MASH ‘dorëzohet’ para studentëve
vlore/ QEMAL BIRAKU
Ministria e Arsimit plotëson kërkesën e studentëve të Juridikut të Vlorës për diplomën e sistemit 4-vjeçar. Në ditën e katërt të grevës së urisë së 11 të rinjve, ky dikaster si dhe rektorati i universitetit “Ismail Qemali” kanë rënë dakord për njohjen e diplomës. Por, ndonëse ky vendim u bë i njohur për studentët që në orët e mesditës, në mbrëmje ata ishin të pavendosur për ta lënë ose jo grevën e urisë. Vetë studentët që mbaruan këtë vit Fakultetin e Drejtësisë janë përplasur mes tyre për ecurinë e grevës së urisë. Gjatë ditës së djeshme ata kanë pasur shqetësime fizike, madje njëri prej studentëve është dërguar në spital për të marrë mjekimin e duhur. Njohja e grevistëve me vendimin më të fundit të Ministrisë së Arsimit është bërë me ndërmjetësinë e deputetëve të Vlorës. Përfaqësuesi demokrat, Ardian Kollozi, u shpreh në ambientet e grevës, se: “Ministria e Arsimit i ka dërguar sot një shkresë zyrtare rektorit të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës në lidhje me formën e diplomave të studimeve 4-vjeçare. Sipas saj, studimet 4-vjeçare të përfunduara në vitin akademik 2008-2009 janë programe të papërshtatura me standardet e Bolonjës dhe diplomat e tyre njihen si diploma të sistemit të vjetër, pra si diploma universitare 4-vjeçare. Në bazë të nenit 89, të ligjit të Ligjit të Arsimit të Lartë, këto diploma janë ekuivalente me “Diploma të Integruara të Nivelit të Dytë”. Kollozi i ka ftuar studentët të dalin nga greva, pasi problemi që ata kishin u zgjidh. Po dje, me anë të një e-maili rektori Tanush Shaska u bëri me dije studentëve dhe pedagogëve se do të zbatohet vendimi i MASH-it. Sipas tij, do të nevojiten 1 ose 2 javë kohë deri në printimin e të gjitha diplomave 4-vjeçare që janë dhënë sivjet. “Ky është viti i fundit që Universiteti i Vlorës jep diploma katërvjeçare”, ka theksuar Shaska. Megjithë këto deklarata zyrtare, grevistët deri në mbrëmje vonë nuk ishin të vendosur për ta braktisur atë. Sipas tyre, duhet që senati i universitetit t’u bëjë të njohur një formë të diplomës së re që ata të japin mendimin e tyre. Studentët dje u vizituan edhe nga deputetët socialistë Ledi Shamku dhe Eltar Deda, të cilët kërkuan gjetjen e një zgjidhjeje. Në ditën e katërt të grevës, një prej studentëve i është drejtuar mjekimit spitalor, për shkak të gjendjes së tij të rënduar. Mjekët thanë se ai ka pasur komplikacione për shkak të mosushqyerjes dhe humbjes së lëngjeve, duke e parë mjekimin e tij të pamundur në kushte të tilla. Në orët e pasdites ai është rikthyer në ambientet e grevës.