E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjosa del nga shtrati, 70 shtëpi të përmbytura

PËRMBYTJET/ Reshjet kanë shkaktuar probleme, teksa emergjencat vetëm sa kanë paralajmëruar që banorët të kenë kujdes

Lumi Vjosë ka dalë nga shtrati gjatë mesnatës duke përmbytur dhjetëra shtëpi banimi në Ferras, Kafaraj, Cerven, Mifol, Bocovë e Novoselë.

Nga kjo përmbytje më shumë e kanë pësuar banesat e ndërtuara shumë afër këtij lumi. Problemet më të mëdha kanë qenë pranë urës së Mifolit, ndërkohë që banorët kanë përfunduar mbi banesa për shkak se shtëpia është përmbytur nga uji.

Në tarracat e shtëpive janë ngjitur jo vetëm njerëzit, por edhe bagëtitë e shpendët. Vërshimi i ujërave ka nisur në mesnatë, ndërsa njerëzit nuk kanë qenë të përgatitur, teksa u janë dëmtuar orenditë shtëpiake, përveç mbytjes së shpendëve shtëpiake.

Rruga nacionale e përmbytur

Gjithashtu edhe në rrugën nacionale Fier - Vlorë është përmbytur një segment prej rreth 100 metrash. Këtu mjetet në të dyja krahët kanë lëvizur me vështirësi, ndërsa policia ka qëndruar në zonë për të lehtësuar qarkullimin

Në Novoselë lumi ka kërcënuar familjet e Qani Shehut, Bajazit Shehut dhe Vladimir Saliasit, pasi banesat e tyre janë vetëm 50 metra larg bregut të lumit Vjosë.

Ata bashkë me fëmijët kanë dalë me shpejtësi, teksa kanë qëndruar pranë shinave të trenit. Ndërkohë, disa prej anëtarëve të familjeve kanë mbetur brenda banesave të bllokuar. Gjatë paradites së djeshme, forca të emergjencave civile kanë mbërritur në vend për të nxjerrë banorët nga shtëpitë.

Shtabi i urgjencës në Fier

Alarmi për daljen e lumit Vjosë nga shtrati është dhënë që të dielën në mbrëmje nga shtabi i emergjencës së prefekturës së Fierit.

Kjo ka bërë që shumë prej banorëve që ndodheshin pranë lumit t'i kishin marrë masat duke nxjerrë sendet shtëpiake nga banesat e tyre. Deri në orën 10 të paradites së djeshme, qindra hektarë tokë ishin nën ujë, ndërsa pritej që në orët në vazhdim niveli i ujit të binte.

Në vendin e ngjarjes kishte edhe forca të policisë dhe ato zjarrfikëse, të pranishme gjatë gjithë natës, si dhe në orët në vazhdim për të evituar ndonjë problem. Prefekti i Fierit u shpreh se situata ishte vërtet shqetësuese.

Ai pohoi se janë angazhuar strukturat e forcave të armatosura, si dhe shërbimet mjekësore dhe zjarrfikëse. Ndërkohë për shtëpitë e prekura nga përmbytja, ai tha se dëmet do të verifikohen nga një komision, për t'u dëmshpërblyer sipas ligjit.

Përmbyten rreth 70 shtëpi në Novoselë

Të hënën, shumë fshatra të komunës Novoselë janë gdhirë nën ujë, të përmbytura nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati. Fshati Bishan i Novoselës, si dhe fshatra të tjerë, si Fitore, janë përmbytur nga ujërat e rrëmbyeshëm. Sipas banorëve të zonës së Bishanit, uji ka arritur në disa zona deri në lartësinë një metër e gjysmë. Shumicës së banorëve në këtë zonë u janë përmbytur tokat, të mbjellat e tyre, si dhe ushqimi i thatë, të cilin e përdorin për të ushqyer bagëtinë.

Të tjerë banorë kanë pasur dëme në bagëti. Grupe nga emergjencat civile kanë evidentuar në vend situatën, ndërkohë që sipas prefektit të Vlorës, Hasan Halili, situata ka qenë e qetë të dielën, por rreth orës 21:00 lumi ka filluar të fryhet dhe në mesnatë ka plasur një nga argjinaturat e tij, gjë që ka çuar në daljen e menjëhershme të lumit Vjosë, si dhe përmbytjen e komunës Novoselë. Halili thotë se përmbytja ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm.

Ndërsa, sipas kryetarit të komunës Novoselë, Rahit Llanaj, në zonën e Bishanit janë përmbytur rreth 70 shtëpi e nën ujë janë toka të tëra që nuk mund t'i përllogarisësh dot për arsye se janë me qindra hektarë tokë të përmbytur. Banorë të zonës thonë se shumë prej banesave përmbyten për herë të parë dhe për vërshimin e ujit ka ndihmuar edhe prishja e një prej argjinaturave, për shkak të punimeve që po kryhen në autostradën Levan-Fier.

Banorë të tjerë, të cilët edhe më parë janë prekur nga përmbytjet, shprehen pesimistë për gjendjen që u sjell dimri, i cili i izolon në katet e sipërme të banesave, i dëmton shpeshherë, ndërkohë që masat e marra, sipas tyre janë vetëm grupe pune dhe vëzhgime statistikore. Situata të përmbytjes së tokave ka pasur edhe në Selenicë, në të cilën janë dërguar mjete në ndihmë të zhbllokimit të kanalizimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›