E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria Berisha, qeveria e reformave të suksesshme

Kreu i qeverisë takon ish-kryeministrin e Hungarisë, Peter Medgyessy

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim, ish kryeministrin e Hungarisë, z. Peter Medgyessy, si pjesëmarrës në Forumin Ekonomik të Crans Montana-s.
Medgyessy përgëzoi kryeministrin Berisha për rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria e tij dhe me kurorëzimin e tyre me anëtarësimin në NATO.
Ish kryeministri i Hungarisë shprehu gëzimin që në këtë moment historik kishte mundësinë të ndante kohën më kryeministrin e Shqipërisë, për të folur rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në Shqipëri dhe në rajon.
“Shpreh mendimin tim dhe të kolegëve të mi të parlamentit Evropian se Kryeministri i Shqipërisë dhe qeveria e tij kanë ecur në rrugë të drejtë dhe kanë zbatuar reforma të suksesshme. Shqipëria deri tani është konceptuar si vend me ekonomi shumë të mirë nga pikëpamja makro-ekonomike, me politika shumë të suksesshme, prandaj edhe qeveria hungareze e ka mbështetur fuqimisht në këtë rrugë të suksesshme”, u shpreh Medgyessy
Ai theksoi se qeveria hungareze do të jetë mbështetëse e qeverisë shqiptare në këtë rrugë të suksesshme reformash, jo vetëm si mbështetëse për anëtarësimin në NATO, por edhe drejt Bashkimit Evropian.
Ndërsa kryeministri Berisha falenderoi qeverinë hungareze për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe ratifikimin e MSA-së, si dhe për të gjitha reformat dhe e garantoi se Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt zhvillimit duke përcaktuar si objektiv të menjëhershëm, zgjedhje te lira dhe të ndershme, konform standardeve evropiane. Më tej, gjatë bashkëbisedimit kryeministri Berisha prezantoi situatën ekonomiko-politike të Shqipërisë dhe ndau të njëjtin mendim lidhur me krizën ekonomike qe ka mbërthyer botën si dhe i shpjegoi ish kryeministrit hungarez situatën e qëndrueshme dhe të shëndetshme të ekonomisë shqiptare.
Ish kryeministri hungarez, Medgyessy përfundoi duke thënë se qeveria hungareze nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka konfirmuar dhe mbështetur atë çfarë ka bërë qeveria shqiptare në aplikimin e standardeve ndërkombëtare dhe transparencën në të gjitha politikat dhe reformat e saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›