E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Feratin do ta përkujtojmë gjithmonë

Të hënën në Prishtinë është mbajtur mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Burimit, Fadil Ferati.

Presidenti Sejdiu, nën patronatin e të cilit u mbajt komemoracioni, tha se çdo vit janari na tubon për të shënuar data të dhembjes dhe të pikëllimit.

“Çdo vit janari na tubon për të shënuar data të dhembjes dhe të pikëllimit, çdo vit në janar, ne i theksojmë dhembjet dhe mallin që ndjemë për miqtë tanë, për bashkëpunëtorët dhe veprimtarët e shumtë të çështjes sonë kombëtare dhe shtetërore, të cilët ndër vite i ndau prej nesh ky muaj”, tha Sejdiu.

"Pak ditë më parë, ne shënuam kështu së bashku katërvjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. Sot jemi mbledhur për t’i shprehur nderimet tona më të larta njërit prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, z. Fadil Ferati, të cilin do ta përkujtojmë gjithmonë si një prind të mirë, si një veprimtar të palodhshëm dhe si një udhëheqës të shquar e me vizion", deklaroi Sejdiu.

“Fadil Ferati kryetari Komunës së Istogut dhe nën kryetar u Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkohet me vargun e pasosur të burrave të mëdhenj të Kosovës, të cilët ikën nga kjo botë e vdekshme, pikërisht në janar. Që nga 31 janari i vitit 2010 Fadili ynë i takon botës së përjetësisë, aty ku e presin bashkudhëtarët e së njëjtës kauzë, luftëtarët e së njëjtës idealizëm”, tha presidenti Sejdiu.

Sejdiu theksoi se Ferati ishte ndër të parët që ju bashkua LDK-së, ku në vitin 90 u zgjodh kryetar i aktivit të LDK-së në fshatin e tij, për të ju besuar më tej pozita të larta në parti, si nënkryetar i kësaj partie dhe besimin që i dhanë qytetarët e Burimit, për ta zgjedhur disa herë kryetar të komunës.

LDK hapi “Librin e zisë”

Lidhja Demokratike e Kosovës të hënën kanë hapur “Librin e zisë”, në shenjë respekti për punën dhe veprën e kryetarit të komunës së Burimit (ish-Istogut) si dhe nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Ferati, me ç’rast kanë filluar të nënshkruhen, anëtarë, simpatizantë dhe qytetarë të Kosovës.

Zv. kryeministri dhe nënkryetari i LDK-së, Ramë Manaj është shprehur se me vdekjen e hershme të kryetarit të komunës së Istogut, Kosova po përjeton një humbje të madhe.

“Komuna e Istogut, Kosova përjeton një humbje të madhe me shkuarjen në amshim kaq papritur, kaq herët të mikut, bashkëpunëtorit, nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të komunës së Istogut, z. Fadil Ferati. Është një periudhë e gjatë, janë dy dekada të ecjes tonë të përbashkët, përkushtimin e tij të paepur, të pa lodhshëm, të pandalshëm, të fuqishëm për këtë të sotme, për lirinë, për pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”, është shprehur Manaj.

Ndërsa, ish kryetari i komunës së Prishtinës, Ismet Beqiri, ka thënë se Ferati ishte njeriu, i cili ka gëzuar një respekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Istog, por në tërë botën shqiptare.

“Do ta kujtojmë me pietetin më të lartë, njeri i cili bëri deri në momentet e fundit edhe në gjendje të vështirësuar shëndetësore, ishte ai i cili i fitoi zgjedhjet e fundit, njeri i cili katër herë u zgjodh kryetar i komunës së Istogut. Pa dyshim është njeriu që më së shumti më së shpeshti në mandate me të shumta është votuar nga qytetarët e Istogut, njeri që ka gëzuar një respekt të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Istog, por në tërë botën shqiptare”, është shprehur Beqiri.

Me këtë rast, në “Librin e zisë”, nënshkruan, kryeministri, Ramë Manaj, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ministri i Mjedisit, Mahir Jagcilar si dhe anëtarë të kryesisë së LDK-së.

“Libri i zisë”, në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të qëndrojë i hapur edhe në ditët në vijim.

Istogu shpalli 7 ditë zie

Nënkryetari i Istogut, Haki Rugova, ka shpallur 7 ditë zie, me rastin e vdekjes së kryetarit Fadil Ferati.

"Me rastin e vdekjes së kryetarit të nderë Fadil Ferati, në territorin e komunës së Istogut shpall 7 ditë zie, duke filluar nga 1 deri më 7 shkurt. Gjithashtu njoftojmë se mësimi nuk do të mbahet në të gjitha shkollat fillore e të mesme të komunës së Istogut më 1, 2 dhe 3 shkurt të vitit 2010", thuhet në një njoftim të nënkryetarit të komunës, Haki Rugova, duke shprehur ngushëllime të gjithë qytetarëve të Istogut për humbjen e kryetarit Fadil Ferati.

Në ditën e tretë të vdekjes së nënkryetarit të LDK-së dhe njëherësh kryetari i Istogut, Fadil Ferati, qindra qytetarë, kanë vazhduar t' i shprehin ngushëllime familjes së tij në Gurakoc dhe strukturave të komunës në Istog.

Duke u përulur para fotografisë së kryetarit të ndjerë, shumë qytetar e konsiderojnë se vdekja e tij, është një humbje e madhe jo vetëm për Istogun, por edhe për Kosovën.

Varrimi i të ndjerit Fadil Ferati, do të bëhet të mërkurën në fshatin e lindjes në Guragoc.

Kufoma e Fadil Ferati niset nga Gjermania për në vendlindje

Nga Gjermania është nisur për Kosovë kufoma e Fadil Feratit, nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit të Burimit.

Kufoma e të ndjerit me nderime të mëdha u përcoll për në vendlindje, ku do të prehet i qetë trupi i veprimtarit të madh të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të çështjes kombëtare, bënë të ditur Dega e LDK-së në Gjermani.

Fadil Ferati, ndërroi jetë të shtunën në mëngjes në Klinikën shtetërore të Offenbachut, afër Frankfurtit në Gjermani. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›