E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncoi Selmanllarin, arrestohet

Brigadieri është arrestuar me akuzën e dëshmisë së rreme në gjykatë por ai është bërë i njohur kohë më parë për një tjetër fakt shumë të rëndësishëm.

Veiz Muça është njeriu i vetëm që ka denoncuar implikimin e djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berishës në tragjedinë e Gërdecit. Ky implikim ka ndodhur nëpërmjet mikut të tij, Rrahman Selmanllari, i cili drejtonte punimet në fabrikën e vdekjes.

Pak ditë pas shpërthimit tragjik, Muça ka rrëfyer për lidhjet e familjes kryeministrore si dhe për "Xhimin", baxhanakun e Sali Berishës, i cili drejtonte operacionet në Gërdec.

I pyetur për "Xhimin", Berisha tha në atë kohë se i vinte keq që kishte vdekur por nuk kishte arritur që ta njihte. Dëshmitë e Muçës për personat e rëndësishëm që drejtonin Gërdecin nuk "kanë rënë në vesh të prokurorisë", e cila është kapur me të në lidhje me faktin që punonin apo jo të mitur në Gërdec. Ende nuk dihet nëse dëshmia është ndryshuar nga frika apo ka ndonjë arsye tjetër.

Muça është pyetur dje nga prokuroria në lidhje me funksionimin e fabrikës së Gërdecit por përgjigjet e tij kane qenë kryesisht të paqarta ose është mjaftuar me thënien "nuk e mbaj mend". Edhe trupi gjykues është habitur me përgjigjet e dëshmitarit dhe disa herë i tërhoqi vëmendjen duke i thënë se po dëshmonte nën betim dhe duke i kërkuar që të jetë më i qartë në përgjigjet që jepte.

Pas dy orë deklarime kontradiktore dhe të kundërta me ato çfarë kishte deklaruar në prokurori, këta të fundit urdhëruan dy oficerët e çështjes që ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, që të kryejnë veprimet procedurale me arrestimin e tij për akuzën e "dëshmisë së rreme".

Me të dalë nga salla e gjyqit, efektivët e Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit i vendosen prangat dëshmitarit Muça. Prangosja e ish-brigadierit të punishtes së demontimit iu vendosen në sy të shtatë dëshmitarëve të akuzës që po prisnin për të hyrë në sallën e gjyqit për të dëshmuar.

Avokati i vetëm që u interesuar për mos arrestimin e përgjegjësit Muça brenda ambienteve të Gjykatës ishte avokati Arben Prifti që mbron interesat ligjore të të pandehurit Dritan Minxholli, i cili i kërkoi oficerëve që mos ta arrestonin ish-brigadierin e kësaj punishte. Por, kjo kërkesë e mbrojtësit nuk u miratua nga oficerët, të cilëve iu drejtua me fjalët "se unë do ta marr në mbrojtje të arrestuarin dhe do të vij në Drejtorinë e Policisë për të qenë i pranishëm si mbrojtës i tij ligjor".

Ndërkohë, sipas prokurorëve të çështjes dëshmitari Muça në deklarimet e tija është shumë kontradiktor dhe ndryshe nga ato çfarë ka deklaruar para prokurorëve në fazën hetimore. Në sallën e gjyqit dëshmitari Muça deklaroi se në momentin e shpërthimit të fabrikës ai së bashku me të pandehurin Dritan Minxholli ndodheshin në restorant për të ngrënë drekë, ndërsa para oficerit kish deklaruar se "ishim rrugës duke ikur te restoranti për të ngrënë drekë".

Gjithashtu i arrestuari Muça deklaroi se në fabrikë nuk kishte të punësuar fëmijë të mitur, ndërkohë, para oficerit të prokurorisë kishte thënë të kundërtën, duke dhënë edhe detaje në lidhje me kontrollin e certifikatave të lindjes këtyre të miturve.

Kontradikta tjetër që u konstatua nga prokuroria, ishte fakti se në fabrikë gjatë punës së demontimit Muça deklaroi në sallën e gjyqit se nuk kishte pas ndonjë incident tjetër, ndërsa para prokurorisë kishte shpjeguar nj rast kur një arkë me fishekë kishte marrë zjarr. Gjatë deklarimit të djeshëm, Muça theksoi se në kishte parë në fabrikë amerikanin Patrik Henry e një tjetër me emrin Rodi, ndërkohë gjatë fazës së hetimit nuk i kishte përmendur këta shtetas të huaj.

