E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fluks emigrantësh, mbi 6 mijë vetëm në Kakavijë



Fluksi i emigrantëve shqiptarë që vijnë për të pushuar pranë të afërmve të tyre ka vijuar edhe gjatë ditës së djeshme përmes Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës. Përgjegjësi i vendkalimit kufitar të Kakavijës, Elton Papa, tha se mbi 6 mijë emigrantë shqiptarë kanë hyrë përmes kësaj pike kufitare. "Gjatë 15 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj dogane mbi 6 mije emigrantë dhe 1556 automjete”, tha Papa, duke shtuar se “aktualisht në shërbim të emigrantëve funksionojnë pa ndërprerje gjashte sportele”. Ndërkohë, numri i emigranteve shqiptare që kthehen përmes kësaj pike doganore është ulur ndjeshëm, duke e krahasuar me një ditë më parë. Sipas përgjegjësit të pikës kufitare të Kakavijës, në drejtim të shtetit fqinj kane dalë 1300 shtetas shqiptare, si dhe 200 automjete. Në qarkun e Gjirokastrës funksionojnë dy pika kufitare, ajo e Kakavijës (Gjirokastër) dhe “Tre Urat” (Përmet). Gjatë 24 orëve të fundit ka rënë numri i shtetasve kosovarë që kanë hyrë në Shqipëri përmes pikave të kalimit kufitar mes dy shteteve. Drejtori i policisë kufitare të qarkut të Kukësit, Ylber Zyberi, tha se gjatë 24 orëve të fundit kane hyrë në Shqipëri 1955 persona, nga rreth 3000 persona që hynin në ditët e para të gushtit gjatë 24 orëve. Po ashtu, ka një rënie të ndjeshme edhe numri në dalje i shtetasve kosovarë, gjë qe e tregon edhe fakti se gjatë 24 orëve kane dalë nga Shqipëria ne Kosove 880 persona, kur ne ditët e para të gushtit hynin në Kosove nga Shqipëria mbi 1200 persona. "Gjate muajit korrik, në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit të kaluar, numri i kosovarëve që kanë hyrë në Shqipëri përmes doganave të qarkut të Kukësit ka një rritje prej mbi 14 mijë persona", thotë Zyberi. Sipas tij, pavarësisht nga fluksi në rënie gjatë 24 orëve të fundit, parashikohet që ky tregues të rritet në mesin e muajit, kur pritet një fluks në rritje i shtetasve kosovare që u drejtohen plazheve shqiptare. Eshte kjo arsyeja që vazhdojnë të njëjtat masa të kontrollit të akseve rrugore që lidhin Shqipërinë me Kosovën, si rrjedhojë e te cilave deri tani nuk është shënuar asnje ngjarje e jashtëzakonshme", shton ai. Aktualisht, në qarkun e Kukësit funksionojnë 5 pika të kalimit kufitar me shtetin e Kosovës, prej të cilave Morini, Shishtaveci e Orgjosti (Kukës), Qafë Morina (Tropojë) dhe Qafë Prushi (Has).

7 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›