Shiu përmbyt Tiranën, furtuna bllokon tri portet
Qindra banorë të kryeqytetit dje janë përballur me një situatë emergjente. Uji ka pushtuar shtëpitë dhe dyqanet e tyre. Ndërkohë mjaft problematike kanë qenë edhe rrugët kryesore, ku shiu vërshonte lumë në orët e mesditës. Disa syresh janë detyruar të ecin zbathur për të kaluar pellgjet e mëdha. Mungesa e kanaleve kulluese, herë-herë bllokimi i tyre, si dhe punimet rikonstruktuese nëpër lagje dhe rrugë kryesore kanë bërë që reshjet t‘ia behin nëpër objektet e banuara apo ato të biznesit. "Po heqim ujin me kova se na ka zënë mallin", thotë Zana, e cila ka dyqanin në katin e parë të një pallati në rrugën Komuna e Parisit. Sipas saj, sa herë ka reshje të dendura, uji depërton brenda, pasi del mbi lartësinë e murit.
Ndërkohë, po kaq e rëndë paraqitet situata në lagjen e fushës "Misto Mame". Banorët, të alarmuar, kanë lajmëruar emergjencat civile, por edhe mediat, kur kanë parë ujin të rendë furishëm drejt shtëpive të tyre. Njëri prej tyre, Hyseni, thotë se "përmbytja e shtëpive dhe e rrugëve dytësore në këtë zonë vjen pasi kanali kullues i ujërave të zeza bllokohet". Ndërtimet e reja të bëra rishtazi kanë rënduar kapacitetin e këtij tubi kullues, ndaj edhe uji del nëpër rrugë pa arritur të shkojë në pikën fundore të kullimit.
Por, reshjet e dendura të shiut, që ranë dje në Tiranë, shkaktuan përmbytje edhe në Komunën e Farkës. Zona afër Kartodromit është ndjerë e rrezikuar. Banorët kanë shmangur një përmbytje të mundshme të banesave të tyre me mjete rrethanore. Ndërkohë që janë shprehur se katet e para të shtëpive janë në lagështi të plotë. Lumi Lundër që rrjedh pranë tyre është fryrë dhe ka dalë nëpër rrugë dhe oborret e shtëpive. Për pasojë është përmbytur edhe ura e vogël e Farkës që lidh Komunën e Farkës me rrugën nacionale Tiranë-Elbasan. Pra aktualisht zona është pa komunikim fizik me zonat e tjera përreth. Mësohet se këto reshje nuk kanë dëmtuar banorët e zonës, por kanë shkaktuar disa dëme materiale.
Shiu që ra furishëm natën e 23 marsit dhe gjatë ditës së djeshme, shkaktoi mjaft dëme materiale, si dhe bëri të pakalueshme për disa orë disa rrugë të kryeqytetit. Rrugët e Tiranës rëndom janë nën pushtetin e ujit sa herë bie shi i dendur. Punimet pa cilësi, pusetat e bllokuara nga mbeturinat, etj. bëjnë që qytetarët të mos ecin dot rrugëve. Bëhet fjalë për rrugë kryesore të kryeqytetit, si Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Dibrës, etj., të cilat kanë lëvizje të mëdha gjatë ditës.
Nga shiu më të goditurat kanë qenë ato lagje ku nuk ka ende kanalizime, si dhe rrugët në rikonstruksion e sipër. Por nuk përjashtohen rastet e përmbytjeve edhe në ato rrugë tashmë të rregulluara, si autostrada e Laprakës. Një rrugë me 6 korsi, që lidh Tiranën me Durrësin dhe veriun e vendit, dje ka qenë e pakalueshme për kalimtarët. Sipas shërbimit meteorologjik, reshjet e shiut kanë arritur në 29 milimetra. Ndërsa, shpejtësia e erës ka shkuar deri në 30 metër për sekondë. Sinoptikanët parashikojnë mot të paqëndrueshëm deri në fund të muajit. Ndërkohë që temperaturat do të vazhdojnë të bien duke shënuar nga 4 deri në 7 gradë Celsius.