Në fjalën e tij ai pranoi se aty punonte edhe baxhanaku i kryeministrit Sali Berisha i ndjeri Muhamet Hoxha i cili bashkë me një grup personash të tjerë numëronin arkat e fishekëve dhe predhave që vinin nga depot e armatimeve të Ushtrisë.

************************

Dëshmia e Uran Deliut, djalit të njeriut që prokuroria pretendon se i ka vënë flakën fabrikës duke salduar

"Gërdeci nuk u dogj nga karroca e saldimit"

TIRANË- Paraditen e djeshme, po në procesin gjyqësore ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit dëshmoi shtetasi Uran Deliu, i cili nga shpërthimi i punishtes së demontimit të predhave dhe municioneve në Gërdec kishte humbur pesë pjesëtar të ngushtë të familjes.

I veshur me rroba të zeza dhe me lot në sy, dëshmitari Deliu i thirrur me cilësinë e banorit të fshatit Gërdec akuzoi vetë institucionet shtetërore si përgjegjëse për shpërthimin e 15 marsit 2008, duke ngritur dyshime edhe mbi shkakun e këtij shpërthimi.

"Nuk ka qenë saldimi i karrocave të hekurit nga babai im që shkaktoi zjarrin që solli këtë tragjedi, por, shpërthimin e shkaktoi vetë shteti, nga i cili nuk pres që ta zbulojë të vërtetën e tij"-tha ndër të tjera Deliu. Në 15 mars 2008 ai humbi babain, nënën, vëllain, bashkëshorten shtatzënë dhe djalin tre vjeç.

"Në fabrikë kishte karroca të hekurit, të cilat kur prisheshin nga ngarkesa e madhe saldoheshin. Këtë e di, pasi edhe pse nuk punoja vetë në këtë fabrikë, më ka treguar dhe e kam para babain Qemalin, që i saldonte në oborrin e shtëpisë që e kishim përballë hyrjes kryesore të kësaj fabrike. Në fabrikë brenda kishte edhe saldator tjerë, të cilët i kam parë vetë kur ishte porta e madhe e prishur.

Karrocat që prisheshin ngjiteshin në oborr ose bodrum nga babai, por, e them me përgjegjësi të plotë se ditën e ngjarjes kam qenë në shtëpi duke u marrë me hardhitë e rrushit dhe nuk e kam parë babin duke salduar.

Në shtëpi kam shkuar që nga ora 10:00 dhe kam qenë deri në momentin që shpërtheu fabrika dhe nuk kam parë babanë duke salduar ndonjë karrocë"- tha Deliu, duke hedhur dyshime se shpërthimi mund të ketë ardhur nga ndonjë gjë tjetër.

Gjithashtu në fjalën e tij pata togave të zeza, Deliu tregoi se pjesëtarët e familjes së tij nëna, babai, vëllai dhe e fejuara vëllait ishin punësuar nga Dritan Minxholli. "Ditën e ngjarjes kam qenë në shtëpi që ndahej vetëm nga xhadeja e rrugës bashkë me vëllanë dhe djalin. Dëgjuam një shpërthim të madh dhe hymë në një bunker, nga ku dolëm kur mbaruan shpërthimet. Kam shkuar në shtëpi, ku nuk i gjeta pjesëtarët e tjerë të familjes.

Isha plagosur dhe policia më dërgoi në Spitalin Ushtarak, aty mësova se prindërit i kisha tek spitali "Nënë Tereza" ndërsa djalin dhe nusen nuk i gjeta. Trupat e nuses dhe vëllait i gjeta pas dy ditësh ndërsa djalin pas tre ditëve. Nga ky shpërthim humba pesë pjesëtarë të familjes dhe shtëpia u dëmtua krejtësisht. Unë nuk kthehem më në Gërdec"- tha Deliu me lot në sy para gjykatës.

***********************

SEANCA
Avokatët largohen nga salla e gjyqit

TIRANË- Prangosja e ish-brigadierit të fabrikës së Gërdecit, Veiz Muçës, bëri që avokatët të kundërshtojnë vazhdimin e seancës gjyqësore.

"Arrestimi i dëshmitarit Veiz Muça në të dalë të derës së kësaj salle në sy të dëshmitarëve të tjerë që po presin për të hyrë të dëshmojnë, është një gjest presioni psikologjik që i bëhet dëshmitarëve të tjerë. Ata nuk janë objektivë në dëshmitë e tyre, kështu që kërkojmë të shtyhet kjo seancë gjyqësore për shkak se ata janë të tmerruar nga veprimet e policisë dhe prokurorisë.

