Fërkimi i makinave, motivi i vrasjes ne Paskuqan
Laureta Rryçi
Konflikti pas përplasjes se dy makinave ka qenë shkaku i vrasjes se 28-vjeçarit Ervis Çapo pak ditë më parë në Komunën e Paskuqanit, në Tiranë. Prokuroria e Tiranës konfirmoi dje për gazetën “Albania” se motivet e krimit janë zbardhur pas arrestimit të shtetasit Shukuri Damazi, 28 vjeç, si autor i dyshuar i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij, Ervis Çapo, në Paskuqan. Sipas këtyre burimeve, Ervis Çapo është goditur për vdekje me sende të forta nga i dyshuari Shukuri Damazi pas konfliktit të nisur mes tyre për shkak të përplasjes së makinave me të cilat ata udhëtonin. Ndërkohë Shukuri gjatë ditës së djeshme është përballur me gjykatën duke marrë masën e sigurisë “arrest me burg”.
Arrestimi
I dyshuari si autor i këtij krimi, Shukuri Damazi, u arrestua tre ditë më parë nga forcat e policisë së Tiranës, ndërkohë që Gjykata me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg" për akuzën e "vrasjes me dashje". Grupi hetimor i kësaj çështje e ka klasifikuar ngjarjen "vrasje për motive të dobëta". Skuadra e seksioni Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit arrestoi të dyshuarin si autor të vrasjes së 27-vjeçarit, Ervis Capo në qytetin e Paskuqanit. Sipas policisë autori i vrasjes së ndodhur dy javë më parë është Shukuri Damzi, 28 vjeç, banues në Kamëz.
Ngjarja
Fillimisht u dyshua se ngjarja mund të kishte ndodhur për motive banale. Mirëpo pas arrestimit të tij, hetuesit zbardhen dhe motivin duke shënuar në procesverbale se fërkimi i makinave kishte qenë dhe zanafilla e sherrit. Pas një grindjeje të çastit djaloshi nga Kamza ka goditur me sende të forta viktimën Ervis Çapo. Dëshmitarët okularë në vendngjarje, janë munduar të ndihmojnë viktimën duke i dhënë ndihmën e parë mjekësore, dhe dërguar atë në Spitalin Ushtarak Tiranë; por si pasojë e goditjeve të marra, në pjesën e kokës, 27-vjeçari, nuk mundi të jetonte duke gjetur vdekjen në spital edhe pas ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të shtetasit Shukuri Damzi, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme, për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 76 dhe 25 të Kodit Penal.
7 Gusht 2008