Të blesh me anë të internetit, favoret dhe rreziqet e dyqaneve on-line
Ervin Koçi
Dyqanet elektronike ose “on-line”, të cilat i ekspozojnë produktet e tyre në internet dhe bashkë me to edhe mania për të bërë blerje nëpërmjet kompjuterit pa lëvizur nga shtëpia, janë kthyer sot në modë, sidomos për të rinjtë. Janë pikërisht kjo kategori, por edhe të tjerë individë që e njohin mirë elektronikën dhe dinë ta përdorin atë, klientët më të mirë të dyqaneve on-line nëpër botë. Tendenca e të bërit pazar vetëm me disa klikime në maus në kompjuter nga zyra, shtëpia, apo edhe rruga (me anë të kompjuterëve portativë), duke eksploruar në faqet elektronike ku shiten dhe ofrohen lloj-lloj sendesh dhe shërbimesh, tashmë është kthyer në diçka e përdorshme edhe për shqiptarët. Por kjo lloj “mode” përqafohet nga të gjithë ata që kanë në xhep një kartë krediti, pra që janë në një farë mënyre klientë të bankave private dhe që disponojnë një llogari bankare. Përveç kësaj, ajo çka ju nevojitet tjetër është dhe një zgjedhje e saktë e faqes së sigurt kompjuterike që ofron produktet si dhe durimi për të pritur nga një javë deri në 1 muaj, derisa porosia të mbërrijë në destinacion. Që nga veshjet si fustane, këmisha, pantallona, të brendshme, veshje sportive, bizhuteri, kozmetikë cilësore, parfume, ora, e deri te mobiliet për shtëpi, për zyrë, pajisje elektronike, pajisje mjekësore, medikamente, e deri te makinat, që të gjitha mund të blihen on-line.
Blerjet në internet
Interneti mundëson përdorimin e kartave të kreditit (ndonjëherë edhe atyre debit) për blerje të artikujve të ndryshëm. Kjo bëhet duke përdorur informacionin që jepet në kartë, si emrin e klientit, numrin e kartës së kreditit, datën e skadencës, si dhe një kod verifikues 3 shifror (CV) që është i vendosur në pjesën e prapme të kartës. I tërë ky informacion është i vendosur edhe në shiritin e zi që gjendet në pjesën e prapme të kartave. Kartat që ofrojnë bankat, qofshin debiti apo krediti, mundësojnë blerjet në Internet dhe nëpër dyqane ku janë të shpërndara aparatet përkatëse (POS), si dhe nxjerrin para cash nga makinat e bankomate ose “ATM”. Ky është një lehtësim i madh për klientët e bankave, por në të njëjtën kohë bart edhe rrezikun e humbjeve financiare qoftë për klientët apo edhe për bankën, si rezultat i mashtrimeve dhe sulmeve të ndryshme që mund të ndodhin.
Rreziqet nga blerjet
Interneti bart rreziqe të shumta të ndërhyrjeve nga palë të treta, nga të ashtuquajturit “hackers” apo “crackers”. Hackers-at janë persona me njohuri të gjerë mbi teknologjinë informative, dhe që merren me gjetjen e problemeve me sigurinë e sistemeve, dhe abuzojnë me këto njohuri. Për t’iu kundërvënë këtyre rreziqeve janë marrë masa sigurie, të ashtuquajtura “certifikata sigurie”, që vendosen në faqe interneti. Hackers-at po ashtu krijojnë faqe identike me faqet e kompanive ku normalisht blihen artikuj nga Interneti, por këta të fundit nuk pajisen dot me certifikata si kompanitë legjitime. Përdoruesit e pakujdesshëm japin shënimet e tyre në faqet e krijuara prej hackers-ve duke i mundësuar ata të bëjnë blerje në emër të klientëve. Po kështu nga këto vjedhje rrezikohen edhe kartat e kredive, të cilat janë të lidhura me llogaritë bankare të klientëve, por që kanë limite të ndryshme. Si çdo sistem kompjuterik, edhe sistemi bankar me karta është një sistem ku faktori njeri është kyç në mbarëvajtjen e gjithë proceseve. Rreziku i humbjeve financiare të klientëve si rezultat i përdorimit të kartave është më i madh si rrjedhojë e pakujdesisë së përdoruesve të kartave, sesa problemeve me pajisjet që bëjnë të mundur përdorimin e tyre. Edhe në rast se humbet kartën, klienti duhet të lajmërojë menjëherë bankën. Nuk rekomandohet që shënimet e kartës së kreditit të jepen me telefon, me anë të chat-it apo e-mail.