Ata kanë frikë të dëshmojnë tashmë për shkak të këtij presioni, se "kolegu" i tyre sapo doli nga kjo gjykatë u prangos. Ata tashmë kanë frikë se i pret e njëjta histori, kështu që nuk mund të vazhdojë pyetja e tyre sot"- tha mbrojtësi ligjor i Mihal Delijorgjit, avokat Maksim Haxhiaj.

Ai u përkrah edhe nga avokatët, Arben Prifti, Mark Pëllumbi dhe Bashkim Hasani të cilët braktisen sallën e gjyqit në shenjë proteste të mos pranimit të kërkesës së tyre për shtyrje seance. Pas largimit të avokatëve, ishte edhe vetë i pandehuri Dritan Minxholli që u largua nga salla e gjyqit. Pas largimit të këtyre avokatëve dhe të pandehurit gjykata ndërpreu seancën gjyqësore për të vazhduar të premten në ora 9:30.

*****************************

Nazmi Isufi pranon për "Shekullin" se punonte tek arkat, por ngulmon se kunati i tij nuk kishte lidhje me punësimin në Gërdec

Njerëzit që drejtonin trafikun në Gërdec

TIRANË- Emri i tij nuk gjendet në asnjë shkresë të sekuestruar në Gërdec, por në Farkë, të gjithë e dinë se Nazmi Isufi ka qenë punonjës i fabrikës së vdekjes.

Nazmiu do ishte një nga shumë punëtorët e Gërdecit por emri i tij spikat mes të tjerëve për një fakt: Ai është kunati i Rrahman Selmanllarit, mikut të familjes së Sali Berishës. Gjatë intervistës së tij, Nazmi Isufi pohon se ka qenë pjesë e grupit prej 6 vetësh që inventarizonin municionin, por kur e pyet për të tjerët, thotë se nuk mban mend asnjërin prej tyre.

Zoti Nazmi, cili ka qenë roli juaj në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec?

Kam punuar për një periudhë të shkurtër. Fillimisht unë kam punuar tek skrapi në Shkozet dhe pastaj kam shkuar në Gërdec.

Tek kush firmë punonit?

Ka patur një firmë tjetër në Shkozet dhe që aty kam shkuar në fabrikën e Gërdecit. Nuk ia di emrin e firmës, kishte punë dhe unë shkova për të punuar. Pastaj kam shkuar në Gërdec.

E çfarë pune keni bërë ju në fabrikën e Gërdecit?

Çdo punë që të më jepnin.

A mund të na e shpjegoni konkretisht?

Po ja, çfarë pune të kishte bëja. Nuk kisha një punë stabël. Atë ditë që ndodhi tragjedia kam qenë me atë djalin e fadromës, Ilirian Malçin. Dolëm nga puna për të pirë kafe, ishte orë 10 e 30 minuta. Iliriani ishte me kanatierë dhe ne dolëm për kafe jashtë kantierit.

Sa paguheshit ju aty?

Më shumë paguheshin shkarkuesit, por maksimumi i rrogës sime ishte 400 mijë lekë në muaj.

Po ju konkretisht çfarë pune bënit?

Çfarë të kishte, herë rrija vërdallë, herë punoja tek arkat apo edhe ushqeja qentë, se kishte nja dy qen aty që unë kujdesesha.

Keni punuar tek ngarkimi apo tek çmontimi i predhave, sepse punëtorët këtë punë bënin aty?

Jo. As që e di se si punohej aty, sepse as që jam specialist për këtë punë. Tek predhat ishin të tjerë, tek larja punonin të tjerë, ndërsa unë punoja tek arkat apo edhe tek pastrimi i vendit të fabrikës.

Po me Muhamet Hoxhën keni punuar? Si e njihnit këtë person?

E kam parë një mjekrosh aty, por ai nuk fliste me ne. Nuk kam bërë ndonjëherë muhabet me të. Unë e di që ai punonte për MEICO-n.

Po tjetër, kush ka qenë në punë me ju?

Kemi qenë 6 veta, por nuk i mbaj mend emrat. Unë nuk njihja asnjërin prej tyre.

Po me Rrahman Selmanllarin keni lidhje?

E vetmja lidhje miqësie që kam unë, është me Rrahmanin, por ai nuk ka pasur asnjë lidhje për punën time aty. Madje ai as që ka ndikuar në punësimin tim. Si i papunë që isha, kam kërkuar punë në fabrikën e Gërdecit si gjithë të tjerët, jam punësuar aty. Vëllai i gruas time nuk kishte asnjë lidhje me këtë fabrikë.

