Denoncimi/Ina Rama, qëllime kriminale në dëm të mazhorancës, në prag të zgjedhjeve

Partia Republikane ka akuzuar kryeprokuroren për marrjen përsipër të një roli të dyshimtë politik, kryesisht denigrues për forcat në qeverisje, në prag të nisjes së fushatës zgjedhore
TIRANE - Partia Republikane ka akuzuar dje publikisht Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, e cila sipas tij, “ka realizuar qëllimet e saj kriminale në dëm të autoritetit të Kryetarit të Partisë Republikane dhe mazhorancës, në prag të zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Shqipërisë, ka shkelur në mënyrë të hapur ligjin duke publikuar fakte të hetimit dhe duke bërë interpretime publike të tyre”.
Në një komunikim për shtyp, kryetari i grupit parlamentar republikan, Arjan Madhi u shpreh se veprimi i Prokurores së Përgjithshme vjen në kundërshtim me nenin 30 të Kushtetutës, i cili garanton prezumimin e pafajësisë si dhe nenin 103 i Kodit Penal në pikën 2 të tij që përcakton, “ndalohet publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve josekrete deri në përfundimin e hetimeve”.
Madhi deklaroi se, “vjen ky denoncim i yni, pasi dosja është depozituar në gjykatë dhe nuk përbën kurrsesi presion mbi organin e Prokurorisë, por kërkesë për të vendosur të barabartë përpara ligjit, deputetin, prokurorin dhe qytetarin e thjeshtë. Në çdo vend demokratik ku drejtësia është vërtetë, e pavarur çdo prokuror në një rast të tillë do të largohej për shkak të paligjshmërisë së veprimit të tij”, u shpreh Madhi.