Këshilla për blerjen
Para blerjes në internet përdoruesit duhet gjithmonë të verifikojnë nëse faqja ku ata duan të blejnë artikuj, është faqja e vërtetë. Kjo bëhet duke verifikuar certifikatën dhe duke u futur vetëm në faqen e sigurt që fillon me “https://” ku S qëndron për Secure (e sigurt), që domethënë se kjo faqe kalon përmes një linje të sigurt dhe të enkriptuar. Certifikatat janë të vërtetuara nga kompani të jashtme të kontraktuara dhe të specializuara për këtë fushë. Për të kontrolluar certifikatën duhet të klikohet tek “dryni” me ngjyrë të verdhë në cep të faqes së internetit. Gjithashtu, duhet të kemi kujdes se nga çfarë kompjuteri i bëjmë blerjet on-line. Nuk rekomandohet që blerjet të bëhen nga vende të panjohura, internet kafe etj., ku mund të jenë instaluar programe përgjuese që regjistrojnë çdo aktivitet në PC. Rekomandohet që blerjet on-line të bëhen nga kompjuteri personal. Pasi të bëhet blerja, duhet të dilet nga faqja duke klikuar në “Logout”. Klienti duhet të verifikojë gjithmonë gjendjen e llogarisë, si dhe transaksionet që janë bërë në Internet për ndonjë transaksion të dyshimtë; dhe nëse vërehen të tilla të lajmërojë bankën sa më shpejt.
Përse blerja në internet është interesante, ja 5 arsye
1. Kursen kohë
2. Të zhyt në botën pa fund të eksplorimit në internet
3. Blen produkte unike që nuk i gjen në dyqanet e qytetit
4. Blen më lirë, duke gjetur lehtësisht ofertën që interesohesh
5. Nuk ke nevojë të mbash para me vete
Punonjësit e zyrave, blerësit më të pasionuar të “dyqaneve virtuale”
Blerësit më të shpeshtë por njëkohësisht dhe më të kualifikuar të “dyqaneve on-line”, mbeten pa dyshim punonjësit e zyrave. Për ta është shumë komode të japësh “urdhra” që nga zyra për X produkt. Ata janë njëkohësisht edhe kategoria më shumë e pajisur me karta krediti nga bankat shqiptare. Përdorimi i një karte të tillë gjatë gjithë kohës ta bën jetën të lehtë. Dhe duket se të parët që kanë mësuar të përdorin karta krediti për blerje on-line janë vetë punonjësit e bankave, të cilët edhe për shkak të të ardhurave të larta, por edhe për shkak të njohjes më të thellë se si funksionon ky shërbim, kanë nisur të besojnë më lehtë. “Gjithçka është e sigurt, sepse vetë faqet elektronike që shesin produkte janë provuar e stërprovuar dhe fakti që kanë rezistuar gjatë dhe që po vazhdojnë të përdoren ende është domethënës”, -komentojnë ata. Kurse një tjetër punonjëse banke, që nuk dëshiron të identifikohet, thotë se në shumë raste ndodh që vetë “dyqanet virtuale”, bëjnë një përzgjedhje të llojit dhe emrit të kartës së kreditit me qëllim që të ketë një lloj sigurie. Por të dhënë për blerje nëpërmjet kompjuterit, përveç punonjësve të bankave, duket se janë edhe punonjësit e administratës shtetërore, punonjësit e institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri si edhe sipërmarrësit privatë.
Mania e “internet-shoping”-ut shton klientët që kërkojnë karta krediti
Fenomeni i ri në kohë, por jo i vogël në përmasa, duket se njihet edhe nga bankat shqiptare. Vetëm nëpërmjet tyre duket se klientët shqiptarë mund të bëjnë të mundur blerjet on-line, pasi një kartë krediti do të ishte e nevojshme në këtë rast. Specialistët e bankave thonë se është rritur kërkesa e klientëve për të pasur karta krediti dhe kryesisht për t’i përdorur ato për blerjet nëpërmjet internetit. Nëpërmjet kartave të kreditit një klient mund të konsumojë 400 deri në 5 mijë euro për blerje të ndryshme. Bankat, në varësi të komisioneve të tyre, u mbajnë këtyre klientëve një përqindje të caktuar për çdo blerje që kryejnë. Por nga ana tjetër, klientit i lihet në dispozicion një afat prej 45 ditësh për të shlyer kreditin e marrë nga banka. Në rast mosshlyerje penalitetet nisin të veprojnë për ta. Punonjësit e bankave në kryeqytet që kanë nisur të vënë në jetë këtë shërbim për klientët e tyre thonë se për shkak të mungesës së sigurisë, klientëve u kërkojnë një lloj garancie për shumën e parave që u jep banka. Në të shumtën e rasteve, si “peng” mbahen të dhënat e pagës mujore të vendit ku punon personi, ku në rast mosshlyerje të shumës që merret nga banka paga “sekuestrohet”. Ajo që dihet është fakti se askush prej klientëve nuk mund të shpenzojë mbi kufirin e vënë nga banka, duke kontrolluar kështu dëshirën e shfrenuar për të blerë nëpërmjet internetit.
7 Gusht 2008