Ju kanë thirrur në prokurori për të dëshmuar mbi tragjedinë e ndodhur, duke qënë se ju jeni dëshmitar?

Jo. Askush nuk më ka thirrur deri më tani. Por emri im s'ka qenë askund i regjistruar, ndaj s'ka pse të më thërrasin. Por nëse do të më kërkojnë, sigurisht që nuk kam asgjë për të fshehur. Këtë që u thashë juve mund ta dëshmoj edhe në prokurori.

****************************

Ish-punëtorët identifikojnë anëtarët e grupit që drejtonin në hije fabrikën e vdekjes, duke sfiduar edhe Delijorgjin

"Celula" e mikut të Shkëlzenit në Gërdec

Një grup prej 6 personash, të afërm me Rrahman Selmanllarin. Mes tyre edhe baxhanaku i Berishës

TIRANË- Përveç dhjetëra njerëzve të thjeshtë që punonin çdo ditë duke vënë kokën e tyre në rrezik në fabrikën e Gërdecit, ndodhej edhe një grup prej gjashtë personash që kontrollonte gjithçka. Ata ishin shefat e shefave dhe asnjë nga punëtorët e thjeshtë nuk i njihte. Pak muaj pas tragjedisë një nga anëtarët e grupit pranoi që të tregonte lidhjet. Ai ishte Veiz Muça. Në atë kohë emri i tij u mbajt i fshehtë nga redaksia por dje prokuroria vendosi ta arrestojë.

Hetuesit e pyetën atë njeri për fabrikën e Gërdecit por në asnjë rast për personat që realisht drejtonin fijet e fshehta të saj, për atë që quhej "grupi hije". Sot po ripublikojmë dëshminë që Muça ka dhënë për gazetën, dëshmi e cila është regjistruar në vitin 2008, pak ditë pas shpërthimit tragjik.

Ata ishin gjashtë dhe vendosnin për çdo ngarkesë municioni që mbërrinte në fabrikën e Gërdecit. Sistemonin arkat me fishekë dhe predha, numëronin ngarkesat e municioneve si dhe jepnin urdhra për çdo lëvizje në fabrikë.

Punëtorët e fabrikës së Gërdecit dëshmojnë për gazetën "Shekulli" se pa thënë fjalën e fundit grupi i "mbikëqyrjes", as edhe një fishek nuk lëvizte nga vendi. Po kush janë këta persona, të cilët nuk e kishin problem të sfidonin edhe Mihal Delijorgjin?

Punëtorë të Gërdecit bëjnë me dije se ata ishin njerëz të afërt të Rrahman Selmanllarit, mikut tashmë të njohur të Shkëlzen Berishës. "Ata nuk rezultonin të ishin punonjës të firmës "Albademil", po kështu nuk punonin as për ndërmarrjen e MEICO-s, por fjala e tyre ishte ligj në fabrikë.

Në fillim nuk dihej se kë përfaqësonin, madje në të shumtën e rasteve nuk iu dinim as emrat e vërtetë, sepse gjithmonë prezantoheshin si të huaj, siç në fillim edhe Xhimin ( baxhanakun e Berishës, Muhamet Hoxha) e dinim se ishte amerikan",-thotë një prej punëtorëve të fabrikës.

Njerëzit e Rrahman Selmanllarit kanë drejtuar në hije fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec. Të paktën këtë dëshmojnë punëtorë të kësaj fabrike, sipas të cilës gjatë gjithë kohës që ka funksionuar fabrika e demontimit të armëve ka ekzistuar një grup pune që kontrollonte gjithçka dhe nuk i jepte llogari kërkujt.

Tre nga njerëzit e këtij grupi rezultojnë të jenë njerëz të afërt të biznesmenit Rrahman Selmanllari. Pikërisht në këtë grup bënte pjesë edhe baxhanaku i kryeministrit, Muhamet Hoxha, i cili humbi jetën ditën e shpërthimit të fabrikës.

Sipas dëshmive, në kontratën e parë të nënshkruar ndërmjet firmës "Albademil" dhe MEICO, ky grup përbëhej nga tre vetë, ndërsa në kontratën e dytë për demontimin e municioneve të kalibrave të mëdhenj, ky grup është shtuar edhe me tre të tjerë.