Shkodër
Përmbytet përsëri Hajmeli, fshatarët kërkojnë ndihmë
Reshjet e shiut kanë përmbytur me dhjetëra hektarë tokë dhe po rrezikojnë përmbytjen e qindra banesave në zonën e Shkodrës. Kështu në një zonë ndërmjet Shkodrës dhe Lezhës, në tri fshatra të Komunës Hajmel, fshati Paçram, Dheu i Lehtë dhe Nënshat, janë përmbytur rreth 70 hektarë të mbjella. Madje në fshatin Paçram, nga mungesa e një kanali kullues është bllokuar rruga që të çon për te varrezat e fshatit. Kryeplaku i fshatit Paçram, Lush Deda, u drejtohet instancave shtetërore për të zgjidhur situatën, pasi sipas tij, nëse në Gërdec fatkeqësisht njerëzit vdiqën nga zjarri i barutit, këtu banorët po rrezikohen që të mbyten nga uji. Duke folur më tej, kryeplaku thotë se situata e krijuar tregon më së miri se deputetët dhe qeveritarët kanë bërë vetëm premtime boshe deri më sot, pasi përmbytjet ndodhin sistematikisht prej 15 vitesh në zonën e Hajmelit. Kryeplaku shprehet se nga reshjet e shiut, në të gjithë komunën janë rreth 70 hektarë tokë e përmbytur dhe kjo sipërfaqe ka qenë e gjitha e mbjellë. "Nëse do të kishte pasur kanale kulluese, siç kanë qenë para 18 vitesh nuk do të kishte pasur përmbytje, por amortizimi i tyre në vite dhe lënia në harresë nga pushtetarët bën që zona çdo vit të përmbytet", shprehet kryeplaku i fshatit Paçram, Lush Deda. Ndërsa një banore e zonës, Vida Nika, thotë: "U nisa të shkoj te toka se mos hapja kanal për të kulluar ujin, por është e pamundur që të shkosh atje se nuk të lë uji. Ndihemi të frikësuar se mos gjatë natës uji na futet në shtëpi dhe na mbyt në gjumë. Aktualisht, niveli i ujit ka arritur në gjysmë metri dhe nëse reshjet vazhdojnë me këtë ritëm jemi të detyruar të flemë në kodër". Në tri fshatrat e Komunës Hajmel jetojnë rreth 3500 banorë, jeta e të cilëve është në rrezik nëse reshjet e shiut vazhdojnë.
Furtuna bllokon portet në
Durrës, Vlorë dhe Sarandë
Kapiteneria e Porteve urdhëron pezullimin e të gjitha lundrimeve
Moti i keq, me erë të fortë dhe reshje të dendura shiu ka shkaktuar shumë probleme në portet kryesore të vendit. Korrespondentët tanë në Durrës, Vlorë dhe Sarandë raportojnë për pezullimin e të gjitha lundrimeve, si dhe të përpunimit të anijeve në këto porte.
DurrëS
Qyteti i Durrësit dhe gjiri detar pranë tij janë përfshirë nga era e fortë, reshjet e shiut dhe deti i trazuar, të cilat kanë shkaktuar probleme të ndryshme. Veprimtaria përpunuese e anijeve është ndërprerë dhe po ashtu pjesa më e madhe e lundrimeve në Adriatik. Pasagjerëve të trageteve të linjës Bari-Durrës u është dashur të presin në radhën e portit deri në qetësimin e forcës së detit dhe futjes së trageteve në kanalin e portit dhe ankorimit në kalatë. Ndërkohë, trageti i linjës së Triestes nuk ka pasur vonesa të theksuara. Anijet tregtare të tonazhit të ulët dhe të mesëm kanë pezulluar të gjitha lundrimet në pritje të përmirësimit të kushteve atmosferike. Që në mëngjes herët, Kapiteneria e Portit Detar të Durrësit ka njoftuar të gjithë operatorët portualë të marrin masa për të përballuar pa probleme fortunalin në pritje. Burime nga kjo Kapiteneri njoftuan se deti ka regjistruar një forcë prej 7 ballësh, ndërsa era ka lëvizur me një shpejtësi prej 19 metrash për sekondë, me drejtim nga veriperëndimi. Ndërkaq, për orët në vazhdim, është parashikuar një përmirësim i përkohshëm i motit që do të pasohet rishtas me erë të fortë dhe reshje shiu gjë që do të vazhdojë të mbajë peng lëvizjet mbi det dhe përpunimin e anijeve tregtare në kalatat e portit. Kjo situatë ka vënë në gatishmëri të gjitha mjetet e sigurisë dhe rimorkiatorët e portit.
