E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncoi abuzimet me tokat në bregdet, i vënë tritolin në banesë,



VELIPOJË – Denoncimi publik për abuzimet me pronat në zonën turistike të Velipojës desh i ka kushtuar jetën Gjovalin Zeka, pasi i është vënë një sasi tritoli banesës së tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës pohojnë se ka ndodhur një shpërthim në derën e jashtme të banesës së shtetasit Gjovalin Zeka, e cila ndodhet në qendër të komunës së Velipojës. Kanë qenë pikërisht fqinjët e familjes Zeka të cilët kanë lajmëruar familjarët dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës. Dëmet materiale janë konsiderueshme: Sipas burimeve në vendngjarje, janë thyer xhamat e dritareve dhe të dyerve, jo vetëm të shtëpisë së Gjovalin Zekës, por edhe të banesave përrreth. Në momentin e shpërthimit, fatmirësisht nuk ndodhej askush në shtëpi, pasi ishin për pushime në plazhin e Velipojes, pak kilometra larg vendit të ngjarjes.
Hetimi
Policia e Shkodrës nisi menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen. Deri mbrëmë nuk është dhënë versioni zyrtar rreth motiveve të shpërthimit apo autorët e mundshëm. Sipas grupit hetimore në vendngjarje, sasia e tritolit mendohet të ketë qenë rreth 100 gram. Blutë sigurojnë se ky atentat mund të jetë bërë për të kërcënuar kryefamiljarin, pasi duket se ata nuk kanë pasur në plan që të ekzekutojnë asnjë prej pjesëtarëve të familjes Zeka. Sipas ekspertëve, sasia e tritolit ishte e vogël dhe është vënë në derën e jashtme. Vetë i zoti i shtëpisë, Gjovalin Zekaj, nuk ka nguruar të pohojë publikisht se pas këtij veprimi fshihet njerëz me pushtet, të cilët duan që askush të mos hapë gojën teksa vidhen prona dhe bëhen abuzime të jashtëzakonshme me tokat në bregdet: “Pas këtij akti fshihen njerëz me pushtet, drejtues të komunës së Velipojës dhe të tjerë. Ky shpërthim është bërë vetëm për të na kërcënuar, për mos të ngritur zërin pasi prej vitesh kemi denoncuar korrupsionin që po bën komuna në lidhje me pronat”, - deklaroi Zeka.”Nga ana tjetër, i dëmtuari thekson se nuk do të reshtë asnjë moment së denoncuari korrupsionin në këtë zonë, vjedhjet dhe abuzimet.
Kërcënimet
Nuk është hera e parë që Gjovalin Zeka kërcënohet. Në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës është regjistruar një denoncim që ai ka bërë në korrik të vitit 2006. Ndërkohë, mësohet se dhe javët e fundit kërcënimet janë rikthyer. Ndaj tij janë adresuar disa telefonata dhe letra kërcënuese. Në deklarimet e tyre familjarët kanë treguar se letrat kanë qenë të shkruara herë me kompjuter e herë me shkrim dorë. Grupi i ekspertëve sqaron se po punohet në disa drejtime. Letra e fundit kërcënuese ka mbërritur të martën, pra vetëm disa orë para se të vendoset lënda plasëse. Mësohet se ajo ishte shkruar me kompjuter dhe e futur në një zarf, mbi të cilin ishin bërë shënime me shkrim dore. Në këtë letër Gjovalin Zeka kërcënohej dhe i kërkohej që të hiqte dorë nga “ rruga e tij “.
Akuzat
Sipas Gjovalin Zekës, përfaqësues i një prej familjeve më të vjetra të Velipojës dhe një prej pronarëve të tokave në Velipojë, denoncimet për abuzime kanë nisur që prej shumë vitesh. Janë rreth 13 fise kryesore në Velipojë që janë bashkuar për të shmangur abuzimet me tokat e tyre. Në vitin 2005, ata denoncuan në Prokurorinë e Rrethit Shkodër për abuzim pronash në Velipojë ish-kryetarin e komunës, Dede Kaci, shefin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Andi Gurashin, të cilët u arrestuan dhe më pas dolën të pafajshëm pas disa seancash gjyqësore. Banorët e zonës së Velipojës, të kryesuar nga Zeka, disa muaj më parë kanë bërë publike mbivendosjen e pronave në bregdet dhe vjedhjet që po bëhen sipas tyre. Madje ata kanë deklaruar se “tokat në fshatin Rrjoll të komunës së Velipojës po grabiten ne mënyrë kriminale ndaj Prokuroria të nisë hetimet. Në lidhje me këto denoncime, Zyra e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka deklaruar se ka bllokuar 12 dosje nga ato të vitit 2005. Në këto dosje janë konstatuar parregullsi. Pak javë më parë u ndalua edhe një inxhinier topograf, punonjës në sektorin e urbanistikës së komunës Velipojë, pasi u kap në flagrancë, duke marrë ryshfet.

Eksploziv ne banesën me qira të 25-vjeçares

TIRANË - Një sasi eksplozivi është vendosur nga persona të paidentifikuar në banesën, ku jetonte një vajzë me qira. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në një shtëpi pranë "Tregut Elektrik" në kryeqytet. Forcat e policisë shkuan menjëherë në vendngjarje për të bërë këqyrjen e provave. Sasia e lëndës shpërthyese ka qenë e vogël, gjë që ka shkaktuar pak dëme materiale. Dyshimet e hedhura për këtë ngjarje flasin më tepër për një shantazh që persona të caktuar po i bëjnë vajzës që jeton në këtë shtëpi. E dëmtuara është marrë në pyetje në lidhje me rrethanat e kësaj ngjarje.

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›