Denoncohet nga e shoqja për dhunë, procedohet 37-vjçari
Ndriçime Mançe ka akuzuar të shoqin se e ka dhunuar. Policia nis hetimet
TIRANË- Dhunon bashkëshorten, përfundon në polici një 37-vjeçar. Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, duke u gdhirë dita e djeshme në Tiranë, kur Genci Mançe akuzohet se ka ushtruar dhunë mbi bashkëshorten e tij, Ndriçime Mançe, 27-vjeçe. Sipas denoncimit në polici mësohet se Mançe është kthyer në banesën e tij në orët e vona të darkës, në gjendje të dehur. Ai ka nisur të debatojë me bashkëshorten e tij, e cila është përpjekur t'i japë fund sherrit. Por një gjë e tillë duket se jo vetëm që nuk ka ndodhur, por ka vazhduar më tej duke denigruar në dhunë. Pas fjalëve të ndërsjella, 37-vjeçari akuzohet se ka filluar të godasë gruan e tij. Kjo e fundit menjëherë pasi ka shpëtuar nga duart e bashkëshortit të saj, ka kërkuar menjëherë ndihmën e policisë. Efektivat e policisë së komisariatit nr.2, të cilët kanë në juridiksion zonën ku banon çifti Mançe, janë vënë menjëherë në lëvizje për të ndaluar burrin. Burime nga policia thanë se 37-vjeçari u kap në banesën e tij dhe u shoqërua në ambientet e komisariatit për t'u marrë në pyetje. Sipas deklaratës së 27-vjeçares, burri i saj ndodhej nën efektin e alkoolit në momentin që ka ushtruar dhunë. Ndërkohë që policia ka marrë në pyetje Genci Mançen i cili në deklaratën e tij ka mohuar të ketë ushtruar dhunë mbi gruan e tij. Megjithatë policia tha se ndaj tij ka nisur ndjekja penale të veprën penale të "plagosjes së lehtë". Burime zyrtare nga policia shtuan se po punohet për të zbardhur motivin e kësaj ngjarjeje. Vetëm një javë më parë një 25-vjeçar masakroi me thikë bashkëshorten e tij në gjendje të dehur. Dan Hurta goditi me thikë në zemër 22-vjeçaren Dafina Havalja me të cilën bashkëjetonte prej pak kohësh, ndërkohë që krimet në familje kanë shqetësuar policinë dhe Ministrinë e Brendshme, kohët e fundit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani urdhëroi pak ditë më parë policinë të marrë masa të rrepta për të parandaluar krimin në familje.