Vlorë
Situata e rënduar meteorologjike ka bllokuar Portin e Vlorës, ankorimin e përpunimin e anijeve dhe trageteve. Situata gjatë gjithë paradites së djeshme ka qenë e rënduar. Tragetet kanë qëndruar në radhë, duke pezulluar kështu nisjet e programuara, ndërsa anijet e tjera që kanë rastisur në lundrim u janë drejtuar vendstrehimeve. Sipas të dhënave zyrtare të Kapitenerisë së portit, situata meteorologjike ka qenë ndër më të këqijat, deti ka shënuar valëzimin 5-6 ballë në brendësi të gjirit të Vlorës, ndërsa në det të hapur ka arritur në 7-8 ballë.
Shpejtësia e erës ka qenë 30-40 metër për sekondë dhe si rrjedhim asnjë anije nuk mund të lundronte. Ndërkohë, mungesa e energjisë elektrike që është shkaktuar nga era e fortë dhe reshjet, ka bërë të pamundur komunikimin ndërmjet kapitenerisë dhe anijeve, pasi radari-monitor, por edhe disa nga radiot ndërlidhëse janë shkëputur. Genci Hasanaj, shef i Kapitenerisë së Portit të Vlorës tha se nga ana e tyre janë dhënë të gjitha urdhrat për pezullim të lundrimeve deri në një moment të pacaktuar.
Sarandë
Dallgëzimi i detit që ka arritur në 7 ballë ka sjellë jo vetëm vështirësimin e gjuetisë së peshkut, por edhe ndërprerjen e lundrimit në linjën e trageteve Korfuz-Sarandë e anasjelltas. Mëngjesi i djeshëm ka ardhur me një prishje të menjëhershme të motit, gjë që ka qenë paralajmërimi i një dite të vështirë. Kjo është parë në dallgëzimin e detit, i cili është egërsuar si rrallëherë, duke vështirësuar gjuetinë e peshkut nga anijet e trata-koçave dhe motobarkave të vogla. Ky mot i vështirë ka paralizuar tërësisht lundrimin e trageteve në linjën Korfuz- Sarandë e anasjelltas. Në Kapitenerinë e Portit të Sarandës thanë për "Shqip" se konfirmimi se dallgëzimi regjistrohej në nivelin 7 ballë ka ardhur nga kapiteneria e ishullit përballë, në Korfuz, nga është ndaluar në mënyrë kategorike nisja e trageteve të parë. Oficeri i shërbimit Kosta Dhima në Kapitenerinë e Sarandës, tha se kjo e dhënë është respektuar dhe e njëjta gjë është bërë edhe nga Kapiteneria e Sarandës, duke mos lejuar tragetet e radhës të dalin në lundrim. Kjo ka bërë që dhjetëra udhëtarë të anulojnë lundrimin me këto tragete. Mendohet se katër tragetet e linjës Korfuz-Sarandë do të jenë të ankoruar në port edhe gjatë ditës së sotme, pasi parashikohet që dallgëzimi i detit në rajonin më jugor të vendit sot të arrijë deri në 8 ballë. Kjo ka qenë arsyeja që rezervimi i biletave nuk ka vazhduar, ndërkohë që pritet një përmirësim gradual, ende jo në parametra normalë, ditën e mërkurë. Burimet portuale bëjnë të ditur se konstruksioni i trageteve që udhëtojnë në këtë linjë është i tillë që nuk përballon dallgëzim të detit më tepër se 5 ballë.
DurrëS
Situatë e rëndë në periferi
Reshjet e shiut kanë shkaktuar përmbytje në zonën periferike të Spitallës e Porto Romanos, 10 km në veri të Durrësit. Dhjetëra familje vazhdojnë të jenë nën pushtetin e ujërave. Ndërkohë reshjet kanë shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve. Jo vetëm në zonën periferike, por edhe në zonën e plazhit, lagjet 17, 18 dhe 8, si dhe në sheshin përballë stacionit të trenit gjendja ka qenë e rënduar.
