Bora vështirëson qarkullimin e automjeteve

Rrugët e Kosovës janë të kalueshme, por me vështirësi, pasi që rënia e vazhdueshme e borës ka bërë që kompanitë të mos mund ta pastrojnë menjëherë borën, kanë konfirmuar për Kosovapress zyrtarët e Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (MTPT) si dhe Policia e Kosovës.
Përkeqësimi i motit në Kosovë ka shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e automjeteve si dhe aksidente të mëdha, që nga mëngjesi e deri në këto orë, ku sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, si rezultat i ngricave dhe borës së madhe kanë ndodhur aksidente me dëme materiale dhe aksidente me lëndime.
“Akset rrugore që e përfshijnë territorin e Kosovës, duke i përfshire edhe të gjitha pikat kufitare janë të lira për qarkullim, ndërkaq në pjesën e Kullës në Pejë, afër Rozhajës andej është bllokuar rruga për qarkullim të mjeteve të rënda, mirëpo për automjetet e vogla është e lirë, por me një kujdes të shtuar dhe të jenë të pajisur me pajisje dimërore”, tha Kelani.
Kelani, i ka thënë Kosovapress se drejtoria e Komunikacionit Rrugor, ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore dhe bazuar në informatat e pranuar në Policinë e Kosovës, nga të gjitha drejtoritë rajonale që nga orët e mëngjesit deri në ora 15:00 kanë ndodhur aksidente të trafikut me lëndime dhe me dëme materiale. Në rajonin e Prishtinës kanë ndodhur 44 aksidente me dëme materiale dhe 3 aksidente me lëndime, dhe janë paraqitur vështirësi në disa rrugë rajonale dhe magjistrale, e gjithashtu edhe në disa rrugë të qytetit, ndërkohë “Porta 4” në Mutivodë është e pakalueshme për të gjitha llojet e automjeteve.
Në rajonin e Ferizajt kanë ndodhur 6 aksidente të trafikut me dëme materiale, ndërkaq të gjitha rrugët janë të kalueshme. Në rajonin e Prizrenit ka ndodhur një aksident më të lënduar dhe 4 aksidente me dëme materiale, ndërsa të gjitha rrugët në këtë rajon janë të kalueshme. Në rajonin e Mitrovicës kanë ndodhur 5 aksidente, ndërkohë të gjitha rrugët magjistrale dhe rrugët lokale janë të kalueshme, mirëpo në rajonin e Skenderajt dhe në Mitrovicë drejtimi i Bajgores, trafiku zhvillohet me vështirësi për shkak të ngricave në rruge. Edhe në rajonin e Gjilanit kanë ndodhur 3 aksidente trafiku me dëme materiale dhe ka vështirësi në të gjitha rrugët rajonale dhe magjistrale. Ndërkaq në Pejë kane ndodhur 5 aksidente trafiku me dëme materiale, ndërkaq të gjitha rrugët janë të kalueshme.
Edhe zëdhënësi i MTPT-së, Xhevdet Pozhari ka thënë për Kosovapress se MTPT-ja ka ndërmarr të gjitha hapat për pastrimin e rrugëve duke angazhuar 10 kompani. Ai thekson se rrugët e Kosovës janë të kalueshme por më vështirësi.
“Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit i ka ndërmarr të gjitha hapat e duhur sa i përket pastrimit të rrugëve dhe mirëmbajtjes së rrugëve. Janë 10 kompani të kontraktuara të cilat përkujdesen për mirëmbajtjen sezoneve verore dhe dimërore. Sipas orëve të fundit ne i kemi të gjitha informatat se të gjitha rrugët janë kalueshme edhe pse me vështirësi ato janë të kalueshme falë punës së kompanive që janë duke e kryer punën me një kujdestari 24 orëshe. Njëkohësisht edhe pikat kufitare janë të hapura”, ka theksuar Pozhari.
Ai ka dhënë edhe një mesazh tek të gjithë qytetarët që mos të kyçen në komunikacion pa pajisje dimërore të cilat mund të shkaktojnë probleme të komunikacion dhe shpeshherë edhe aksidente në trafik.
Ndërkaq edhe Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore, ku dëbora dhe ngricat janë të pranishme, si dhe të mbajnë në çdo kohë zinxhirët në automjete, përdorimin e dritave për ndriçimin rrugës dhe të mjegullës me rastin e zvogëlimit të dukshmërisë. /kosovapress/