Nga ajo sa rrëfen një prej drejtuesve të fabrikës së demontimit të armëve, të gjashtë punëtorët punonin për llogari të një firme tjetër, emri i të cilës kurrë nuk është bërë i ditur në këtë fabrikë. "Askush nuk dinte kë përfaqësonin, por ne kishim urdhër edhe nga drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli që fjalën e tyre mos ta vinim në diskutim.

Zakonisht mbanin shënime arkat që ngarkoheshin dhe shkarkoheshin. Ata mbanin llogari më vete dhe pse këtë punë e bënte për MEICO-n Vath Sula dhe për llogari të firmës "Albademil" Afrim Meta. Askush nuk e dinte për këi mbanin këto evidenca",- tregon në rrëfimin e tij një nga punonjësit e fabrikës së demontimit të armëve.

Sipas dëshmisë së mësipërme thuhet se grupi përbëhej nga Muhamet Hoxha, personi i njohur me emrin Xhimi, Haxhi Mara, Seran Maçi, Nazmi Isufi, Benardi, që njihej si nipi i "shefit" si dhe një mësues me banim në Kombinat.

Dy prej pjesëtarëve të këtij grupi, Nazmi Isufi dhe Seran Maçi, rezultojnë të kenë lidhje krushqie me biznesmenin Rrahman Selmanllari, i njohur si mik i djalit të kryeministrit: i pari burri i motrës dhe i dyti një krushk i tij.

Emri i Selmanllarit është lakuar si personi i paidentifikuar në takimin e fshehtë me Efraim Diverolin, nëpërmjet një letre të bërë publike pak kohë më parë nga Geri Kokalari. Vetë Selmanllari është marrë në pyetje nga prokuroria për takimin sekret me Diverolin por nuk e ka pranuar këtë gjë.

Selmanllari përfaqësonte amerikanët e SAC

TIRANË- Emri i Rrahman Selmanllarit, biznesmen dhe mik i djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha është zbuluar gjatë kontrolleve në zyrën e MEICO-s. Përfaqësuesit e prokurorisë kanë sekuestruar një autorizim në emër të Selmanllarit, ku i ngarkohej të kthente ish-repartin e tankeve në një fabrikë demontimi municionesh në Gërdec.

Kompania amerikane "Southern Ammunition Company", ose e njohur si SAC, me president Patrick C. Henry III përfaqësohej në Shqipëri nga miku i ngushtë i djalit të kryeministrit, biznesmenit "në hije", Rrahman Selmanllari. Autorizimi i kompanisë amerikane SAC mban firmën e presidentit Patrick C. Henry III dhe autorizonte Rrahman Selmanllarin si përfaqësues të saj në Shqipëri.

Në autorizimin e firmosur nga presidenti i SAC-it,Henry, përfaqësuesi Selmanllari, i njohur si miku i ngushtë i djalit të kryeministrit kishte të gjitha të drejtat për zbatimin e drejtë të kontratës mes kompanisë SAC dhe "Albademil" me president Mihal Delijorgjin, në lidhje me çmontimin e municioneve të lehta, duke u bazuar në kontratën e parë të firmosur qershorin e vitit 2007 mes MEICO-s dhe SAC-it. Kjo e fundit, pas negociatave mes Ylli Pinarit dhe Mihal Delijorgjit, i kalon për të kryer çmontimet e municioneve kompanisë shqiptare.

Qefalia: Selmanllari vinte me Benz ML

Një tjetër person që ka dëshmuar në lidhje me implikimin e Selmanllarit në Gërdec ishte Kledian Qefalia. I pyetur nga prokuroria ai ka thënë: Unë shtetasin Rahman Selmanllari nuk e njoh fizikisht, por për të kam dëgjuar se ai ishte njëri nga bashkëpronarët e fabrikës në Gërdec. Gjithashtu krahas tij di që pronar ishin Mihal Delijorgji, Davidi shtetas amerikan dhe Ylli Pinari si drejtor i MEICO.

Këtë gjë unë e kam mësuar gjatë bisedave që janë bërë me punëtorët në kafenë dhe në fabrikë, nuk jam i saktë por një gjë të tillë e kam mësuar nga Vangjeli (Veiz Muco). Dua të sqaroj se unë punoja gjithmonë turni i tretë dhe Gjatë kohës së punës nuk e kam parë ndonjë herë shtetasin Rahman Selmanllari, por gjatë punës kam dëgjuar se ky shtetas kishte ardhur në fabrikë paradite me makinën e tij Benz ML.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›