyer fjalë edhe me kujdestarin e objektit fetar. Ky i fundit nuk kishte pranuar ta lejonte atë të futej në kushtet e errësirës së plotë. Mirëpo djali është futur forcërisht. Sipas dëshmisë së rojës së objektit të kultit, adoleshenti ka qëndruar pak minuta ku ka nisur të lutet me zë. Lutja e tij është predikuar te varri i Baba Aliut, që gjendet brenda ambienteve të teqesë. “Më ço në parajsë se aty dua të takoj engjëjt. Nuk dua të jetoj në këtë botë”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të 18-vjeçarit, të cilat u pasuan me një goditje të vetme në kokë. Sipas policisë, plumbi ka depërtuar në anën e djathtë të profilit të kokës, duke sjellë vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj ngjarjeje, janë njoftuar prindërit e djalit të cilët kanë mbërritur nga Fieri. Sipas tyre, 18-vjeçari kishte shfaqur kohët e fundit probleme të theksuara psikike. Në vendngjarje mbërriti edhe grupi hetimor, i cili sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit me të cilën u vetekzekutua adoleshenti, pistoletë tip “Bereta” si dhe gëzhojën e vetme. Policia bëri të ditur se është duke hetuar mënyrën se si viktima është pajisur me armë zjarri. Kjo vetëvrasje vjen pas ngjarjes së ndodhur më 9 janarit, ku Orgert Ramadani 22 vjeç nga fshati Piskovë i Përmetit, vari veten në degën e një peme bajame, pasi prindërit nuk e lejuan të martohej me të dashurën e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›