Vdes në mënyrë enigmatike 22 -vjçari nga Fieri
Armand Bushio është ndier keq sapo ka nisur të darkojë dhe më pas ka rënë në koma. Vdiq sapo e dërguan në spital
FIER- Vdes në mënyrë misterioze një 22- vjeçar nga fshati Grecalli i rrethit të Fierit. Armand Bushi ka gjetur vdekjen papritur në orët e vona të së mërkurës teksa gjendej në ambientet e banesës së tij. Pak kohë më parë, ai kishte dalë nga shtëpia vetëm për të pirë një kafe por sapo është kthyer ka rënë në kllapi e më pas ka vdekur. As policia lokale nuk ka mundur që të zbulojë deri tani shkaqet e kësaj vdekjeje misterioze. Familjarët kanë pohuar se ai nuk vuante nga asnjë sëmundje ndërsa mjekët ligjorë janë duke punuar me trupin e të riut për të zbuluar shkakun e vdekjes së papritur.
Nga të dhënat e para që ka mbledhur policia e Fierit në fshatin Grecalli, 22 -vjeçari Armand Bushi njihej sidjalë i rregullt dhe kishte marrëdhënie shumë të mira me të gjithë banorët e tjerë. Ditën e ngjarjes ai ishte kthyer nga puna ku gjithçka kishte shkuar mirë dhe nuk kishte pasur asnjë shqetësim. Më pas 22- vjeçari kishte mbaruar disa punë personale dhe ka shkuar në një lokal në fshat. Aty është takuar me disa nga miqtë e tij dhe ka pirë një kafe si zakonisht. Armand Bushi është takuar në lokal edhe me një kushëririn e tij dhe të dy kanë dalë nga lokali rreth orës 19.00 të mbrëmjes. Të dy kushërinjtë kanë shkuar në shtëpi dhe Armandi ka kërkuar të darkojë. Por sapo ka nisur darkën ai e ka ndier veten shumë keq dhe në këto kushte i ka thënë nënës së tij ta fërkonte nga shpatulla pasi ndjente një dobësi në trup. Pas kësaj ai ka shkuar në tualetku ka nisur që të vjellë. Sapo nëna e tij ka shkuar të shohë se çfarë po ndodhte, 22-vjeçari ka rënë në dyshemenë e dhomës pa shenja jete. Nëna e tij është përpjekur që ta sjellë në vete por Armand Bushi nuk po përmendej.
Në këto kushte nëna e tij ka njoftuar fqinjët, të cilëve u ka kërkuar edhe ndihmë. Djali i sëmurë është dërguar me urgjencë në spital me makinën e njërit prej fqinjëve të tij. Por edhe gjatë rrugës ai nuk ka dhënë asnjë shenjë përmirësimi. Mjekët e spitalit pohuan dje se ai ka gjetur vdekjen sapo ka hyrë në repartin e urgjencës. Ata janë përpjekur që ta sillnin në jetë po gjithçka ka qenë e pamundur. Më pas mjekët e urgjencës kanë njoftuar policinë lokale për vdekjen e 22- vjeçarit. Policia e Fierit ka mbërritur disa minuta më vonë në spital ku ka marrë edhe dëshmitë e para të familjarëve dhe mjekëve. Hetuesit kanë shkuar edhe në banesën e Armand Bushit por as aty nuk kanë gjetur ndonjë detaj që t'i ndihmonte për shkaqet e vdekjes së dyshimtë. Hetuesit e çështjes pohuan dje se janë në pritje të vendimit të mjekëve ekspertë dhe se është kërkuar ndihma e mjekëve ligjorë nga kryeqyteti.
Kufoma është dërguar në morgun e spitalit të Fierit dhe kanë nisur analizat për gjetjen e shkaqeve të vdekjes. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme as mjekët nuk kanë mundur që të zgjidhin misterin e kësaj vdekjeje dhe mostrat e marra në trupin e tij janë nisur për në laboratorin në Tiranë. Policia u ka thënë të afërmëve të djalit, të cilët kishin mbushur ambientet e jashtme të morgut, sepërgjigjja e analizave do të dalë shumë shpejt dhe më pas gjithçka do të sqarohet lidhur me rrethanat e vdekjes. Ata tepër të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë kanë pritur deri sa mjekët kanë mbaruar ekspertizëndhe më pas kanë marrë kufomën e djalit duke e shpënë në shtëpipër t'i bërë nderet e fundit.