Korçë
Shkulen shtyllat, qyteti pa drita
Era e fortë, e shoqëruar me reshje të dendura shiu, ka shkaktuar shumë probleme në qytetin e Korçës dhe rrethina. Era ka shkulur pemë e shtylla elektrike, si dhe ka këputur kabllo, duke e lënë qytetin për disa orë pa energji elektrike. Mësohet se rrjeti elektrik është dëmtuar më shumë në fshatrat Pojan, Plasë, Bulgarec e Neveçisht, ku ka pasur edhe dëme në ekonomitë fshatare. Për shkak të erës, në qytet nuk ka pasur internet.
Vlorë
Probleme me energjinë dhe telefonat
Moti i keq, shpejtësia e lartë e erës dhe shiu i furishëm kanë shkaktuar probleme edhe në qytetin e Vlorës, ku një pjesë e degëve të palmave përgjatë bulevardit janë këputur nga era, ndërsa rrethimet e shumë pallateve në ndërtim janë shkëputur llamarinat, duke rrezikuar kalimtarët. Energjia elektrike është ndërprerë për disa orë në pjesën më të madhe të qytetit. Ndërkohë, për shkak të erës së fortë nuk ka funksionuar as telefonia fikse.
Berat
Uji vërshon në rrugët kryesore
Rrugët e qytetit të Beratit janë përmbytur krejtësisht dje si pasojë e bllokimit të pusetave të ujërave të larta. Për më tepër se një orë, disa nga rrugët kryesore janë bllokuar nga uji që ka vërshuar deri në trotuare. Pas një stuhie me erë të fortë, rreth orës 12:00 kanë filluar reshjet e shiut që kanë arritur pikun rreth orës 13:00. Ka mjaftuar një orë shi që rrugët e Beratit të kthehen në përrenj, duke detyruar tregtarët të lënë punën.
Elbasan
Stuhia, dy orë panik për banorët
Shenjat e para të stuhisë janë dhënë nga bubullimat///////// e më pas shiu i shoqëruar nga era e fortë kanë boshatisur tërë qytetin. Në të gjithë qytetin, dhjetëra pemë janë rrëzuar për tokë dhe dhjetëra puseta të bllokuara kanë bërë që uji të vërshojë nëpër asfaltin e qytetit. Si moment më i rrezikshëm është konsideruar rrëzimi i një pishe pranë prefekturës, që mbuloi dy makina të parkuara si dhe mori me vete kabllon e energjisë elektrike.
Fier
Përmbytje në fshatra, bllokohen nga uji 60 shtëpi
Reklama të rrëzuara dhe të dëmtuara, degë pemësh që mbulojnë rrugët e trotuaret, linja telefonike të rrëzuara, rrugë të zhytura nën ujë. Kjo ka qenë pamja e qytetit të Fierit ditën e hënë. Sikur të mos mjaftonte kjo, për një periudhë gati 4 orë, pothuajse në të gjithë Fierin ka mbizotëruar mungesa e energjisë. Fshatrat përgjatë rrugës Fier-Seman, si dhe ato përgjatë rrugës kombëtare Fier-Ballsh dhe Fier-Lushnjë janë të gjitha të rrezikuara. Kanalet e kullimit të papastruar kanë njohur pas shiut të së hënës një shtim të sasisë së ujit dhe mbi 50 shtëpi në zonën e Fermës Çlirimi dhe Topojës, 10 shtëpi në Portëz dhe disa të tjera në Kolonjë e Vajkan gjenden pothuaj të izoluara si shkak i ujit që ka bllokuar kanalet. Problematik ka qenë dje edhe qarkullimi në rrugët dhe trotuaret e qytetit të Fierit. Lëvizja e qytetarëve shpesh herë ka qenë e pamundur, pasi uji kishte pushtuar pothuajse krejt rrugët, duke kujtuar edhe një herë mangësitë në kanalizimet rrugore. Lumi Gjanica ka shtuar prurjet e tij, duke rrezikuar përsëri tregun industrial që shtrihet në breg të tij. Ai që rrezikon ende më seriozisht është lumi Vjosa, që ka përmbytur dy vjet më parë qindra shtëpi dhe bllokoi për shumë ditën rrugën kombëtare Fier - Vlorë.
SSSASS